LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se grabiti një pompë derivatesh në Suharekë

Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se grabiti një pompë derivatesh në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale grabitja.

Siç njoftohet, i pandehuri, më datë 3 mars, në orët e hershme të mëngjesit në pompën e derivateve në Suharekë, bashkë me S.H., që gjendet në paraburgim, me kanosje e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit vendosin maskat antiCOVID të veshur me xhaketa dhe kapuç ngjyrë të zezë, duke i marrë personit në pompën e derivateve një shumë prej 1.500 eurosh dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.


“Më datë 8 mars 2021, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj të bashkëpandehurit S..H., për veprën penale grabitje lidhur me rastin e njëjtë”, theksohet tutje.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.