LAJMI I FUNDIT:

Abrashi i përgjigjet Haradinajt: LDK-së i takon posti i presidentit

Abrashi i përgjigjet Haradinajt: LDK-së i takon posti i presidentit

Në takimin e së hënës ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar pritet të diskutohet edhe posti i presidentit.

Dhe në LDK thonë që posti i të parit të shtetit duhet t’u takojë atyre.

Një deklarim të tillë për KosovaPress e ka thënë sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.


Në takimin i cili do të mbahet të hënën temë diskutimi ai thotë se do jetë edhe qasja e qeverisë karshi dialogut me Serbinë.

“Kemi parë deklarata ndoshta që shumë shpesh kanë marr edhe vëmendje mediatike qoftë e liderit të AAK-së, qoftë të tjerëve – qoftë edhe për pozita të ndryshme për mbarëvajtje të koalicionit ose qasjen e qeverisë karshi dialogut e kështu me radhë… Nuk është diskutuar asnjëherë se cilës parti duhet t’i takojë Presidenti, por unë besoj që edhe LDK-ja si një parti shtet-formuese e cila ka dhënë shumë për vendin edhe i ka numrat në Kuvend dhe besoj që edhe LDK-së mund t’i takojë posti i presidentit”, theksoi Abrashi.

Lidhur me deklarimet që LDK-ja po kërkon përfshirjen e PDK-së në Qeveri, Abrashi tha se ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Madje ai thotë se as nuk janë takuar.

“Ende nuk ka asgjë konkrete, nuk është diskutuar rreth kësaj. Nuk ka pasur takime, kam lexuar nëpër medie që ka pasur takime edhe në jug të Shqipërisë – nuk qëndrojnë. Prandaj, ne kemi një qeveri që është funksionale, një president që po e ushtron funksionin e tij dhe gjithçka duhet të shihet në këtë kuadër”, thotë sekretari i përgjithshëm i LDK-së.

Për sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së, mocioni për rrëzim të qeverisë Hoti i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje është vetëm hipokrizi.

Derisa beson që kjo iniciativë nuk do ketë sukses, Abrashi thotë se një veprim i tillë nga ana e LVV-së ka qenë vetëm sa për të marr vëmendje në skenën politike. /kp/Telegrafi/