LAJMI I FUNDIT:

Facebook-u, ditëlindja e tezës dhe Rusia

Facebook-u, ditëlindja e tezës dhe Rusia

Tezakja mërgimtare nga Zvicra, me mall kishte postuar në Facebook një foto të nënës së saj, kur ajo ishte më e re dhe kishte shkruar disa rreshta dedikim me një zemër në fund. Ç’është e vërteta, zemra (emoji) në fund të shkrimit, dhe duke e ditur se s’ishte 8 Marsi, ma dha përshtypjen edhe mua se ajo mund ta kishte datëlindjen. Kështu jemi mësuar. Ne që nënat ende i kemi gjallë, postime për to bëjmë veç për 8 Mars dhe për datëlindje. Kurse, të tjerët, që nënat u kanë vdekur, edhe më rrallë – në ndonjë përvjetor mortor.

Sidoqoftë, një koment e shkrova me fjalë miradie për tezen time. Të gjithë e dimë se Facebook-u t’i sjell disa njoftime, sa herë të tjerët komentojnë në statusin ku ka komentuar përdoruesi. Kështu edhe mua. Ngaqë ishte e shtunë dhe koha ishte pak si me tepri, i hapa njoftimet dhe, pashë se tash motra ime nga Gjermania e kishte bërë një koment të gjatë.

Vërtet, ky koment binte në sy. Përveç se ishte goxha i gjatë, ishte i mbushur me simbole të ndryshëm, me zemra, plotë të puthura dhe tortë. Por, e kishte edhe urimin “edhe 100 vjet tete!” Gjithë kjo pa e pasur datëlindjen tezja ime, e cila me shumë gjasa nuk i do datëlindjet duke e ditur se mosha e shtyrë frikësohet nga ikja e viteve.


Huh! Çka të shohësh më pas?! Vërshim komentesh, lumë. Për pak minuta numri i komenteve në statusin e tezakes sime nga Zvicra, e cila kishte postuar thjesht nga malli një foto të nënës së saj/tezes sime, ishte mbi 100. Të gjithë këta u koritën duke ia uruar datëlindjen tezes sime për fajin e gabimit të motrës. Kunatat e tezes, fqinjët, dajat e mi/vëllezërit e tezes. Shumë, shumë njerëz. Çfarë respekti virtual?! I mahnitshëm!

Dy orë pas postimit, duke u frikësuar se ishte koritur me nënën e tij, djali i vetëm i tezes sime i ra ziles së banesës së prindërve të vet me tortë para duarsh. Me të hapur derën, tezes sime i dolën nipi dhe mbesa para me këngën “Happy birthday to you, gjyshe!”. E gjora gjyshe, mendoi se e kishte harruar datëlindjen e saj! I përqafoi nipin e mbesën dhe, pavarësisht se nuk e kishte datëlindjen, tortën e hëngrën. Madje, edhe mua më ra një hise aty.

Pjesa e deritashme e tregimit që po e ndaj me ju ka një karakter argëtues, megjithëse në vetvete jep mirë shembullin shoqërisë sonë të pasinqertë. Shumë njerëz nuk e kuptuan që tezja nuk e kishte datëlindjen. Shumë prej tyre nuk e lexuan komentin e vajzës mërgimtare, por i mashtroi fotografia dhe një zemër në fund të statusit. E, pothuajse të gjithë të përfshirët me komente “urime datëlindjen e dashur/motër/e respektuar/engjëll” e lloj-lloj epiteti u ndikuan fillimisht nga gabimi i motrës sime, e pastaj nga gabimi i njëri-tjetrit. Kjo është jeta jonë, jeta virtuale.

Po mendoja, po jeta reale sa është e varur nga kjo virtualja?! Shumë.

Dje, para Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë u mbajt protesta e parë e shqiptarëve. Nuk e kam idenë sesi përfunduan këta të rinj, megjithëse një grusht syresh para Ambasadës sikurse para tezes sime i biri, me nip e mbesë dhe me tortë në duar?!

Një shoqëri që funksionon automatikisht sikurse ne; një shoqëri, si kjo e jona që nuk lexon; që është indiferente ndaj emocionit dhe dashurisë së vërtetë, përfundon lehtë duke protestuar para atyre që u bënë shpëtimtarët tanë në vitin 1999.

Kjo pastaj bëhet edhe më e lehtë kur qëllimisht në Facebook, një njeri që mund t’i shërbejë armikut tonë më të madh, bën një postim me emocion dhe fton në protestë në ndonjë bojkot apo çfarëdo qoftë tjetër!

Një shoqëri që Abetaren, gazetën, librin e historisë apo edhe enciklopedinë e ka veç në Facebook, përfundon lehtë sikurse i biri, nipi dhe mbesa e tezes sime me tortën përpara duarsh dhe me këngën “Happy birthday to you gjyshe” në derën e tezes sime.

Por, një postim me sherr, i bërë nga një rusofil (paramendojeni shqiptar dhe rusofil!), njëherë si rezultat pati protestë para Ambasadës amerikane. Nesër, kjo shoqëri nuk e di ku përfundon?! Kësaj shoqërie nuk i duhen as zgjedhjet! Çka i duhet demokracia një shoqërie të tillë? Shoqëria jonë e Facebook-ut shpresoj të mos bjerë në greminë! Ani pse e di që pothuajse asnjë nga ta nuk do ta lexojë këtë! Shpresa më mban se kjo do të tregohet vesh në vesh, nëpër kafene!

Disi duhet të vetëdijesohemi, qoftë me thashetheme! Në fakt, me thashetheme jemi çoroditur, veç duhet ta kthejmë gëzofin mbarë! Cila është tash ana e mbarë? Po njëmend, e kundërta!