LAJMI I FUNDIT:

Delta e Bunës në Shkodër, perla e fshehur e Adriatikut që pret vizitorë

Delta e Bunës në Shkodër, perla e fshehur e Adriatikut që pret vizitorë

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) në Shqipëri ka shpërndarë së fundmi pamje nga Delta e Bunës që ndodhet afër qytetit verior të Shkodrës, duke e përshkruar si një nga vendet më të bukura përgjatë detit Adriatik.   

E krijuar nga depozitimet e lumit Buna, delta ka formën e një trekëndëshi të madh me bazë nga deti, ka thënë AKZM në një postim në Facebook.


“Në të ndodhen dy ishuj të mëdhenj Ada në Mal të Zi dhe ishulli i Franc Jozefit, në Shqipëri i krijuar nga depozitimet e aluvioneve të lumit, mbas mbytjes në 1881 të anijes austriake me të njëjtin emër nga flota ruse”, ka shtuar agjencia.

Historia tregon qe flota ruse kishte ardhur për të detyruar shqiptarët t’i dorëzonin Ulqinin Malit të Zi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare.

“Ky ishull dallohet për bimët dhe kafshët e rralla si druri i rrënjës, që është një lloj dushku tepër i rrallë dhe në rrezik në zhdukje. Delta e Bunës është afër 10 km nga qendra e Velipojës, në pjesën veriore të tij, në të kundërt të Lagunës së Vilunit”, ka theksuar AKZM.

Një udhëtim nga fshati i Velipojës drejt deltës së Bunës bëhet në këmbë nga dashamirësit e natyrës përmes bregut të detit ose me mjete të mëdha për shkak të rrugës së papërshtatshme.

“Grykëderdhja e Bunës frekuentohet pak nga pushues ditor pasi aty nuk ka ambiente shërbimi dhe është një i resurs “i fshehur” i bregdetit të Adriatikut. Drurët me forma të veçanta janë një tjetër bukuri që pasuron panoramën e këtij plazhi të vogël, ndërsa uji dhe bimësia e bëjnë atë të veçantë”, ka thënë agjencia në fund të postimit. /Telegrafi/