LAJMI I FUNDIT:

Disa ide dhe këshilla për bizneset në kohën e koronavirusit

Disa ide dhe këshilla për bizneset në kohën e koronavirusit

Të dashur miq dhe lexues të nderuar të Telegrafit, para disa ditësh i lexova disa artikuj në Harvard Business Review, ne lidhje me ndryshimet që do të ndodhin pas kohës së Covidit-19, ndaj mendoj se ia vlen t’i ndaj me ju disa nga pjesët më interesante.

Bizneset janë befasuar kur kanë kuptuar sesa të varura janë nga Kina – për lëndët e para kryesore, për pjesët e caktuara e deri tek produktet e gatshme. Kjo do të thotë se pasi kalon ky kaos, shumë do të fillojnë të mendojnë për të krijuar alternativa në vendet e tjera.

Udhëheqësit largpamës mund t’i drejtojnë më mirë organizatat e tyre, duke i krijuar kushtet që lejojnë klientëve t’ju ndihmojnë atyre. Kur ofrimi i shërbimit është partneritet i vërtetë dhe klientët i japin vlerësimet e tyre, punonjësit janë më produktivë, rezultatet e shërbimeve përmirësohen dhe përvojat rriten për të gjithë të përfshirët në këtë proces.


Ekzistojnë tri pika që mund të na pengojnë të angazhohemi në mënyrë produktive:

• Të mos jemi në gjendje të ndihmojmë;
• Të mos dimë se si të ndihmojmë;
• Të mos besojmë në rëndësinë e ndihmës.

Organizatat që kanë arritur të ndihmojnë klientët e tyre që të jenë më të dobishëm, kanë gjetur mënyra për të kapërcyer këto të tri pengesa. Në disa raste, një sjellje mund të bie ndesh me objektivat e organizatës. Por, kur është e qartë se roli ynë është i dobishëm për të gjithë, zakonisht shumica e njerëzve janë të kënaqur që të angazhohen. Duke identifikuar mënyrat konkrete në të cilat klientët mund të jenë të dobishëm, duke ofruar udhëzimet e qarta për ato që mund të bëjnë, dhe duke krijuar transparencë pse partneriteti i tyre do ta bëjë një ndryshim pozitiv për të gjithë të përfshirët, drejtuesit e biznesit mund të përmirësojnë ndërveprimet midis klientëve dhe punonjësve të tyre.

Në këtë moment paniku, kur kompanitë dhe punëtorët po përpiqen të kuptojnë se si mund të jesh produktiv dhe se si mund të jesh i lumtur duke punuar nga shtëpia, këshilla më praktike është të gjesh dikë që është me përvojë në mjetet e teknologjisë. Gjejeni një koleg që ka përdorur aplikacionet, si Slack dhe Zoom, dhe krijojeni një ide se si do t’i përdorni këto mjete dhe cili është funksionaliteti i tyre. Mënyra më e lehtë është të përdorni një dokument Google ose Slack. Kështu funksionojnë kompanitë virtuale. Nëse punojmë si ekip, unë mund të punoj në një dokument dhe ta shpjegoj atë që kam bërë, e ju mund të jeni në një zonë ose qytet tjetër e ta shihni punën që kam bërë.

Shpresoj se do të kuptojmë se fshehja e lajmeve të këqija nuk është kurrë ide e mirë. Duhet zotëruar aftësitë e udhëheqjes për të thënë të vërtetën dhe për të përfshirë njerëzit në punën e vështirë të gjetjes së bashku të zgjidhjeve.

Dizajnimi dhe menaxhimi i ekipeve do të jenë në fokus – ose më saktë, zotërimi i asaj që quhet “punë ekipore”, duke punuar në grupe fleksibile me pjesëmarrje nga vende të ndryshme, për të adresuar sfidat e veçanta.

Janë të dukshme shumë nga ndryshimet që ndërmarrjet do t’i bëjnë në afat të shkurtër: udhëtimi do jetë i zvogëluar në mënyrë dramatike, me shumë mundësi pune nga shtëpia për punëtorët me këmisha te bardha dhe ndryshime në operacionet e biznesit për të zvogëluar kontaktin njerëzor dhe për të përmirësuar higjienën e vendit të punës. Ndryshimet më interesante do të shfaqen pasi kjo urgjencë e shëndetit publik te ketë kaluar.

Sa i përket bizneseve, sektorë të caktuar – si fluturimet ajrore, hoteleria, turizmi dhe markat të konsumit që mbështeten në shitjen me pakicë tradicionale – tashmë janë prekur në mënyrë të dukshme. Kështu do të jenë edhe me industritë që kanë të bëjnë me tubim të numrit të madh te njerëzve – format e argëtimit popullor, si sporti, kinematë, koncerte, si dhe konferencat e biznesit e panairet tregtare.

Thuhet se fati favorizon mendjen e përgatitur. Fati sigurisht se i favorizon kompanitë qe kujdesen për të gjitha palët e interesuara. Ata janë më të përgatitur për ta zbutur krizën.

Është e rëndësishme edhe që njerëzit duhet të ndjejnë se ekziston diçka pozitive që mund të bëjnë. Rinovimi dhe forcimi i praktikave të mira në vendin e punës mund të bëjë ndryshim të madh në produktivitet si dhe mirëqenie. Për shembull:

• Komunikim i bollshëm: raportime të rregullta, komunikim nga shumë nivele, biseda të bashkuara;
• Trajnim interaktiv, në mënyrë që njerëzit të plotësojnë njëri-tjetrin;
• Orari fleksibil i punës – koha e fillimit dhe e ndalimit që i përshtatet nevojave të jetës;
• Qartësia e objektivave: matja e rezultateve dhe ndikimi në punë, e jo thjesht koha e kaluar;
• Fuqizimi i njerëzve në nivele më të ulëta për të marrë vendime të shpejta;
• Qëllimi: theksi në misionin dhe vlerat që drejtojnë kompaninë dhe se si punonjësit mund të kontribuojnë;

Një mënyrë për të realizuar qëllimet brenda dhe jashtë ndërtesës, është që t’i fuqizoni ekipet që ta kalojnë një pjesë të kohës së tyre për të menduar për mënyrën se si ata mund të ndihmojnë për ta bërë një ndryshim në komunitetet e tyre – tani dhe për të ardhmen. Kjo mund të bashkojë dhe frymëzojë njerëzit dhe të krijojë ide të mira për inovacion, kur vëmendja kthehet në të ardhmen e biznesit.

Për më tepër informacione, pyetje, për trajnime individuale ose të dedikuara për kompaninë tuaj, mund të më kontaktoni në adresat e mëposhtme:
Email: denis.gafuri@smardonline.com
Twitter: @DenisGafuri
LinkedIn:
https://www.linkedin.com/in/denis-gafuri-1a174334
Facebook: https://www.facebook.com/denis.gafuri