LAJMI I FUNDIT:

Trump: Marrëveshja Kosovë-Serbi në Washington është historike dhe nuk duhet të braktiset

Trump: Marrëveshja Kosovë-Serbi në Washington është historike dhe nuk duhet të braktiset

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar vizitën e fundit të ish të dërguarit të tij, Richard Grenell në Kosovë.

Në këtë drejtim, ish-presidenti Trump ka bërë thirrje që marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga administrata e tij nuk duhet të braktisen, sepse siç ka thënë ai, janë historike dhe janë në pyetje shumë jetë njerëzish, përcjell Telegrafi.

“Popujt e mrekullueshëm të Serbisë dhe Kosovës kanë tejkaluar pengesat e mëdha ndërmjet tyre në kërkim të normalizimit ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, (sepse) shumë jetë njerëzish janë në pyetje”, ka thënë në fillim të deklaratës Trump.


Siç ka shtuar tutje, ai, rajoni është gjithashtu i rëndësishëm dhe njerëzit kanë qenë në pritje për një kohë të gjatë që kjo të ndodhë.

“Sot, i dërguari im, ambasadori Ric Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshje. Siç edhe e kemi dëshmuar në Lindjen e Mesme me Marrëveshjen e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundshëm por kërkon përpjekje të sinqertë dhe lidership të palëkundur.
Paqja është e mundshme, mos u dorëzoni – prosperiteti për ato dy kombe është në pyetje”, ka shkruar më tej Trump.

Ndryshe, ish-presidenti Trump iu është referuar kohës kur më 4 shtator 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e tij patën nënshkruar zotimet që njihen si Marrëveshja e Washingtonit. /Telegrafi/