LAJMI I FUNDIT:

Tërmeti në Shqipëri, 62 shtëpi të dëmtuara në Bulqizë, banorët kërkojnë ndihmë nga shteti

Tërmeti në Shqipëri, 62 shtëpi të dëmtuara në Bulqizë, banorët kërkojnë ndihmë nga shteti

Në Bulqizë ka shkuar në 62 numri i banesave të dëmtuara nga tërmeti i mëngjesit të së premtes, i cili ishte me magnitudë 4.5 të shkallës rihter.

Banorët atje kërkojnë çadra.

Bulqiza vijon të përballet me lëkundjet e tërmetit. Brenda 48 orëve jatë fundit në shënuar 7 lëkundje te tjera, ku i fundit ishte i ditës së sotme me magnitudë 3.2 i shkallës Rihter.


Ndërkohë nga lëkundja e fuqishme e mëngjesit të së premtes, e cila ishte me magnitudë 4.5 Rihter, numri i banesave të dëmtuara ka shkuar në 62 në të gjithë Bulqizën.

Zamira Jakimi nga fshati Shtushaj në Bulqizë, thotë se qëndrimi në banesë është i pasigurt, ndaj kërkon ndihmën e autoriteteve për një çadër.

“Kishim frikë, dolëm përjashtë. Duam një çadër, nuk kemi ku të rrimë. Kemi frikë. Jemi 6 anëtarë në familje, thotë ajo.

Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, ishte në disa banesa vetë kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.

Ky i fundit tha se dëme ka patur pothuajse në të gjitha njësitë administrative, ku mes tyre veçohet dëmtimi i dy pallateve në Bulqizë dhe dy në Krastë.

“Deri tani jemi në 62, por presim se nga ora në orë na vijnë raportime. Kemi dhe dy pallate në qytetin e Bulqizës dhe tre pallate të tjera në qytezën e Krastës, Martanesh”, u shpreh Alla.

Prej së premtes banorët në të gjithë zonën e Dibrës, kryesisht në Bulqizë, ndihen të kërcënuar nga lëkundjet sizmike. /Oranews/