LAJMI I FUNDIT:

Aja Sofija sërish xhami, trik i Erdoganit për të ruajtur pushtetin

Aja Sofija sërish xhami, trik i Erdoganit për të ruajtur pushtetin

Erkan Arikan

Prindërit e mi, të cilët kanë qënë të dy pelegrinë në Mekë, më kanë edukuar sipas vlerave islame. Po, unë jam mysliman besimtar, elhamdülillah! (Falë Zotit!) Në të njëjtën kohë, në edukimin tim kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe vlerat e Mustafa Kemal Ataturkut. Për familjen time dhe mua, sekularizmi, ndarja e shtetit nga feja, që Ataturku e solli në Turqi, është një arritje e shkëlqyeshme dhe një pasuri e madhe.

Si mysliman i devotshëm, nuk mund ta kuptoj në asnjë mënyrë vendimin e Gjykatës së Lartë Administrative të Turqisë. Pyes veten, se çfarë ligji i ka bërë avokatët të lejojnë që Aja Sofija të shndërrohet në xhami. Aja Sofija është një kryevepër arkitektonike, që bashkon kulturat dhe fenë në botë. Tani kësaj i jepet fund. Kjo nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës.


Përgjigja se përse gjykatësit e lartë administrativë gjykuan (apo duhej të gjykonin) kështu, është sërish politike. Ekonomia në Turqi jo vetëm lëngon, ajo ka rënë gati përtokë. Thuajse çdo sektor në vend është i prekur nga pandemia e koronavirusit. Papunësia rritet me shpejtësi. Presioni mbi Erdoganin shtohet vazhdimisht. Çfarë mund të bëjë një president islamist-konservator, me qëllim që t‘i kthehen përsëri mbështetësit, që po i largohen? Si mund t‘i mobilizojë ai sërish votuesit?

Një ofensivë e re ushtarake, për t‘i bërë apel vetëdijes kombëtare? Nuk është e mundur, kushton shumë! Dhe, mbi të gjitha, shtrohet pyetja: Kundër kujt duhet të veprojë ushtria? Zgjedhje të parakohshme? Shumë e rrezikshme, sepse demoskopët momentalisht nuk parashikojnë sukses për Erdoganin.

Po sikur thjesht të zhbëjmë arritjet e Ataturkut? Kjo është zgjidhje! T‘i prekësh myslimanët e devotshëm pikërisht aty, ku reagojnë me ndjeshmërinë më të madhe: Apel ndërgjegjes fetare! Sepse, për këtë grup të popullsisë, Aja Sofija që prej pushtimit të Kostandinopojës nga osmanët, ka qenë gjithmonë xhami. Kur Ataturku në vitin në 1935 e ktheu në muze Aja Sofinë, e cila gati për 400 vjet kishte shërbyer si ndërtesë kulti e fesë islame, përçoi me këtë një mesazh: Turqia moderne është një vend laik! Por, për Erdoganin kjo nuk ka rëndësi. Atij i intereson vetëm pushteti. Me çdo kusht.

Që pas faljes së të premtes pasdite, kur nga minarja e Aja Sofisë u dëgjua muezini dhe pastaj turmat e njerëzve para ndërtesës, që shpërthyen në lot, duke i bërë nderime Erdoganit dhe duke e falënderuar atë për vendimin, më mungojnë, të them të drejtën, fjalët. E gjitha kjo është më shumë se një provokim. Edhe pse përkrahësit e bindur të xhamisë festojnë rrugëve vendimin e gjykatësve, pikërisht në Stamboll ka edhe shumë njerëz, që pyesin: Përse duhet një xhami më shumë? Kjo pyetje është plotësisht e justifikuar, sepse në Stamboll, qytet me mbi 15 milion banorë, në të cilin është e përfaqësuar çdo fe, ekzistojnë ndërkohë 3.200 xhami. Dhe sinqerisht, jo secili prej këtyre 15 milion njerëzve lutet pesë herë në ditë në një xhami. Dhe sa kisha ka ende në Turqinë laike? Shumë më pak!

Për një kohë të gjatë kam shpresuar se Erdogani një ditë do ta bashkonte përsëri popullsinë në Turqi. Që do të bëhet një kryetar shteti me vlerat që ka përfaqësuar në fillim të karrierës së tij nacionale politike si kryeministër. Por kjo shpresë fatkeqësisht do të vazhdojë të jetojë vetëm në zemrën time. Sepse realiteti duket ndryshe. Ku të mundet, ky president përçan. Hendeqet bëhen gjithnjë e më të thella.

Patriarku Bartholomeo i Kostandinopojës, kreu i të gjitha kishave ortodokse, kishte shprehur qëndrimin e tij të prerë kundër shndërrimit të Aja Sofisë në xhami. Është një nga monumentet më të rëndësishme të civilizimit dhe nuk i përket vetëm pronarëve të drejtpërdrejtë, por “gjithë njerëzimit”, kishte thënë patriarku. Por, Erdogani i injoron fjalët e mendimet e tilla. Për të vlen vetëm një gjë: pushteti dhe mbajtja e pushtetit. Unë vetëm mund të shpresoj, që çmimin për shndërrimin përsëri të Aja Sofisë në qendër islame kulti të mos detyrohen ta paguajnë pakicat myslimane jashtë Turqisë. /DW/