LAJMI I FUNDIT:

Pandemia e hipokrizisë

Pandemia e hipokrizisë

Gjatë viteve të mija të jetës në Shqipërinë socialiste, u imunizova qysh i vogël ndaj indoktrinimit komunist, nga një këshillë shumë e thjeshtë dhe praktike e atit tim: Për të gjetur të vërtetën, përmbys gjithçka që të thonë mësuesit në shkollë. Ndonjëherë, ky algoritëm i thjeshtë sillte ndonjë gabim (gjithmonë kemi drejtpeshimin e brishtë mes thjeshtësisë dhe saktësisë), por humbjet në saktësi ishin të papërfillshme në krahasim me përfitimet në mos indoktrinim. Kështu funksionojnë përgjithësisht algoritmet. Kësisoj, në këtë periudhë të eksperimentimit social të karantinës, m’u desh ta shpluhros këshillën e vjetër të atit tim të mençur dhe ta rivendos në përdorim.

Paralelet e eksperimentit social karantinor me ato të eksperimentet social të socializmit janë aq të shumta dhe të shumanshme sa instrumenti i vjetër i dhuruar nga im atë papritur mund të shndërrohej në një mjet të vyer orientues. Teksa shumica e qytetërimit perëndimor dhe disa nga derivatet e tij më të afërt, si India, Kina dhe Rusia, u mbyllën nëpër karantina të detyruara me dekrete qeveritare dhe masa të gjendjes së jashtëzakonshme, ata që më së paku e respektuan karantinën ishin vetë politikanët që ua imponuan këtë të tjerëve, si edhe tellallët e tyre epidemiologjikë e mediatikë. Ky ishte testi i parë që unë i bëra algoritmit të vjetër të tim eti dhe më rezultoi se ai ishte ende funksional. Rezultati që ky instrument më sugjeroi ishte: mos beso asnjë fjalë që ata thonë sepse, po të ishin të vërteta, ata së pari do mbronin veten e tyre nga të infektuarit e tjerë apo edhe të tjerët nga rreziku që ata vetë mund të mbartin.

Ndoshta pakkush e di se karantinimi aktual quhet Karantinimi Ferguson. Kjo sepse ideja gjeniale e karantinimit të shteteve të tëra, përfshirë personat e shëndetshëm, i takon një profesori të biomatematikës në Kolegjin Perandorak [Imperial College] të Londrës, Neil Ferguson, i cili, i frymëzuar nga rrëmbimet me dhunë që autoritetet kineze të Vuhanit u bënin qytetarëve të tyre për t’i internuar në kampe të fshehta, sugjeroi një qasje të ngjashme për gjithë vendet e tjera. Fergusoni parashikoi se COVID-19-ta mund të ishte po aq vrastar sa edhe gripi spanjoll i vitit 1918, i cili shkaktoi vdekjen e rreth 100 milionë njerëzve (ky ishte një nga dhjetëra gënjeshtrat që virologët dhe epidemiologët përhapën anembanë, por me to do merremi një herë tjetër). Për t’u mbrojtur prej virusit, Ferguson propozoi mbylljen e jetës shoqërore anembanë botës. Dhe, meqënëse modelet e tij epidemiologjike kishin qenë përgjithësisht të vlefshëm deri asokohe, komuniteti shëndetësor dhe qeveritë e morën atë seriozisht.


Profesori Ferguson ishte antar i SAGE-s, Grupit Këshillimor Shkencor të Emergjencave, bordit që skicoi politikën karantinore në Britani dhe u dha këshilla qeverive në shumë vende të tjera. Sidoqoftë, edhe mbasi ai udhëzoi qeveritë anembanë botës të izolonin në shtëpitë e tyre qytetarët e shëndetshëm, Ferguson vazhdoi të ftojë rregullisht në banesën e tij të dashurën e zemrës, pa ndonjë të keq, thjesht për të shpenzuar disa orë romantike, gjithmonë nën besimin arrogant se ajo çka vlen për popullin nuk vlen për shkencëtarin. Me sa duket, koronavirusi nuk kishte të njëjtin mendim me profesorin, dhe ndërkohë kishte vendosur ta pushtonte trupin e atij që u jepte leksione të tjerëve sesi të mbroheshin duke u vetëizoluar apo duke pranuar përunjësisht të izoloheshin me dhunë nga qeveritë e tyre.

Në mes të marsit 2020, profesori filloi të shfaqë simptomat e COVID-19-ës. Por ja ku na kishte qëlluar që e dashura e profesorit të ishte e martuar dhe me dy fëmijë, dhe kësisoj profesori ndihmoi në infektimin e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Tani, përgjithësisht shkencëtarët janë shkencëtarë pikërisht për këtë: të gjejnë përgjigje që të tjerëve nuk u shkojnë në mendje. Dhe, profesori ynë e kishte atë përgjigje në majë të gjuhës: “Veprova duke besuar se isha i imunizuar.” Se si mund të ishte i imunizuar ky profesor nga një virus i panjohur, kjo mbetet mister shkencor, por gjithsesi ai u detyruar të japë dorëheqjen nga SAGE dhe t’u kërkojë falje britanikëve.

Mosrespektimi i rregullave të karantinës anembanë botës, nga ata që vetë i imponuan apo propaganduan ato, është shndërruar tashmë në një pandemi edhe më të përhapur sesa vetë COVID-19-a. Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Bill de Blasio, një skifter karantinor, nuk i rreshti stërvitjet e tij në palestër dhe as vizitat e tij familjare nëpër parqe, ndonëse u kërkonte qytetarëve të tij mos të bënin kësi lloj daljesh. Në rastin e vizitës në palestër, kryetari i Bashkisë justifikohej duke thënë se “vajtja në palestër ishte e nevojshme, pasi palestra ishte prej vitesh një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së tij dhe familjes de Blasio.” Në rastin e vizitës në parkun e Bruklinit, kryetari u tregua më i mençur: thjesht nuk hapi gojën dhe u përpoq t’i shmangej një qytetari që po e kritikonte për shkeljen prej tij të rregullave që ai u impononte të tjerëve, teksa po e filmonte në celularin e vet.

Në të njëjtën mënyrë, Lori Lori Lightfoot, kryetarja e Bashkisë së Çikagos, një tjetër skiftere karantinore, e cila mbylli rrojtoret dhe parukeritë anembanë qytetit të saj, e gjeti mundësinë të shkonte fshehurazi te një parukeri dhe të rregullonte flokët e veta pasi “ajo ishte fytyra e qytetit dhe duhej t’i kishte flokët të rregulluar përpara kamerave.”

Skifterë të tjerë korona-karantinues anembanë botës, u treguan po aq hipokritë siç sugjeronin politikat anti-njerëzore që u imponuan qytetarëve të tyre. Në Pashkë, kryeministri kanadez Justin Trudeau, u kërkonte qytetarëve të tij të qëndronin të mbyllur pasi edhe Jezusi këtë do të kishte bërë në këto rrethana. Pastaj, menjëherë sapo shpërndau mesazhin televiziv, u nis për në Kebek për të vizituar familjarët e tij në një shtëpi buzë liqenit.

Në shtetin Andhra Pradesh të Indisë, politikanë të partisë së shumicës, Partia e Kongresit, kërkuan të fitonin pikë duke mbledhur ndihma nëpërmjet tubimeve masive të mbështetësve të tyre, pikërisht ajo çka partia e tyre në pushtet në atë shtet kishte ndaluar me dhunë (pamjet virale kur policët rrahin me shkop qytetarët në rrugë janë tashmë sensacione të rrjeteve sociale). Sekretari Britanik i Strehimit, Robert Jenrick, nuk rreshti së udhëtuari vazhdimisht, me qindra kilometra, duke lëvizur nga njëra shtëpi e tij tek tjetra, teksa u përralliste qytetarëve të vet se duhej të qëndronin mbyllur.

Ministri i Shëndetësisë së Zelandës së Re, David Clark, një krye-skifter korona-karantik, u detyrua t’i kërkonte falje kryeministrit të vendit, sepse qytetarët raportuan se e kishin parë tek vizitonte një park në kundërshtim me rregullat që ky vetë u kishte imponuar qytetarëve të vet.

Zëvendësministri i Shëndetësisë së Malajzisë, Noor Azmi Ghazali, u dënua me 229 dollarë gjobë për thyerjen e rregullave të karantinës…

Mund të vazhdojmë me këtë listë deri vitin tjetër, por një kërkim i thjeshtë në internet do të na ofronte më shumë informacion të tillë nga sa kemi vite jete në dispozicion për të lexuar.

Por, vlen të theksohet rasti i komentatorit të CNN-it, Chris Cuomo, vëllai i guvernatorit të Nju-Jorkut, Andrew Cuomo. I njohur si një pacient i një rasti të rëndë TDS – Trump Derangement Syndrome, ose në shqip Çmenduria Anti-Tramp – njoftoi më 31 mars, nëpërmjet një mesazhi në rrjetin “Twitter”, se ai ishte testuar pozitiv me COVID-19. Por, pak ditë më pas, në kundërshtim me të gjitha rregullat karantinore që vëllai i tij guvernator kishte imponuar mbi qytetarët e shtetit të Nju-Jorkut (guvernatori është një tjetër thyes i rregullave që vetë u ka imponuar qytetarëve të vet ), Cuomo dhe familja e tij ndodheshin në Hamptons të Kalifornisë duke u dëfryer në lëndinën përpara shtëpisë së tij që po ndërtohet atje. Një çiklist që po kalonte aty pari e njohu dhe e kritikoi për thyerjen e rregullave të karantinës që ai vetë i propagandonte me të madhe, aq më tepër kur dihej publikisht se ishte i infektuar. Cuomo, i cili njihet se e ka siguresën e shkurtër, u ngatërrua me fjalë me qytetarin dhe pastaj u ankua në një program televiziv se njerëzit nuk po e linin të qetë.

Me sa duket, sjellja e pakujdesshme e Cuomos bëri që edhe familjarë të tjerë të tij të infektoheshin në ditët që pasuan. Pastaj, në një maskaradë të trukuar, Cuomo bën një dalje të televizuar nga bodrumi i shtëpisë së vet, ku supozohej se ndodhej gjatë gjithë kësaj kohe (por ku publikisht dihej se nuk ishte), duke na mallëngjyer me stoicizmin e këtij heroi mediatik që sakrifikoi ditët e veta në një bodrum (ku vetë na kishte thënë se nuk ishte) për të mbrojtur nga Korona familjarët e vet (që nuk i mbrojti). Por, sjelljet e këtij sharlatani nuk kishin mbaruar këtu. Më 5 maj shfaqet në rrjetin e vet, CNN, sikur të mos kishte ndodhur gjë dhe i quajti budallenj të gjithë ata që nuk respektonin atë çka tani po quhet “distance sociale”. Po më dukej sikur po i fliste vetes në pasqyrë. Gjithë mllefi i vet ishte me presidentin Trump dhe orientimin e tij për ta hapur sa më shpejt vendin. Si një sëmundje e pashërueshme, TDS-ja ta mpin trurin dhe të bën të flasës përçart.

Do të ishte e tepërt këtu të theksoja hipokrizinë korona-karantinore të qeveritarëve shqiptarë, të cilët vazhdojnë normalisht me prioritetet e tyre duke dhunuar hapur rregullat që u kanë imponuar të tjerëve. Një vizitë e shkurtër nëpër lidhëza apo meme të dërguara nga shokë apo njerëz të panjohur, vetëm brenda një dite, mjafton për disa orë leximi. Sepse, siç ka thënë edhe shoku Napoleon, të gjitha kafshët janë të barabarta, por derrat janë më të barabartë se të tjerët. Veç asaj, mua nuk më bren aspak shqetësimi nëse ndokush dhunon rregullat e karantinës: si një kundërshtar këmbëngulës i saj qysh në orën 0, unë kam bërë gjithçka kam mundur për ta sabotuar këtë eksperiment social (dhe do vazhdoj ta sabotoj deri në sekondën e vet të fundit). As nuk u mora me këtë fenomen për të hedhur dritë për kalbësinë dhe hipokrizinë e elitave politike anembanë botës. Thjesht doja t’u tregoja edhe një herë besimtarëve symbyllur se ky është një mashtrim i madh të cilin mashtruesit me të drejtë nuk e besojnë.

Teksa njerëzit rrinë të strukur dhe ndruhen t’i japin dorën njeriut të tyre, ata që ua imponuan atyre këtë karantinë livadhisin të lirë dhe shtojnë fitimet e tyre. Por kjo është temë me të cilën do merremi më vonë.