LAJMI I FUNDIT:

Në Kosovë përdoren bombola gazi të vjetra rreth 40 vjet, të pacertifikuara – mungojnë edhe laboratorët

Në Kosovë përdoren bombola gazi të vjetra rreth 40 vjet, të pacertifikuara – mungojnë edhe laboratorët

Shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj, i cili la të lënduar dhjetëra qytetarë ngriti shqetësimin për shkak të përdorimit të madh të tyre në vend.

I gjithë problemi del të jetë te mungesa e laboratorëve të gazit dhe kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit e të cilat në Kosovë janë afër gjysmë shekulli të vjetra.

Udhëheqësi i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe njohës të rrethanave emergjente, tregojnë për KosovaPress sesi duhet të jetë e rregulluar çështja e mbikëqyrjes së shfrytëzimit të bombolave të gazit.


E kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani thotë për KosovaPress se duhet të autorizohen disa kompani që të kalibrohen bombolat në mënyrë që siguria të jetë më në nivel.

“Fjala bombolë tregon se ajo është një bombë. Në mëshirën e Zotit janë qytetarët prej bombolave të gazit sepse ne nuk kemi laboratorë të gazit, tek ne nuk kalibrohen bombolat, nuk certifikohen bombolat, çka do të thotë se kjo rrezikshmëri është gjithmonë tek qytetarët. Unë apeloj tek institucionet tona që sa më parë të autorizohen kompanitë, të cilat kalibrojnë, certifikojnë, asnjë bombolë të mos jetë e pacertifikuar, që do të thotë të jetë në trupin e saj shenja që është e certifikuar dhe është e lejuar të mbushet me gaz ose të shitet ai gaz. Tek ne kjo nuk ekziston. Prandaj, apelojmë që sa më parë këto gjëra të jenë sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Berjani.

Sipas tij, mungesa e licencimit të kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit ka bërë që në rastin e shpërthimeve të tyre të mos merr përgjegjësi askush.

“Naftëtarët janë të licencuar për shitjen e gazit, shumë normale, me standarde të BE-së duhet të jenë të licencuar në mënyrën më profesionale. Dhe, kur të vjen qytetari, bëhet mbushja e bombolës por bombola nuk është e certifikuar, nuk është e kalibruar, dhe këtu është problemi. Sepse nëse një bombolë certifikohet dhe kalibrohet, ajo kompani që e ka certifikuar e ka përgjegjësinë, e kështu përgjegjësinë nuk po e ka askush”, tha ai.

E udhëheqësi i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Hysni Komoni ka bërë të ditur për KosovaPress se javën e ardhshme do të dalin me raport të inspektimit.

“Në rastin e Ferizajt nuk mundem me dhënë të dhëna sepse është hetuesia duke punuar. Prej të hënës do të dalim me raport të hetimit dhe do të tregojmë pse ka ardhë, qysh ka ardhë deri tek shpërthimi… Ajo është detyrë e jona. Por, hetuesia e kryen punën e vet, unë nuk dua me ndërhy në punët e Hetuesisë. Por, sa i përket shkaqeve teknike javën tjetër do të dalim me raport të inspektimit, i cili nuk do të jetë i msheftë, për të gjithë ata që dojnë me e pa”, tha ai.

Komoni bëri të ditur se bashkë me ministritë përkatëse, atë të Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministrinë e Tregtisë, do të lansojnë një fushatë informuese në mënyrë të vetëdijësimit të qytetarëve lidhur me këtë çështje. Ai e pranon se në Kosovë ka bombola që janë në përdorim e që janë të vjetra rreth 40 vjet.

“Ne kemi bombola që janë qe 30-40 vjet, ato nuk bënë me u përdorë. Ka rregullore, ka ligj, çdo gjë është e rregulluar”, shtoi ai.

Në rast se nuk ndërmerren masa konkrete për mbikëqyrjen e shfrytëzimit të gazit, shpërthime të ngjashme në të ardhmen paralajmëron drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti.

Sipas tij, nevojitet hetim i hollësishëm i rasteve, në mënyrë që të dihet saktësisht shkaktari. Teksa thekson se janë tre parametra që mund të çojnë deri tek shpërthimi i bombolave.

“Janë tre parametra të cilët mund të çojnë deri tek shpërthimi i bombolave: cilësia e vet bombolave, instalimi i tyre nëpër objekte apo vendet ku përdoren, si dhe në fund, përdorimi i tyre. Gjithashtu duhet ditur se kah kanë hyrë këto bombola, a kanë hyrë përmes rrugëve legale apo kanë hyrë të kontrabanduara nëpër rrugë të ndryshme. Gjithashtu, duhet shikuar a i kanë të kryera A testet, të cilat duhet t’i kenë, dhe kontrollet periodike që duhet të iu bëhen këtyre bombolave”, tha ai.

Ahmeti apelon që të gjithë operatorëve që nuk plotësojnë kushtet e lartpërmendura t’u ndalohet shfrytëzimi i bobolave të gazit, deri ën përmbushjen e standardeve të nevojshme.

“Ato vende apo ato lokale të cilat nuk i plotësojnë këto kritere duhet t’u ndalohet përdorimi i tyre (bombolave të gazit) derisa t’i plotësojnë këto kushte sepse vërtetë është për keqardhje kjo që ka ndodhur dhe në të ardhmen mund të kemi ndonjë tragjedi edhe më të madhe me humbje edhe të jetës së njerëzve”, tha ai.

Ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, thotë se cilësia e gazit inspektohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa kontrolli i bombolave bëhet nga Trupat e autorizuara për ekzaminimin dhe mbushjen e bombolave të GLN ose gazrave teknike.

“Importuesi apo përfaqësuesi i autorizuar janë përgjegjës për vënien në treg të pajisjeve nën presion të cilat duhet t’i plotësojnë kushtet themelore të sigurisë. Importuesi apo përfaqësuesi i autorizuar është i obliguar që të prezantojë certifikatën e konformitetit dhe dokumentacionin përcjellës të pajisjes nën presion. Ju njoftojmë se gjatë një viti janë bërë gjithsej 130 inspektime të pajisjeve nën presion. Inspektimet bëhen në baza të rregullta periodike, me kërkesë dhe në rast të aksidenteve. Ministria për Ekonomi dhe Ambient ka 1 inspektor për pajisje nën presion, i cili bën mbikëqyrjen administrative të zbatimit të ligjit për Pajisjet nën presion dhe akteve nën ligjore që dalin nga ky ligj”, thuhet në përgjigjen e MEA.

Në Ligjin për Pajisjet nën Presion 06/L-031, në nenin 10 përcaktohet se “Shfrytëzuesi i pajisjes dhe instalimit nën presion është plotësisht përgjegjës për punën e sigurt gjatë përdorimit të pajisjes dhe instalimit nën presion si dhe për kryerjen e kontrollit dhe shqyrtimit të tyre”.

Nga shpërthimi i bombolës që ndodhi gjatë së martës në një lokal në Ferizaj u lënduan mbi 40 persona. Ndërkohë që shpërthime të tilla në vend ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar, duke lënë dhjetëra të lënduar.

Në trend Lajme

Më shumë
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori