LAJMI I FUNDIT:

Historia e koalicioneve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës

Historia e koalicioneve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës

Ligjvënësit dhe kabineti qeveritar i vitit 2008 hyri në histori me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ishte vendimi më i madh që u mor atë kohë dhe në gjithë historinë e Kuvendit të Kosovës, por ajo legjislaturë nuk ia doli të përfundojë mandatin. Për 12 vjet shtet, Kosovës nuk iu dha një ekzekutiv i qëndrueshëm sa t’i përballojë katër vjet jetesë. Për të gjithë këto vite në vend u mbajtën edhe katër palë zgjedhje.

Në zgjedhjet e vitit 2007, tre muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, PDK kishte dalë e para duke marrë numrin më të madh të deputetëve. Me 34 ulëset që siguroi në Kuvendin e Kosovës, kjo ishte edhe fitorja parë e PDK-së në zgjedhje dhe humbja e parë e LDK-së. Mirëpo, kjo e fundit vazhdoi të qëndronte në pushtet. PDK kishte lidhur koalicion me LDK-në që kishte 28 deputetë. Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës. Opozita e asa j kohe ishte formuar nga AAK me 13 deputetë, AKR me 9 dhe LDD me 9. Ky koalicion mbijetoi deri në vitin 2010.

Koalicioni 2010


Në këto zgjedhje garës i hyri edhe një subjekt tjetër. Lëvizja Vetëvendosje deri në atë kohë kishte qenë vetëm organizatë që njihej për aksione politike e protesta. Si “fillestarë” në skenën politike nuk arritën të marrin më shumë se 13 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi edhe një herë mori besimin e qytetarëve, duke siguruar 32 ulëse, derisa LDK tri më pak.

PDK në atë kohë kishte lidhur koalicion me Aleancën Kosova e Re që udhëhiqej nga Behgjet Pacolli.

As ky koalicion nuk arriti të përfundojë mandatin qeverisës katërvjeçar. Kjo qeveri shkoi deri në 2014, kur Qeveria e drejtuar nga Thaçi e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Koalicioni 2014

Partia e Hashim Thaçit edhe në këto zgjedhje mori besimin më të madh të qytetarëve. Në 2014, PDK ishte rritur, duke marrë 36 ulëse në Kuvendin e Kosovës e përcjellë nga LDK me 33 ulëse, Vetëvendosje me 16, AAK me 8 dhe Nisma me 6 të tillë.

LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, që në skenën politike njihen si VLAN, aso kohe ishin barrikaduar kundër PDK-së. Ata kishin deklaruar që nuk do të qeverisin me PDK-në. Këto katër parti kishin formuar koalicion, ku ishin shumicë dhe provonin të krijonin Qeverinë, me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte parë jo-kushtetuese aktin e partive jo-fituese të zgjedhjeve dhe ua kishte pamundësuar atyre marrjen e drejtimit të qeverisë. Sipas Kushtetuses, mandati për të krijuar qeverinë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, e që në këtë rast ishte PDK.

Kështu vendi u vendos para një ngërçi që zgjati plot 6 muaj, derisa LDK u largua nga katërshja që synonin koalicion të përbashkët.

Në dhjetor të atij viti, Isa Mustafa kishte pranuar ofertën e Hashim Thaçit, atëherë kryetar i PDK-së. Marrëveshja parashihte Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin president republike pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës.

Qeveria LDK-PDK ishte votuar në dhjetor të 2014, ku Isa Mustafa ishte votuar për kryeministër, e Hashim Thaçi fillimisht si zëvendës i tij e ministër i Jashtëm, derisa i erdhi koha për postin e presidentit.Mustafa nuk po përkrahej nga disa deputetë të partisë që udhëhiqte.

Një nga deputetët e revoltuar që nuk ia kishte dhënë besimin Mustafës, ishte Vjosa Osmani, e cila pesë vjet më vonë do të bëhej kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në maj të vitit 2017, u votua mocioni i iniciuar nga Nisma për Kosovën, duke ia marrë kështu besimin qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa. Vapa e qershorit e gjeti vendin prapë në zgjedhje t ë parakohshme.

Koalicioni 2017

Tanimë në skenën politike ishin krijuar blloqe të mëdha të koalicioneve parazgjedhore. Kadri Veseli, që për herë të parë po udhëhiqte me PDK-në pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president, kishte hequr dorë nga posti i kryeministrit. PDK ia kishte ofruar këtë post Ramush Haradinajt. PDK, AAK dhe Nisma kishin krijuar koalicionin PAN, pak minuta para se të mbyllej afati për aplikimin e koalicioneve.

Këtij koalicioni të madh, i kishte prirë një koalicion tjetër që ishte bërë disa orë më herët mes LDK-AKR dhe Alternativës.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje kishte vendosur t’i hyjë garës e vetme.

PAN doli fituese, por vështirë të krijonte qeverinë. I duheshin edhe disa vota. Në fund ishte Behgjet Pacolli, i cili bashkë me deputetët e tij dolën nga koalicioni me LDK-në dhe mbështetën Ramush Haradinajn për kryeministër.
Kësaj radhe nuk pati nevojë për mocion mosbesimi. Kreu i ekzekutivit dha dorëheqje. Ramush Haradinaj u dorëhoq nga posti i kryeministrit më 19 korrik të 2019, me arsyetimin se kishte marrë ftesë për të intervistuar nga prokuroria speciale e Dhomave të Specializuara.

Koalicioni LVV-LDK

LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin diskutuar me muaj për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor, mirëpo fillimisht nuk ishin pajtuar për postin e kandidatit për kryeministër. Vetëvendosje e donte Albin Kurtin kandidat ndërsa LDK-ja, Vjosa Osmanin. Të dy këta garuan të vetëm në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar. Kreu i LVV-së, Albin Kurti doli i pari me vota në këto zgjedhje.

PDK mori 21.2 % të votave, derisa AAK që hyri në koalicion parazgjedhor me dikur të pakënaqurit e VV, PSD, mori 11.57%.

Ndërsa Pacolli që kishte qenë determinuesi kryesor për formimin e Qeverisë, në 2017, së bashku me Nismën me “zor” kaluan pragun prej 5 për qind.

Pas ma shumë se tre muajve negociata, LVV e LDK arritën koalicionin për bashkëqeverisje. Më 2 shkurt, një ditë para seancës qe ishte thirrur për votimin e Qeverisë, këto parti kishin zyrtarizuar marrëveshjen e tyre.

Në ekzekutivin aktual, VV udhëheq me gjashtë ministri, aq sa ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy ministri i ka Lista Serbe dhe një komunitetet tjera. /kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Rohde: Gjermania ndalon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Rohde: Gjermania ndalon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Politikë
Kurti: Unë nuk mund të imponoj asociacion të komunave në Republikë, u takon vet komunave ta bëjnë atë

Kurti: Unë nuk mund të imponoj asociacion të komunave në Republikë, u takon vet komunave ta bëjnë atë

Lajme
Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Lajme
Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Lajme
Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Lajme
Kosova përballë varfërisë dhe migrimit, ekspertët kërkojnë reforma sociale

Kosova përballë varfërisë dhe migrimit, ekspertët kërkojnë reforma sociale

Sociale
Kalo në kategori