LAJMI I FUNDIT:

Përgjigjet në pyetjet që mund t’i keni – flet njëri nga anëtarët që ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech

Përgjigjet në pyetjet që mund t’i keni – flet njëri nga anëtarët që ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech

Vaksina Pfizer/BioNTech nxit reagim të fuqishëm imunitar, thotë doktor Paul Offit, drejtor i Qendrës për Vaksina në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia.

Offit është njëri nga anëtarët e panelit të ekspertëve të Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave, që ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Offit thotë se ka shumë gjasa që imuniteti i të vaksinuarve të zgjasë me vite.


Ai tregon se kush mund ta marrë vaksinën e kush jo dhe kur mund të shkaktojë reaksione serioze alergjike.

Offit flet edhe për dilemat që mund t’i kenë disa rreth kohës – relativisht të shkurtër – që shtë zhvilluar vaksina.

Vaksina Pfizer/BioNTech – një bashkëpunim midis një gjiganti farmaceutik amerikan dhe një kompanie gjermane të bioteknologjisë – ka nisur tashmë të jepet në SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar.

REL: Doktor Offit, amerikanët e parë kanë nisur të marrin këtë javë vaksinën Pfizer/BioNTech. Ju jeni anëtar i panelit të ekspertëve të Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), që ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine. Përse keni votuar për rekomandimin e saj?

Paul Offit: Sepse të dhënat kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Është vlerësuar se vaksina Pfizer është 95 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes [COVID-19]; është afërsisht 95 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë, përfshirë te personat mbi 65 vjeç. Kur është testuar në dhjetëra mijëra njerëz, nuk ka shkaktuar ndonjë efekt serioz anësor, që do të ishte i pazakonshëm. Pra, kam menduar se kemi mjaft arsye për ta çuar përpara. Kur vendosni ta çoni përpara një vaksinë, nuk është se ju i dini të gjitha, por dini mjaftueshëm për të thënë se përfitimet i tejkalojnë ato që në këtë pikë janë rreziqe teorike.

REL: Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se njerëzit me reaksione serioze alergjike, duhet ta shmangin vaksinën. Sa duhet të shqetësohemi?

Paul Offit: Ne nuk themi kështu këtu në SHBA. Ne këtu themi se, nëse keni pasur reaksione serioze alergjike ndaj ndonjë produkti injektues që e keni marrë në muskul ose lëkurë, atëherë nuk duhet ta merrni këtë vaksinë. Por, nëse keni reaksione serioze alergjike si te vezët apo kikirikët, atëherë mund ta merrni vaksinën dhe duhet të prisni rreth 30 minuta për t’u siguruar se nuk keni ndonjë reaksion alergjik. Nëse kurrë nuk keni qenë alergjikë në ndonjë vaksinë, ju prapë duhet të prisni rreth 15 minuta. Kjo është koha që gjithmonë rekomandojmë. Rreth një në çdo milion njerëz që marrin vaksina, do të ketë një reaksion të rëndë alergjik. Andaj, gjithmonë rekomandojmë që njerëzit të presin rreth 15 minuta. I vetmi ndryshim është nëse keni pasur reaksion të rëndë alergjik në të kaluarën, por jo ndaj një produkti injektues – në atë rast prisni 30 minuta.

REL: Po, efektet afatshkurtra anësore?

Paul Offit: Vaksina shkakton një përgjigje të fuqishme imunitare. Pjesë të kësaj përgjigjeje imunitare përfshijnë simptoma si: ethe, të dridhura, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje të nyjeve. Njerëzit duhet të jenë në dijeni për këto, sepse mund të humbasin një ditë pune. Por, bëhet fjalë vetëm për reagimin imunitar ndaj vaksinës. Dhe, kjo është një gjë e mirë, sepse do të thotë se jeni duke zhvilluar imunitet të fuqishëm.

REL: A mund të themi se këto reaksione janë të ngjashme me ato të vaksinave të tjera?

Paul Offit: Në përgjithësi, janë pak më shumë serioze sesa reaksionet ndaj vaksinave të tjera, me përjashtim të vaksinës së herpesit, e cila shkakton simptoma të ngjashme. Njerëzit duhet ta dinë këtë. Por, lajmi i mirë është se këto reaksione zgjasin një ditë ose dy dhe pastaj largohen. Ju pastaj mbeteni me imunitet të madh kundër virusit, i cili mund të shkaktojë shumë dëme.

REL: Kush nuk duhet ta marrë vaksinën?

Paul Offit: Njerëzit që kanë imunitet të komprometuar rëndë, nuk duhet ta marrin vaksinën. Por, edhe nëse jeni shtatzënë, mund ta merrni atë; edhe nëse ushqeni me gji, mund ta merrni. Komplikime, tani për tani, kanë vetëm njerëzit me sistem të komprometuar imunitar.

REL: Sa zgjat imuniteti pasi vaksinoheni?

Paul Offit: Nuk e dimë se sa zgjat imuniteti. E dimë nga testimet se imuniteti, nga fillimi i dozës së parë, zgjat së paku tre muaj. Por, po ashtu e dimë se kjo vaksinë shkakton përgjigje shumë të mira të kujtesës – të ashtuquajturat qeliza B të kujtesës dhe qeliza T të kujtesës. Andaj, mendoj se ka shumë gjasa që imuniteti të zgjasë një vit apo dy, tre… Ndoshta jo dekada, por vite.

REL: Nëse tashmë e keni pasur sëmundjen COVID-19, a duhet të vaksinoheni?

Paul Offit: Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve këtu në SHBA e kanë bërë të qartë: Po, ju prapë mund të vaksinoheni. Edhe nëse jeni infektuar së voni, por jeni shëruar, ju mund ta merrni vaksinën, sepse në rastin më të keq, ajo vetëm se do ta forcojë përgjigjen tuaj imunitare.

REL: Kur vaksinoheni, a mund të sëmureni prapë dhe ta përhapni virusin?

Paul Offit: Para së gjithash, asnjë vaksinë nuk është 100 për qind efektive. Një vaksinë që është 95 për qind efektive do të thotë se një në çdo 20 njerëz që e marrin, mund të sëmuret. Vaksina mbron kundër sëmundjes, por pyetja është se a e parandalon infektimin? Me fjalë të tjera, a mund të keni një infeksion asimptomatik dhe përsëri të jeni ngjitës, ta përhapni virusin? Përgjigjen në këtë pyetje nuk e dimë. Mendoj se do ta dimë në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, derisa nuk e dimë, duhet të vazhdoni të vishni maska dhe të mbani distancë sociale.

REL: Në kushte normale, krijimi i vaksinës kërkon një dekadë ose më shumë kohë. Vaksina Pfizer/BioNTech ëhstë krijuar për më pak se një vit. A shqetësoheni për ndonjë gjë?

Paul Offit: Për aq kohë sa kryhet faza tre masive e testimit, vaksina miratohet. Dallimi midis kësaj dhe një vaksine pediatrike normale, nuk janë përmasat e testimeve. Testimet e vaksinave pediatrike bëhen po ashtu në 30,000, 40,000 apo 50,000 njerëz. Dallimi është te koha sa zgjat ndjekja. Ne e dimë se kjo vaksinë është efektive për disa muaj. Në kushte normale e dimë se vaksinat janë efektive për disa vite, përpara se të hidhen në treg. Por, unë nuk mendoj se ky është një lëshim, pasi ne e dimë se vaksina sjell përgjigje të shkëlqyeshme imunitare. Unë mendoj se do të kemi imunitet afatgjatë. Ne po ashtu e dimë se, së paku dy muaj pas dozës së dytë, nuk ka ndonjë efekt serioz anësor te njerëzit. Shumica e të gjitha problemeve serioze që ndodhin me vaksina, ndodhin brenda gjashtë muajsh, pas dozës. Në këtë pikë mund të themi se nuk kemi efekt serioz anësor, relativisht të pazakonshëm. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi efekt të rrallë serioz. Njëzetmijë njerëz të vaksinuar nuk janë 20 milionë. Kur të arrijmë në 20 milionë, do ta shohim, por do ta dimë këtë brenda disa muajve të ardhshëm.

REL: Çfarë iu thoni njerëzve që nuk duan të vaksinohen, sepse frikësohen për arsye të ndryshme?

Paul Offit: Zgjedhja për të mos marrë vaksinën, nuk është zgjedhje pa rrezik. Është zgjedhje për të marrë një rrezik tjetër. Së paku në vendin tonë tani, COVID-19 është jashtë kontrollit. E vetmja mënyrë për ta ndaluar, është me masa higjienike dhe me vaksinë. Sa u përket informacioneve që kemi tani, vaksina ia vlen të merret. Unë mezi pres ta marr, mezi pres të shkoj në radhë, te spitali im, dhe ta marr atë.

REL: Siç e thatë edhe ju, e është thënë qysh në fillim të pandemisë, vaksina është e nevojshme për ta sjellë coronavirusin nën kontroll. Sa optimist jeni tani që vaksinimi ka nisur në disa pjesë të botës?

Paul Offit: Jam optimist. Nuk mendoj se kemi nevojë për informacione shtesë për të mësuar se ajo që ndodh në një vend, mund t’i prekë të gjitha vendet. Ne do të jemi në gjendje ta eliminojmë këtë virus, kur ta eliminojmë nga bota. Vendet si tonat, që kanë përparësi teknologjike dhe ekonomike, kanë përgjegjësi ndaj vendeve të tjera në botë, që të sigurojnë se edhe ato kanë qasje në vaksina.

REL: Të gjithë pyeten se kur mund të kthehemi në normalitet. Kur është parashikimi juaj?

Paul Offit: Ndoshta nuk duhen bërë parashikime me këtë virus, sepse është aq i paparashikueshëm. Por, mendoj se Ditën e ardhshme të Falënderimeve në SHBA, që do të thotë nëntorin e ardhshëm, do të mund të nisim kthimin në normalitet.

Në trend Botë

Më shumë
Përfshihet nga zjarri motori i një aeroplani në aeroportin e Antalias në Turqi – mediat sjellin detaje dhe pamje

Përfshihet nga zjarri motori i një aeroplani në aeroportin e Antalias në Turqi – mediat sjellin detaje dhe pamje

Turqia
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Putini shkarkon komandantin e lartë sepse gënjeu për përparimet ruse në luftën në Ukrainë

Putini shkarkon komandantin e lartë sepse gënjeu për përparimet ruse në luftën në Ukrainë

Botë
Ukraina tani kërkon një “armë specifike” nga aleatët

Ukraina tani kërkon një “armë specifike” nga aleatët

Botë
Zelensky beson se lufta në Ukrainë mund të përfundojë në vitin 2025

Zelensky beson se lufta në Ukrainë mund të përfundojë në vitin 2025

Botë

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Kalo në kategori