LAJMI I FUNDIT:

Kush janë 6 kandidatët e Berishës për zgjedhjet lokale në Shqipëri

Kush janë 6 kandidatët e Berishës për zgjedhjet lokale në Shqipëri

Komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike ka zhvilluar këtë diel zgjedhjet paraprake, për zgjedhjet e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të Shqipërisë më 6 mars, një proces i ngjashëm me primaret në Amerikë.

Procesi i votimit nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 17:00, në 5 bashki të vendit, ndërsa në Shkodër, ky proces u mbyll rreth orës 19:00 pasi numri i personave që kërkonin të votonin pas orës 17:00 ishte i madh.

Në bashkinë më të madhe në veri të Shqipërisë, “Rithemelimi” do të garojë me Bardh Spahinë, i cili në primare ishte më i votuar ndaj rivalëve të tij Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Irena Shestani Shala dhe Irma Alushi. Befasi në këtë garë brenda kësaj force politike, ishte mospërfshirja e Voltana Ademit, kryetares në detyrë të bashkisë Shkodër. Bardh Spahia është ish-deputet i Partisë Demokratike, me profesion mjek.


Në bashkinë e Durrësit, Komisioni i Rithemelimit do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka. Ai arriti të merrte më shumë vota në primare se rivalja e tij Silvja Gjepali. Pas zyrtarizmit, Muka u shpreh se tashmë ka ardhur koha që Durrësi të bëjë ndryshimin e madh. “Këtë mbështetje e shoh te njerëzit e thjeshtë që u ka ardhur në majë të hundës në këto 22 vite dhe unë mendoj se ka ardhur momenti që Durrësi të bëjë ndryshimin e madh”, tha ai pasi u zyrtarizua si kandidat këtë të diel.

Me një diferencë të madhesh votash nga rivalët në primaret e Lushnjes, fitoi Elton Bano, i cili do të synojë të drejtojë pas 6 marsit këtë bashki. Në profesion, ai është avokat. Ndërkohë, në Rrogozhinë fitues është shpallur Hekuran Xhani, mjek veteriner, i cili arriti të merrte 211 vota nga 316 në total.

Në Vorë do të jetë ekonomisti Lulzim Vrana, ai do të jetë kandidat i Komisionit të Rithemelimit. Pas zyrtarizimit të rezultatit të primareve, ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen në këto zgjedhje për ta pasur të sigurt fitoren.

Në Bashkinë e Dibrës, arsimtari Premtim Kryemadhi do të jetë kandidat i “Rithemelimit” më 6 mars. “Ju premtoj demokratëve që nuk do të zhgënjehen me kandidaturën time. Ne do të bëjmë një punë të shkëlqyer që nga zgjedhja e stafit, i cili sot është për të ardhur keq. Të gjithë demokratët duhet të bëhen bashkë kundër këtij regjimi”, tha Kryemadhi.

Menjëherë pas daljes së rezultateve të primareve, kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi me një deklaratë ku shprehej se as Berishën, as kandidatët e tij nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike. Për Bashën, Rama dhe Berisha po krijojnë një parti të re për të dëmtuar PD-në./A2 CNN