LAJMI I FUNDIT:

Dialogu si vazhdim i luftës me mjete tjera

Dialogu si vazhdim i luftës me mjete tjera

Ajo që është keqkuptuar vazhdimisht rreth dialogut “për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është vet emërtimi i këtij procesi i cili po zgjatë një kohë të gjatë pa dhënë rezultate serioze dhe përfundimtare. Nuk mund të ketë normalizim kur palët kanë mospajtime bazike rreth vetë konceptit të normalizimit.

Që nga fillimi nuk ishte dhe ende nuk është e qartë se çfarë palët nënkuptojnë me normalizim të marrëdhënieve. Estabilishmenti serb është shprehur shumë here se normalizimi nënkupton rikthim të Kosovës në Serbi ndërkohë që pala kosovare vazhdimisht e kishte potencuar se synon normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore me Serbinë.

Fillimi, i cili synonte tejkalimin e gjendjes së luftës dhe ndërhyrjes së drejtë për drejtë të Serbisë në Kosovë, si dhe sigurimin e qarkullimit të lire të njerëzve, mallrave, kapitalit në mes dy vendeve, u nis me një dialog “teknik” i cili fund e krye ishte i kushtëzuar nga politika dhe (mos)njohja nga pala serbe e realitetit të krijuar pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, sidomos duke mos e njohur faktin se kjo ndërhyrje u bë për të ndalur krimin shtetëror serb ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.


Nëse lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera, atëherë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dialogun me Kosovën e ka kuptuar si përpjekje për të arritur qëllimet të cilat Serbia nuk i kishte arritur me luftë dhe as me “politikë të brendshme”, derisa Kosovën e mbante dhunshëm në përbërjen e vet. Pak a shumë ai dialogun e ka kuptuar si vazhdim të luftës me mjete të tjera. Qëllimet e njëjta, politikat mbeten të njëjta për presidentin serb, por tash përpiqet që të korrë sukses në diplomaci duke përdorur xhokerët rus dhe kinezë, sidomos veton e tyre në OKB.

Dialogu si instrument ndërkombëtarë në duart e politikës serbe, në vazhdimësi është (keq)përdorur për të kthyer Kosovën nën Serbi dhe kjo është toleruar nga politika e shkapërderdhur evropiane edhe përkundër faktit se gjithçka duket si një përpjekje absurde jashtë kohe dhe jashtë logjikës së shëndoshë. Si e tillë, kjo përpjekje shpërfaq arrogancën mesjetare serbe dhe mendësinë kolonialiste të saj – të tejkaluar moti nga vendet e BE-së; zhvlerëson parimet themelore të idesë evropiane. Nganjëherë duket se Evropa bën sikur ose vërtetë e ka harruar historinë e fundshekullit të kaluar,

Pra, presidenti serb, në dy takimet e fundit me kryeqeveritarin kosovar nuk arriti të shkëputet nga logjika e pazareve dhe shantazheve. Presidenti serb as që pranoi të merrte në dorë librat me rrëfimet e femrave të dhunuara, as për fëmijët e vrarë në luftë, as për shpërnguljet si instrument historik i Serbisë për “normalizimin e marrëdhënieve” mes të shqiptarëve dhe serbëve e cila solli si rezultat gjendjen ku gjysma e popullsisë së sotme të Kosovës të jenë pasardhës të refugjatëve të larguar dhunshëm nga tokat e tyre në rrethin e Nishit, Leskvcit, Vranjës etj. Normalizimi i marrëdhënieve në mënyrën serbe kishte kuptimin e shpërnguljeve masive, pastaj të kolonizimit me serb dhe asimilimit të pjesë së mbetur shqiptare, sidomos në Sanxhak etj.

Pra, Vuçiqi nuk po bënë dialog për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, por luftë për kthimin e saj nën Serbi. Në momentet kulminante të koordinimit të politikës ruse me atë të presidentit Trump, deklaratat e presidentit serb na trembnin me një skenar azerbejxhanas. Armatimi i hapur me raketa ruse, aeroplan rusë si dhe “dron” turq, mezi fshihte qëllimet për të krijuar një krizë dhe një arsye për të intervenuar në kohën kur emisarët Trump nuk e përjashtonin as tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Kosova. Kështu, dialogu dhe sidomos akuzat për bllokimin e tij ishte një arsye e cila, sipas tyre, pasi të ishin shpallur si mosbashkëpunues kosovarët, do të hapte rrugë për ndërhyrje ushtarake.

Serbia po përkëdhelej ndërsa krejt presioni po binte mbi Kosovën, Qytetarët e Kosovës kishin qenë viktima të një plani sekret për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët i cili edhe u realizua në vitin 1999 dhe të cilin e pamundësoi ndërhyrja e NATO-s me forca tokësore . Arsyet ishin dhe mbeten në politikën shtetërore serbe që nga shekulli i XIX, kur çlirimin e vet nga Perandoria Osmane e kishte lidhur me pushtimin, shpërnguljen dhe asimilimin e popujve përreth dhe rikthimin e ambicieve “perandorake” mesjetare.

Pafuqia e Evropës për ta detyruar Serbinë që të përballet me të kaluarën e vet po e degjeneron dialogun në një instrument të luftës serbe për dominim të rajonit dhe në shkelje të parimeve evropiane të bashkimit të lirë të popujve. Përfundimisht, nuk ka normalizim pa u pajtuar fillimisht rreth konceptit dhe parimeve të normalizimit. Për dialog duhen së paku dy palë që duan zgjidhje dhe që atë e shohin si instrument të paqes dhe jo si kërcënim dhe presion.