LAJMI I FUNDIT:

Policia arreston tre persona, njëri dyshohet për tentim-rrëmbim të fëmijës

Policia arreston tre persona, njëri dyshohet për tentim-rrëmbim të fëmijës

Policia e Kosovës, më saktësisht njësiti për Hetime të Përgjithshme në Prishtinë, për dy raste të ndara ka  arrestuar tre persona të dyshuar.

Sipas njoftimit, arrestimi i parë është realizuar mbrëmë, lidhur me një rast  që ka ndodhur më datën 22.06.2021 në fshatin Hajvali, i cili fillimisht është cilësuar si “Tentim rrëmbimi”.


“Që nga dita e raportimit hetuesit policor të rajonit të Prishtinës, kanë ndërmarrë  të gjitha veprimet operative dhe dje kanë arritë të  identifikojnë dhe sigurojnë prezencën e personit  të dyshuar: S.R. mashkull 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit për  48 orë, për veprën Marrje apo mbajtje e kundërligjshme e fëmijës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, rasti i dytë, për të cilin sot janë arrestuar dy persona të dyshuar: E.A. mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dhe A. R mashkull 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ndodhur me datën, 05.02.2021 në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.

“Pjesë e operacionit ka qenë edhe kontrolli në dy lokacione, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë, dy thika, një antiplumb etj. Personat e arrestuar dyshohen për veprat, privim i kundërligjshëm i lirisë, vetëgjyqësi  si dhe armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, tutje thuhet se pas intervistimit personat e  dyshuar janë proceduar më tej konform autorizimit  te prokurorit të shtetit. /Telegrafi/