LAJMI I FUNDIT:

Trençevska: Vetëm përmes negociatave mund t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve

Trençevska: Vetëm përmes negociatave mund t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot priti përfaqësuesit e Shoqatave të personave me shikim të dëmtuar të cilët ishin pjesë e protestës para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përfaqësuesit kërkojnë më shumë fonde për ndihmë si dhe rritje të lartësisë së shtesës që marrin.

Trençevska në takim theksoi se për të mundësuar dhënien e çfarëdo lloj ndihmash, së pari duhet të përcaktohet numri i personave që kanë nevojë për to si dhe për cilën kategori të njerëzve bëhet fjalë.

“Fillimisht duhet të fokusohemi te ndihmat më të nevojshme dhe më pas të përfshijmë të tjerët. Ne duhet të regjistrojmë nevojat dhe prioritetet tuaja”, tha Trençevska.


Ministrja u dha një afat për dorëzimin e informacionit të nevojshëm që përfshin numër, si dhe strukturën e personave për të qenë në gjendje të përcaktojnë ndihmat e nevojshme.

Lidhur me rritjen e shtesës dhe detyrimin e saj me pagën mesatare, ministrja theksoi se çdo vend ka politikën dhe legjislacionin tatimor që duhet respektuar. Ajo shtoi se sipas Ligjit për mbrojtje sociale, gjithçka që nuk është e lidhur me pagesën e kontributeve është e lidhur me koston e jetesës.

Në takim, siç thonë nga MPPS, të pranishmit u pajtuan se pas dorëzimit të informatave nga shoqatat të mbahet një takim tjetër me të gjitha palët relevante ku do të vendoset për hapat e mëtejshme.