LAJMI I FUNDIT:

Në Cyrih, me marksist-leninistin që i iku dashnorja

Në Cyrih, me marksist-leninistin që i iku dashnorja
Daut Dauti (1980), në ditët e këtij rrëfimi

Nga: Daut Dauti

Pasi i kreva shumicën e provimeve (1980), në një mbrëmje verore i hipa trenit në Fushë Kosovë dhe, pas një nate dhe një dite rrugë, zbrita në Cyrih. Perceptimet i mia për këtë vend dolën gati të sakta: Zvicra vërtetë ishte një lloj parajse.

Ditët e para i kalova duke qëndruar te disa kushërinj e duke shpresuar se do të gjeja punë e të kurseja ndonjë frang që do të më duhej kur do t’iu kthehesha studimeve në vjeshtë. Pas disa ditëve u vendosa në një ‘Youth Hostel’ që ishte afër sheshit Kreuzplatz. E shfrytëzoja kartën studentore dhe paguaja 20 franga për fjetjen dhe mëngjesin. Ishte shumë mirë aty. Hosteli vazhdimisht ishte i mbushur me të rinj e të reja – studentë nga Evropa dhe Amerika. Kjo ishte bota ime dhe aty do të qëndroja gjatë, sikur të kishte mundësi. Por, gjërat gjithmonë ndodhin në mënyrë të pa parashikuar.


Gati çdo ditë shkoja te një kushëri që punonte në një restorant që quhej ‘Blau ecke’ e që gjendej në ‘Langstrasse’. Kjo rrugë atëherë ka qenë e njohur për lokale të natës dhe për prostitucion. Në mbrëmje trotuaret mbusheshin me prostituta të të gjitha moshave, formave dhe racave. Vazhdimisht shiheshin grupe dhe individë duke negociuar çmimin me to.

Një ditë në ‘Blau ecke’, kushëriri më njoftoi me një njeri tejet të pazakonshëm. Ai kishte vend në banesën e tij dhe unë mund të shkoja të qëndroja derisa të gjeja punë e të mos paguaja për fjetje në hostel. Ky tipi ishte shqiptar nga Turqia, diku rreth 40 vjeç. I gjatë me trup, me mjekër dhe syza. Dukej tamam intelektual. Në Turqi ishte përfshirë në aktivitete majtiste, të cilat atëherë kanë qenë në modë. Prandaj, duke i shmangur burgut, kishte ikur në Zvicër ku kishte kërkuar azil dhe e priste përgjigjen nga organet zvicerane.

‘Jam marksist-leninist’ – më tha me mburrje. Në një farë mënyre unë u gëzova se tashti kisha mundësi ta diskutoja marksizmin me të. Sapo e kisha kryer provimin e kësaj lënde me notë maksimale dhe pasi kisha lexuar mjaft material, e ndjeja vetën kompetent për debat. Pasi që u njoftuam dhe bëmë pak muhabet, shkuam në banesën e tij që ishte në ‘Militarstrasse’.

Kur hyra në banesë … çka me pa!? Muri plot me fotografi e posterë të revolucionarëve, si: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini dhe natyrisht, shoku Enver Hoxha. Për ta bërë pamjen edhe më bizare, në derë qëndronte i ngjitur një poster, aq sa ishte dera, i James Dean-it. Përskaj derës në një orman, posteri i Elvis Presley-it. I pari në teknikë bardh e zi kurse i dyti me ngjyra. Në mënyrë impozante qëndronte james Dean-i me pushkë ‘Winchester’ pas krahëve, pak si i kërrusur, me ‘sheshir’ në kokë kurse në trup një xhaketë xhins. Seks simboli, siç ka qenë ai, në gojë e mbante një cigare kurse shikimin e zjarrtë mashkullor e melankolik e kishte të drejtuar kah fotografitë e revolucionarëve. Presley, si zakonisht, me kitarë në prehër, me rroba vezulluese dhe me shikim ‘easy going’ dhe ‘I don’t give a damn’.

Tash, unë nuk kisha se si të mos e pyesja marksist-leninistin pse ata gjendeshin aty?

“Këta dy i ka vnu dashnorja jeme” – më tha pak si nën faj.

Dashnorja zvicerane me siguri kishte dashur të krijojë një balance kulturore në këtë avari bizare ikonografike. Për me i ra kësaj pune shkurt, ky tipi, markist-leninisti pra, nuk kishte asnjë lidhje, ama bash hiq, me marksizëm-leninizëm. Në banesë i kishte disa libra të Enver Hoxhës dhe material tjetër propagandistik komunist, por nuk i kishte lexuar apo nuk i kishte kuptuar. Tërë besimin në marksizëm-leninizëm e kishte të bazuar në thashetheme dhe përralla. P. sh., ai besonte që Shqipëria ishte superfuqi atomike, ishte vend ku nuk ka administratë sepse drejtorët e fabrikave dhe funksionarët e shtetit angazhohen në prodhim e zyrat janë të zbrazëta. Udhëheqësi më i madh në botë ishte Enver Hoxha, kurse Shqipëria gëzonte mirëqenie të lartë dhe drejtësi. Prandaj, qëllimi i tij ishte që kështu ta bënte edhe Turqinë e më vonë edhe pjesën tjetër të botës. Kjo mund t’ju duket qesharake, por ai besonte në këtë gjë përkundër faktit që mendja e shëndoshë e njeriut do të angazhohej që botën, së bashku me Shqipërinë dhe Turqinë, ta bënte si Zvicrën.

Thënë shkurt, ishte një tip të cilin naiviteti e kishte zhytur në një botë të iluzioneve dhe e kishte shndërruar në një person mjaft tragjik. Ditë e natë i mbante perdet e lëshuara në dhomë, i ndizte dritat e kuqe dhe pinte uiski me akull. Kur nxehej, përmallimi e detyronte ta shikonte një fotografi të gruas dhe dy fëmijëve që i kishte lënë në Turqi dhe i puthte. Një fotografi tjetër, ku shihej ai duke pushuar dhe duke ngrënë bostan nën hijen e një ‘prikolice’ të traktorit, e kishte ngjitur mbi kokë në shtratin ku flinte. Kishte tokë në Turqi dhe dukej se vinte nga një familje e kamur. Por, ja që kishte vendosur të bëhej revolucionar e ta bënte Turqinë Shqipëri që ta befasonte edhe utopistin më skeptik.

Kur i shkonte shishes së uiskit kah fundi, shpesh me ndihmën time, i gufonin ndjenjat, ngritej në këmbë dhe gatitu drejtohej kah fotografitë e revolucionarëve. Në këtë moment e formonte grushtin që e afronte te koka në nivel të ballit dhe bërtiste: “Ah Shqipëri bre. O Enver Hoxha he tungjatjeta”. Pastaj mundohej t’i këndonte disa këngë patriotike shqipe por e tradhtonte melodia që i dilte turqisht.

Vërtetë ishte patriot, sipas mënyrës së tij. Kishte lindur në Turqi, e mbante veten për shqiptar dhe fliste mjaft mirë shqip. Por, motori që ia shtynte ndjenjat dhe veprimet ishte dalë mode dhe ta hasje një njeri në situatë të tillë në Zvicër ishte më shumë se çudi. Por, në anën tjetër, ndoshta kjo gjë ishte normale për shkak se Lenini nga Cyrihu është kthyer në Rusi për ta udhëhequr Revolucionin e Tetorit. Mirë që ky marksisti im nuk e dinte këtë gjë.

Një ditë, derisa po pinim kafe në një restorant buzë liqenit, erdhi njëri që ky e kishte shok. Ky tipi erdhi për ta kuvenduar një hall të madh që kishte. Ia kishte marrë njëri dashnoren dhe tashti kërkonte ndihmën tonë që t’ia kthenim. Marksisti u nxeh aq shumë, u ngrit në këmbë dhe tha: “Pritni qetu se po shkoj me marrë alltinë”. Ia dolëm ta bindnim që nuk kishte nevojë për allti. Nuk e kisha aspak të qartë se çka i duhet njeriut alltia në Cyrih?

Sidoqoftë, puna erdhi ashtu që unë shkova me këtë tipin që t’i ndihmoja që ta kthente dashnoren. Nuk kishte dert që nuk e njihja se kush ishte ky tipi. Në kurbet shqiptari duhet me i ndihmue shqiptarit, apo jo? Me tramvaj e kaluam ‘Europabrücke’ dhe u ndalëm para disa soliterave e hymë në njërin prej tyre ku banonte dashnorja e ikur. Sapo trokiti ky tipi në derë, ajo doli me një nervozë të madhe. Tensioni u ngrit që në llafet e para. Refuzonte t’i kthehej dhe bënte meqë kishte kohë që e kishte gjet një tjetër. E poshtër, fare.

Pas pak, prapa shpinës së kësaj fisnikes doli dashnori i saj i ri. Dukej serioz, me syza të errëta të diellit dhe pamje aziatike. Mund të ishte nga ato shtetet që nga Malajzia e deri në Japoni. Por, ajo e zuri derën dhe nuk e lejonte që të dilte në korridor se do të plaste rrahja mes nesh. Unë e hëngra në sy aziatikun se do ta nokautoja menjëherë sikur të dilte. Kështu ma merrte mendja mua. Bishti i tij me ia marrë dashnoren shqiptarit.

Por, atë që nuk e dija unë e që e mora vesh më vonë ishte se ky dashnori aziatik ishte mjeshtër i karatesë dhe se e kishte shkollën e tij në Cyrih ku kishte marrë mësim edhe kjo fisnikja. Pasi bëhej zhurmë, fqinjët filluan të dilnin në korridor dhe thanë se do ta thërrisnin policinë nëse nuk largoheshim. Është një fakt i çuditshëm me shqiptarët në Zvicër: frikohen shumë nga policia. Prandaj, ia mbathëm fluturimthi shkallëve teposhtë.

Rrugës e pyeta këtë dashnorin e pafat: “Pse s’ke kallxu që ky tipi që ta ka marrë dashnoren është karatist?”

“Me t’pas kallxu, ti nuk kishe ardhë” – më tha.

Sidoqoftë, ky nafakpremi mbeti pa dashnore. Megjithatë, shpëtuam mirë se ky karateisti me siguri do të na rrihte te dyve. Mirë që nuk erdhi marksisti me allti se kush e di se si do të zhvillohej ngjarja. Ndoshta sikur të vinte marksisti me allti, ky tregim do të ishte më interesant ose nuk do të kishte tregim fare nëse fundi do të ishte tragjik.

Por, mua më erdhi shumë inati që u gjeta në këtë rreth. Nga aty, menjëherë shkova në Bern dhe nuk i pashë kurrë më këta njerëz. Më nuk takova njerëz si këta dy, por kam përshtypjen se kishte edhe tjerë të këtillë. Ky episod një kohë më ka shtyrë që të mendoja se këto ditë i kisha kaluar kot, por më vonë e kam kuptuar se ka qenë eksperiencë që më ka ndihmuar. Kjo ka ndodhur në verën e vitit 1980. Megjithatë, kohë interesante. Insan halli. Atëherë bota kishte shumë budallë. Njësoj, sikur sot.