LAJMI I FUNDIT:

Zenun Elezaj shpallet fajtor, dënohet me 4 mijë euro gjobë dhe me ndalimin të ushtrimit të funksioneve zyrtare në afat prej 2 vitesh

Zenun Elezaj shpallet fajtor, dënohet me 4 mijë euro gjobë dhe me ndalimin të ushtrimit të funksioneve zyrtare në afat prej 2 vitesh
Foto: Arkiv

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është dënuar me 4 mijë euro gjobë për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë për konflikt interesi.Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Elezaj dënimin me gjobë duhet ta paguaj brenda afatit 6 mujor, pasi vendimi të bëhet i formës së prerë. Në rast se i pandehuri nuk e paguan gjobën atëherë të njëjtit do t’i zëvendësohet me dënim me burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.


Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.