LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria nuk ka as të majtë e as të djathtë!

Shqipëria nuk ka as të majtë e as të djathtë!
Ilustrim

Zgjedhjet përfunduan. Qeveria është surprizë. Opozita u konsolidua në pozicionin e saj. Pandemia vazhdon, vaksinimi po ashtu. SPAK-u fatmirësisht po dëgjohet. Temperaturat e larta kërkojnë bregun e detit. Këto janë diskutimet kryesore rutinore publike në shoqërinë shqiptare të vitit 2021

Përtej diskutimeve personale dhe familjare, të cilat përmbajnë një “univers” të tërë tematikash, debati publik shqiptar, ai që përfshin pjesën më të madhe të shoqërisë, është totalisht i varur nga ngjarjet dhe deklaratat sporadike. Ndryshe nga vende të ngjashme me ne apo totalisht ndryshe nga europianët e BE-së, në Shqipëri mendimi popullor nuk është i formësuar sipas “llogoreve” të mendimit politik dhe ekonomik. Pa u keqkuptuar, sigurisht që secili prej nesh përmban një besim, sipas të cilit arsyeton dhe vepron, por ky besim është momental, i pabazuar në edukim dhe aspak i mbështetur në perspektivën e atij apo asaj që e artikulon. Për pasojë, shoqëria jonë nuk arrin dot të prodhojë një debat publik që i intereson po asaj sepse nuk është e pozicionuar në ato që kërkon apo dëshiron.


Ekzistojnë shumë mënyra për të kuptuar pozicionin dhe pritshmërinë tënde mbi shoqërinë, në të cilën ekziston. Mënyra më e përdorur në botën që jetojmë për të krijuar debat të shëndetshëm lind nga ndarja mes të majtëve dhe të djathtëve. Edhe pse këto etiketime janë jashtëzakonisht të përgjithshme, përsëri ato janë themeli i “Homo Politicus” apo “Homo Economicus”, që sundon në shtetet e zhvilluara të pjesës perëndimore të planetit. Qytetari, i cili edhe pse mund të mos ketë dije të thella të shkencave politike apo mund të mos jetë i njohur me teoritë dhe ligjëratat historike politike të 500 viteve të fundit, përsëri duhet të jetë aq i përgjegjshëm për rolin që ka kundrejt vetes, familjes dhe shtetit të tij.

Po kur u artikuluan për herë të parë konceptet “e majtë” dhe “e djathtë”? Në verën e vitit 1789, në Asamblenë Kombëtare Franceze, zhvillohej mbledhja për hartimin e Kushtetutës. Delegatët parlamentarë mbanin shumë divergjenca mbi rolin dhe pushtetin që do të kishte mbreti Lugji XVI në dokumentin kushtetues. Në këto debate dominonte mendimi i dy grupeve më të mëdha: anti-rojalistët, ata që kërkonin liri të shtuara dhe rol të vogël të mbretit në Francë, uleshin në të majtë të kryesuesit të seancës. Ndërsa konservatorët, aristokratët dhe tradicionalistët uleshin në të djathtë. Nga këtu nis dhe etiketimi, i cili sot ka marrë përmasa dhe fraksione jashtëzakonisht shumë më të pasura dhe më të ndërlikuara.

Pse në Shqipëri debati publik nuk formësohet dhe zhvillohet në këtë formë ashtu si në vendet e tjera?

Ekzistojnë tri arsye më të prekshme se të tjerat. Së pari liderët dhe grupimet politike në Shqipëri kanë harruar, me ose pa dashje, të jenë të qartë dhe të arsyetuar në politikat publike që propozojnë apo miratojnë. PPP-të e Ramës janë politika të djathta, subvencionet e Bashës janë politika të majta, rritja pa kufi dhe sipas oreksit elektoral është një politikë pa busull. Nëse do behej një studim mbi drejtimin politik të një qeverie apo një tjetre në 20 vitet e fundit, përcaktimi e majtë apo e djathtë do të ishte një mision i pamundur, më shumë do t’i shkonte përcaktimi “politika spontane”

Së dyti, arsyeja lidhet me tendencën dhe tentativën e pasurimit të shpejtë të shoqërisë shqiptare. Një mentalitet që ngjan si përzierje mes mungesës së modeleve dhe objektivit që të nëpërkëmb besimet. Shoqëria shqiptare e shekullit XXI nuk i vlerëson njerëzit që i dedikohen profesionit, moralit dhe modestisë. Njësoj shoqëria shqiptare, në pjesën e vet të zhurmshme, kërkon pasurinë e menjëhershme pa punë e pa mund, objektiv i cili të dërgon në shpërfytyrim njerëzor në rastin e mirë ose në trafik të jashtëligjshëm në rastin e keq.

Së treti, arsyeja lidhet me edukimin. Përveç degëve të dedikuara nëpër fakultete, edukimi në shkallët parauniversitare apo edhe në programe jashtëshkollore pothuajse nuk i prek fare këto tema. Në Bashkimin Europian, gjimnazet e kanë të detyrueshme një lëndë në vit që lidhet me format apo disiplinat politike dhe ekonomike. Qëllimi nuk është dija e thelluar në ideologji. Qëllimi është që nxënësit t’u japin përgjigje pyetjeve më se normale si: Preferoj një shtet që më ofron shërbime falas dhe më merr pjesën më të madhe të të ardhurave? Dua mbështetje shtetërore masive dhe për pasojë kontrolle dhe drejtime të paracaktuara apo preferoj derregullim dhe liri sipërmarrje? Dua një shoqëri tradicionale dhe konservatore apo jam i hapur dhe liberal ndaj të gjithë besimeve dhe sjelljeve? Dua që edukimi të jetë shtetëror dhe i koordinuar apo jam i hapur ndaj kurrikulave inovatore? Këto dhe shumë pyetje të tjera ndodhen në kokën e çdo njeriu, aftësia për t’u dhënë përgjigje dhe për t’u qëndruar këtyre përgjigjeve, pa nëpërkëmbur besimet dhe dëshirat e secilit, është pikërisht pika e kthesës mes një shoqërie të zhvilluar dhe një tjetre të pazhvilluar.

Pikërisht qartësia e secilit anëtar të shoqërisë shqiptare mbi dyzimin mes lirive individuale dhe fuqisë së aparatit shtetëror do të përbënte kapërcimin cilësor drejt objektivit popullor, zhvillimit. Nëse qytetarët, simpatizantët apo dhe militantët e një partie do kishin këto debate dhe besime mes tyre, atëherë do të ishte shumë e vështirë për partinë që të largohej apo të mos zbatonte parimet, sipas së cilave është ndërtuar dhe për të cilat lufton. Duke kujtuar se jeta në Shqipëri dominohet nga partitë, atëherë ky do të ishte një ndryshim pozitiv.

Shqipëria nuk ka as të majtë dhe as të djathtë sepse për momentin nuk mund të ketë. Është e rëndësishme të kapërcehet kompleksi ideologjik për të diskutuar besimet e gjithsecilit, për të arritur një shoqëri shqiptare të drejtë që vlerëson përpjekjen, që është e gatshme për sakrificë në shërbim të rritjes, që debaton mbi formësimin dhe jo mbi vjedhjen, që kërkon të arrihet kompromisi mes grupimeve sociale të fshatit dhe qytetit pa nëpërkëmbur besimet e secilit.

Viti 2021, afrimi milimetrik me Bashkimin Europian apo dhe kapërcimi i gjendjes së “tranzicionit”, janë arsye të mjaftueshme për të nisur një edukim dhe zbatim të debateve ideologjike, pa frikë, me besimin se do na bëjë anëtarë më të dobishëm të shtetit dhe pjesëtarë më të vlefshëm të familjes. Nuk ka rëndësi nëse je i majtë apo i djathtë, e rëndësishme është të jesh.

Në trend

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Liga e Kampionëve
Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Përfaqësueset
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Kalo në kategori