LAJMI I FUNDIT:

​Kurti: Zymberi vdiq në krye të detyrës, por aksioni u ndërpre me urdhër të Thaçit

​Kurti: Zymberi vdiq në krye të detyrës, por aksioni u ndërpre me urdhër të Thaçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar pjesëtarin e forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, me rastin e 9-vjetorit të rënies së tij në veri të Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se rendi e ligji nuk u vendosën në veri, por sipas tij, ‘pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit’.


“Para 9 vitesh humbi jetën në krye të detyrës pjesëtari i forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi. Enver Zymberi, i paharrueshëm për ne, është shembulli më domethënës i policëve tanë. Ata janë të gatshëm të japin gjithçka, edhe jetën, për sigurinë e Kosovës e të qytetarëve të saj. Me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit, heroi Enver Zymberi bashkë me shumë policë të tjerë morën pjesë në një aksion që synonte vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Republikës së Kosovës. Aty ai u vra në rrethana ende të pasqaruara nga organizatat kriminale që mbajnë peng qytetarët në atë pjesë të vendit tonë”, shkruan Kurti.

Kurti thekson se ishte kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi ai i cili dha urdhrin që të ndërpritej ky aksion.

“Por ai aksion u ndërpre me urdhër të kryeministrit të atëhershëm (tani president në fund të mandatit të tij). Rendi e ligji nuk u vendosën atje, përkundrazi, e më pas pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit”, thotë kreu i LVV-së.

Sipas tij ‘gjatë këtyre 9 viteve përpjekjet për drejtësi kanë qenë të pamjaftueshme, për të mos thënë që kanë munguar tërësisht’.

“Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për ta shtrirë rendin e drejtësinë në gjithë vendin, që sjell drejtësi edhe për Enver Zymberin. Atë drejtësi ia kemi borxh Kosovës, Republikës sonë dhe policëve të saj”, shkroi në fund Kurti, njofton Telegrafi.