LAJMI I FUNDIT:

Bideni, megjithatë është shpresë për BE-në

Bideni, megjithatë është shpresë për BE-në

Sa keq që Ursula von der Leyen nuk hap shishet e shampanjës. Presidentja e Komisionit të BE-së i ka të gjitha arsyet për ta tundur, duke festuar këtë fundjavë. Paraardhësi i saj, njohësi i Donald Trumpit, Jean-Claude Juncker, me siguri do të kishte ardhur. Sepse, fitorja në zgjedhje e Joe Bidenit dhe fundi i afërt i epokës shokuese Trump, është ngjarja më e gëzueshme demokratike dhe më miqësore ndaj Evropës – këtë vit.

Sigurisht, Bideni nuk është çlirues i BE-së që papritmas i mbulon të gjitha etiketat “America First” me etikat “Europe First”. Sigurisht, edhe Bideni do të tregohet alergjik po të vazhdojë të rritet teprica e BE-së në tregtinë transatlantike. Dhe, sigurisht që Bideni nuk do ta përgëzojë papritmas Angela Merkelin për gazsjellësin “Nordstream 2” të Detit Baltik, përmes të cilit në Gjermani do të vijë edhe më shumë gaz rus.

Sigurisht, edhe Joe Bideni do t’ia kujtojë BE-së se mbrojtja e tij kushton shumë. Mbi të gjitha, objektivi i kontributit prej dy për qind për NATO-n vjen nga koha kur Bideni ishte zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara nën Barack Obaman. Edhe kopjet e Trumpit në BE, si Viktor Orbani në Hungari, nuk bëhen papritmas demokratë të kulluar vetëm sepse modelit të tyre i duhet të largohet nga Shtëpia e Bardhë.


Të gjitha këto kufizime të supozuara nuk ndryshojnë gjë në faktin që pas katër vitesh me kundërshtarin e BE-së, luftëtarin e tregtisë dhe propagandistin e Brexit-it, Trumpin, Bideni është një fener shprese për Bashkimin Evropian. Presidenti i ardhshëm i ShBA-së e di se vetëm BE-ja e fortë mund t’u hyjë në punë Shteteve të Bashkuara – për shembull kur bëhet fjalë për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të siguruar që prodhimi industrial neutral ndaj klimës të mos mbetet një ëndërr e përjetshme.

Joe Bideni e di se vetëm së bashku me një Bashkim të fortë Evropian dhe me një treg të fortë të brendshëm të BE-së mund të parandalojë që diktatura e mbikëqyrjes e teknologjisë së lartë e Kinës të zëvendësojë standardet industriale në të gjithë botën, duke përcaktuar tonin dhe duke minuar sistematikisht organizatat ndërkombëtare.

Madje, edhe finalja e negociatave të BE-së për epokën pas Brexit-it me Boris Johnsonin do të marrë një theks të ri për shkak të zgjedhjeve në ShBA. Dyshja e pandashme e Brexit-it, Johnson/Trump, nuk ekziston më. Johnsoni tani është beqar në Brexit, pa asnjë perspektivë të një partneriteti transatlantik. Fantazitë e tij në lidhje me një marrëveshje çliruese të tregtisë së lirë me ShBA-në, kanë dështuar. Bideni, me afërsinë e tij me Irlandën, është kundërshtar më i vështirë i Johnsonit sesa Emmanuel Macroni, Angela Merkeli dhe Ursula von der Leyeni.

Presidentja e Komisionit të BE mund të hapte pra shishet e shampanjës. Për fat të keq, ajo i lejon vetes vetëm ujë mineral. /DW/