Deri në fund të majit 2021, vetëm 2.1 për qind e afrikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Duhet ta mbyllim hendekun e vaksinimit mes ekonomive të përparuara dhe vendeve në zhvillim për të shmangur atë që Tedros Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e ka quajtur “aparteidi i vaksinimit”.
Të bësh një gjë të tillë është moralisht e drejtë dhe në interes të të gjithëve. Prandaj, kemi nevojë për një veprim global shumëpalësh për të rritur prodhimin e vaksinave dhe për të përshpejtuar shpërndarjen në të gjithë botën.
Që nga fillimi i pandemisë, kjo është rruga e zgjedhur nga BE-ja. Tashmë kjo është edhe rruga e përcaktuar nga udhëheqësit e G20-ës në Samitin Botëror të Shëndetit në Romë, më 21 maj. Pandemia vazhdon të vrasë mijëra njerëz çdo ditë dhe me ritmin aktual e gjithë bota nuk do të vaksinohet para vitit 2023.
Megjithatë, një popullsi botërore e vaksinuar gjerësisht është mënyra e vetme për t’i dhënë fund pandemisë; përndryshe, shumëzimi i varianteve ka të ngjarë të dëmtojë efektivitetin e vaksinave ekzistuese. Vaksinimi është gjithashtu një parakusht për heqjen e kufizimeve që po pengojnë ekonomitë dhe liritë tona.
Këto kufizime ndëshkojnë gjithë botën, por peshojnë edhe më shumë mbi vendet në zhvillim. Vendet e përparuara mund të mbështeten më shumë te mekanizmat socialë dhe levat e politikës ekonomike për kufizimin e ndikimit të pandemisë te qytetarët e tyre. Nëse hendeku i vaksinimit vazhdon, ai rrezikon të përmbysë trendin e rënies së varfërisë dhe pabarazive globale të dekadave të fundit.
Një dinamikë e tillë negative do të frenonte aktivitetin ekonomik dhe do të rriste tensionet gjeopolitike. Kostoja e mosveprimit me siguri që do të ishte shumë më e lartë për ekonomitë e përparuara sesa ajo çka do të duhej të shpenzonim bashkërisht për të ndihmuar për vaksinimin e gjithë botës Prandaj, BE-ja mirëpret planin prej 50 miliardë dollarësh të propozuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që të mund të vaksinojë 40 për qind të popullsisë botërore në vitin 2021 dhe 60 për qind deri në mes të vitit 2022.
Për të arritur këtë qëllim, ne kemi nevojë për veprim shumëpalësh ngushtësisht të koordinuar. Ne duhet t’u rezistojmë kërcënimeve të paraqitura nga “diplomacia e vaksinave”, që e lidh sigurimin e vaksinave me qëllimet politike, dhe “nacionalizmi i vaksinave”, që i rezervon vaksinat për vete. Në ndryshim nga të tjerët, BE-ja i ka refuzuar të dyja këto që nga fillimi i pandemisë. Deri tani ne kemi qenë aktori i vetëm global që po vaksinon popullatën e vet, ndërsa, në të njëjtën kohë, po eksporton vëllime të mëdha vaksinash dhe po kontribuon në mënyrë të konsiderueshme për shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta.
Evropianët mund të jenë krenarë për këtë arritje. Në vitin 2020 BE-ja mbështeti kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave në një shkallë të gjerë dhe kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për gjeneratën e re të vaksinave mRNA. Më pas BE-ja u bë një prodhues i madh i vaksinave COVID-19 me rreth 40 për qind të dozave të përdorura globalisht deri tani, sipas OBSH-së. BE-ja ka eksportuar gjithashtu 240 milionë doza në 90 vende, çka është afërsisht aq sa kemi përdorur brenda BE-së.
BE-ja me shtetet e saj anëtare dhe institucionet financiare – ato që ne i quajmë “Ekipi Evropa” – po dhuron gjithashtu vaksina për fqinjët në nevojë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Ajo synon të dhurojë të paktën 100 milionë doza më shumë për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme para fundit të vitit 2021, siç është rënë dakord në Këshillin e fundit Evropian. Me 2.8 miliardë euro, Ekipi Evropa ka qenë gjithashtu kontribuuesi kryesor në strukturën COVAX, e cila u mundëson vendeve të varfra të kenë qasje në vaksina; rreth një e treta e të gjitha dozave COVAX të shpërndara deri tani janë financuar nga BE-ja. Sidoqoftë, kjo përpjekje është ende larg të qenit e mjaftueshme për të parandaluar zgjerimin e hendekut të vaksinimit. Për të mbushur këtë boshllëk, vendet me njohuritë dhe mjetet e kërkuara duhet të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese, në mënyrë që të vaksinojnë popullatat e tyre dhe të eksportojnë më shumë vaksina, siç po bën BE-ja.
Në bashkëpunim me prodhuesit e vaksinave, ne po punojmë për të rritur kapacitetet e prodhimit të vaksinave të BE-së në më shumë se tre miliardë doza në vit deri në fund të vitit 2021. Partnerët tanë industrialë evropianë janë zotuar të shpërndajnë 1.3 miliardë doza vaksinash para fundit të vitit 2021, pa fitim për vendet me të ardhura të ulëta dhe me çmime më të ulëta për vendet me të ardhura të mesme.
Ata janë zotuar gjithashtu të shpërndajnë edhe mbi 1.3 miliardë doza të tjera për vitin 2022 – shumë prej të cilave do të shpërndahen përmes COVAX-it. Të gjitha vendet duhet të shmangin masat kufizuese që ndikojnë mbi zinxhirët e furnizimit me vaksina.
Ne duhet të lehtësojmë gjithashtu transferimin e njohurive dhe teknologjisë, në mënyrë që më shumë vende të mund të prodhojnë vaksina. Nga ana jonë, ne po i nxisim fuqimisht prodhuesit evropianë që ta bëjnë këtë, veçanërisht në Afrikë. Unë mora pjesë në Samitin e Parisit për mbështetjen financiare për Afrikën më 18 maj, ku udhëheqësit e kontinentit theksuan se Afrika importon 99 për qind të vaksinave të saj. Kjo duhet të ndryshojë.
Për këtë qëllim Ekipi Evropa po ndërmerr një nismë me partnerët afrikanë – mbështetur nga një miliard euro financim prej buxhetit të BE-së dhe institucioneve financiare evropiane të zhvillimit – për të rritur kapacitetin prodhues të vaksinave, barnave dhe teknologjive shëndetësore në Afrikë. Licencimi vullnetar është mënyra e parapëlqyer për të siguruar këtë transferim të teknologjisë dhe njohurive. Nëse rezulton të jetë i pamjaftueshëm, marrëveshja ekzistuese TRIPS dhe Deklarata e Doha-s 2001 parashikojnë ndërkaq mundësinë e licencimit të detyrueshëm.
Sipas disa vendeve, këto fleksibilitete janë megjithatë shumë të vështira dhe shumë të ngadalta për t’u përdorur. Për të shpejtuar këto transferime të teknologjisë, BE-ja do të dalë me një propozim të ri në kuadrin e OBT-së deri në fillim të qershorit. Pandemia COVID-19 na ka kujtuar se shëndeti është një e mirë publike globale.
Veprimi ynë i përbashkët global për të mbyllur hendekun e vaksinimit duhet të jetë hapi i parë drejt një bashkëpunimi të mirëfilltë shëndetësor global, siç parashikohet nga Deklarata e Romës e miratuar së fundmi në Samitin Global të Shëndetit.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj