LAJMI I FUNDIT:

Merkel i bën thirrje Putinit që ta lirojë Navalnyn

Merkel i bën thirrje Putinit që ta lirojë Navalnyn

Në përvjetorin e parë të helmimit të opozitarit rus, Aleksei Navalny, kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që ta lirojë atë nga burgu.

Këto komente Merkel i bëri pasi u takua në Moskë me Putinin.

“I kërkova presidentit rus që ta lirojë Navalnyn”, tha Merkel në një konferencë për media pas takimit në Kremlin.


Kjo është vizita e fundit zyrtare e Merkelit në Rusi, pasi ajo do të pensionohet nga politika muajin e ardhshëm.

Navalny, një kritik i presidentit Putin, u sëmurë rëndë një vit më parë teksa po fluturonte në Siberi.

Avioni me të cilin po udhëtonte bëri ulje të detyrueshme në Omsk, ku ai u dërgua në spital.

Disa ditë më pas, ai u dërgua në një klinikë në Berlin për trajtim mjekësor.

Disa laboratorë kanë thënë se Navalny është helmuar me një agjent nervor, të prodhuar në kohën sovjetike, të grupit Noviçok.

Navalny e ka fajësuar Putinin për helmimin, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Navalny u arrestua pasi arriti nga Gjermania në Rusi më herët gjatë këtij viti.

Në përvjetorin e parë të helmimit të Navalnyt, Britania ka sanksionuar disa rusë, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në “tentim vrasje”. /rel/