LAJMI I FUNDIT:

Nisma qytetare “Boll më” në Tetovë filloi me procedimin e rasteve të para kundër EVN dhe KRRE

Nisma qytetare “Boll më” në Tetovë filloi me procedimin e rasteve të para kundër EVN dhe KRRE

Siç bëjnë të ditur nga nisma qytetare “Boll më”, tashmë ka filluar procedimi i rasteve të para kundër EVN-së dhe Komisionit Rregullator për Energjetikë.

“Këtyre ditëve, nga zyra për asistencë juridike falas e Iniciativës Qytetare “BOLL MË” nën përkujdesjen e profesorit universitar të drejtësisë z. Jeton Shasivari, u fillua me procedimin e rasteve të para të dërguara nga qytetarët shqiptarë të dëmtuar dhe të plaçkitur nga EVN dhe KRRE. I falënderojmë në veçanti, njerëzit bujarë të vullnetit të mirë, avokatët e mirënjohur tetovarë z. Naser Idrizi dhe z. Vullnet Zenku për kontributin e tyre vullnetar të veçantë në ndihmën juridike falas për konsumatorët e dëmtuar nga EVN dhe KRRE, sidomos për kategorinë më të rrezikuar të qytetarëve shqiptarë nga plaçkitjet dhe zhvatjet e EVN dhe KRRE”.

“Përkrahjet e tilla vullnetare profesionale të njerëzve bujarë të vullnetit të mirë sikur z. Zenku dhe z. Idrizi na japin vullnet dhe motivacion shtesë për më shumë aktivitete dhe angazhime drejt rrugës së fitores”.


“Jemi të gjithë bashkë në këtë betejë për drejtësi shqiptare, dhe vetëm bashkë do të kemi sukses”, thuhet në njoftimin e “Boll më”.

Në fund thuhet se qytetarët të cilët janë dëmtuar nga EVN dhe KRRE mund t’i paraqesin rastet në zyrën e tyre çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në ora 14:00./Telegrafi/