LAJMI I FUNDIT:

Taktika e Trumpit po funksionon

Taktika e Trumpit po funksionon

Disave mund t’u kujtohet ende: në fillim të fushatës së fundit zgjedhore në 2016, Donald Trumpi deklaroi me plot gojën se ai mund të vriste dikë në zemër të Nju-Jork-ut dhe të mos humbte asnjë votues. Tani, presidenti aktual i ShBA-së nuk ka vrarë askënd në Avenue 5, por mënyra se si sillet është shumë afër me këtë.

Kishte 72 orë që ai e dinte se qe infektuar me koronavirus para se të njoftonte se mund të infektonte njerëz të tjerë me patogjenin e rrezikshëm. Ai vazhdoi të merrte pjesë në aktivitete të fushatës zgjedhore, të darkonte me donatorë të mëdhenj dhe të shkruante në Twitter se mbajtja e maskave ishte vetëm për frikacakët.

Por, kjo nuk është e gjitha: pas vetëm dy ditësh në spital, kur me siguri vazhdonte të ishte shumë infektues për të tjerët, ai i urdhëroi rojet e tij të sigurisë ta shoferonin para tifozëve të tij të rreshtuar. Në limuzinën e zezë presidenciale, e cila quhet “The Beast” (“Bisha”), me maskën e zezë prej stofi në fytyrë dhe me kopsën e këmishës të hapur, ai u shfaq me një pozë përshëndetëse fitimtari.


Dhe, pastaj, një ditë më vonë, u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Kur arriti në shkallët e sipërme të shtëpisë së tij të përkohshme, ai e hoqi maskën me vrull nga fytyra e tij. Dhe shkroi me gëzim në Twitter se e gjitha nuk është aq e keqe, rreziku gjoja vdekjeprurës u krijua nga kundërshtarët e tij politikë – dhe megjithatë ai është shembulli më i mirë i kësaj: “Demokratët gënjejnë. Joe Biden është frikacak. Dhe mua nuk mund të më bëjë asgjë dhe askush”.

Nga distanca, dikush do të mendonte se sjellja e pakujdesshme e Trumpit duhet të jetë e mjaftueshme për të parandaluar rizgjedhjen e tij. Këtu në terren e gjitha ka pamje tjetër.

Për të kuptuar votuesit në Shtetet e Bashkuara, duhet të merret parasysh se çfarë vendoset bashkë me një presidencë. Kjo është kryesisht përbërja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e së cilës zgjidhen për tërë jetën dhe që përcaktojnë vijën politike për dekada. Shumë më gjatë dhe më të fuqishëm se një president në tetë vitet e tij në post, nga të cilat ai kalon të paktën dy në modalitetin e fushatës.

Përveç kësaj, 25 për qind e të gjithë votuesve janë rreptësisht kundër abortit. Atyre nuk u intereson çfarë bën ose thotë një president: kryesorja, ai të luftojë të drejtën për të abortuar. Donald Trump mund të jetë i paparashikueshëm në shumë fusha, këtu ai është i palëvizshëm.

Dhe për klasën e mesme të lartë dhe për super të pasurit, Donald Trump ka vlerën e parave safi. Sepse, edhe këtu, ai i mban premtimet dhe shpërndan me bujari dhuratat e tij në taksa për ata që tashmë kanë shumë.

Pastaj ka shumë amerikanë që nuk e dinin më me të vërtetë se ku bënin pjesë, në këtë vend ku në më pak se 25 vjet shumica e bardhë do të jetë një pakicë. Derisa erdhi Donald Trumpi, i huaji në politikë dhe presidenti i parë pas presidentit të parë me ngjyrë. Ai premtoi ta ruajë fuqinë e Amerikës së vjetër dhe të bardhë, të luftojë imigracionin dhe të kufizojë ndikimin e jo të bardhëve sa më shumë që të jetë e mundur. Ai premtoi të rikthente vendet e punës që kishin migruar jashtë vendit dhe të rikthente vendet e shkatërruara, më parë industriale, në madhësinë e tyre të vjetër.

Ky grup i fundit u trondit kur superheroi i tyre u sëmur papritur dhe kur filloi t’i merren këmbët. Kjo është arsyeja pse ishte taktikisht e mençur se si e vendosi tani Trumpi veten në qendër të vëmendjes. Demonstrimi i tij i forcës funksioni, për ata që i duhen shumë nëse dëshiron të ketë fare një shans për të fituar zgjedhjet.

Për të gjithë të tjerët, demokratet zezakë që tregojnë me lot në sy se si vdiqën anëtarët e familjes së tyre, sepse nuk morën ndonjë ndihmë mjekësore, Trumpit aq i bën. Ose ata që e konsiderojnë pakujdesi që presidenti ende nuk kërkon që të mbahen me detyrim maska në të gjithë vendin. Trumpit nuk i interesjnë as ata, sepse për të ata janë gjithsesi të humbur.

Duke e parë këtë vend nga jashtë, dikush mund të mendojë se këtu mbretëron një çmenduri e kulluar. Në lëvizje në rrugë, të duhet të konstatosh: taktikat e Donald Trumpit po funksionojnë për t’i mbajtur mbështetësit e tij në linjë. Pavarësisht ajo që ndodh, ata do ta mbështesin Donald Trumpin, po të jetë shëndoshë, për të vazhduar të luajë lojërat e tij taktike.

Në fund, vendimtare do të jetë nëse sjellja e Donald Trumpit motivon mjaft njerëz për ta nxjerrë atë nga Zyra Ovale. Vetëm aftësia për të tërhequr e Joe Bidenit nuk do të mjaftojë. Ai ka nevojë për mbështetjen e kundërshtarit të tij, për t’i çuar në kutitë e votimit demokratët hezitues dhe jo-votuesit. /DW/