LAJMI I FUNDIT:

Ismet Krasniqi, president i ri i KOK-ut

Ismet Krasniqi, president i ri i KOK-ut

Ismet Krasniqi është presidenti i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Krasniqi ka arritur ta rrëzojë nga kjo pozitë Besim Hasanin, i cili ishte në krye të KOK-ut për më shumë se dy dekada.

Nga 105 delegatë të pranishëm në kuvend, Krasniqi mori 53 vota, Hasani 41 dhe Linda Shala 11 të tjera.


Ismet Krasniqi ishte i nominuar nga Federata e Karatesë së Kosovës.

Pas fitores së arritur, Krasniqi ka thënë se këtë fitore ia dedikon vëllait të tij.

“Iu falënderoj për përkrahjen dhe mundësinë. Iu premtoj që vota juaj nuk do të shkojë dëm. Unë do të sakrifikoj për juve. Unë jam humbësi e ju jeni fitues. Me zemër dhe shpirt bashkë do të ecim në rrugëtimin tonë. Këtë fitore ia dedikoj njeriut që më ka dhënë motivim, është vëllai im”, u shpreh pas fitores Krasniqi.

Në anën tjetër, Besim Hasani që largohet nga kreu i KOK-ut pas më shumë se 20 viteve, ka thënë se Krasniqi e meritoi fitoren.

”Të nderuar delegatë, dëshiroj t’iu falënderoj për bashkëpunimin që e kemi pasur për më shumë se dy dekada, ku kemi arritur të avancojmë sportin që ka autoritet në botën ndërkombëtare. Uroj që Ismet Krasniqi si kryetari i ri i KOK-ut ta shtyejë këtë proces më tutje. Ishte fitore më se e merituar dhe i uroj suksese e plotë shëndet”, deklaroi Hasani.

/Telegrafi/