LAJMI I FUNDIT:

Vritet i riu shqiptar në Bari të Italisë

Vritet i riu shqiptar në Bari të Italisë

Një 28-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë këtë të enjte në Itali pasi u qëllua me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në lagjen Liberta të Barit, në rrethana ende të paqarta.

La Gazzetta del Mezzogiorno sjell disa prej detajeve të para nga kjo ngjarje, e cila ndodhi pak para orës 16:00. Duke cituar informacione paraprake të policisë, media italiane shkruan se i riu shqiptar u vra në shtëpinë e tij, e cila ndodhet në një rrugë në të cilën jeton bashkëshortja e një bosi të mafies së zonës.

Po sipas La Gazzetta del Mezzogiorno, viktima nuk rezulton të ishte pjesë e botës së krimit, ndonëse kishte precedentë të lehtë penalë, njofton Tv Klan.


28-vjeçari dyshohet se u vra nga një person i cili, pasi hapi portën e godinës, u ngjit në apartamentin e të riut dhe hapi zjarr në drejtim të tij.

Shqiptari u dërgua në spital nga një makinë private, me gjasë sipas mediave fqinje, nga një bashkëkombës i tij. Ai kishte marrë 3 plumba pistolete në kraharor dhe bark dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk mundi të mbijetonte. Ishin bluzat e bardha që njoftuan policinë.

Disa vite më parë, më 29 Gusht të 2014-s, në të njëjtën zonë mbeti i vrarë Florian Mesuti, pasi ndërhyri për të shuar një zënkë mes një minoreni nga Bari dhe një bashkëkombësi.