LAJMI I FUNDIT:

Mediat serbe: Për likuidimin e Arkanit u paguan 4.5 milionë marka gjermane

Mediat serbe: Për likuidimin e Arkanit u paguan 4.5 milionë marka gjermane

Mediat serbe shkruajnë sot se për vrasjen e kriminelit serb, i cili udhëhoqi njësinë paramilitare serbe “Tigrat e Arkanit”, në luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, Zhelko Razhnatoviq – Arkan, ishin paguar katër milionë e gjysmë marka gjermane dhe se shteti [Serbia] e dinte që likuidimi i tij po përgatitej.

Siç shkruan gazeta serbe “Kurir”,  detajet për vrasjen e Arkanit i kishte treguar Zoran Nikoliq – Pegla, i cili ishte një nga të akuzuarit për bashkëpunim në vrasjen e komandantit të njësisë paramilitare serbe dhe miqve të tij Milenko Mandiq – Manda  dhe Dragan Gariq – Gara.

I akuzuari Pegla, i cili ndërroi jetë në Burgun Qendror të Beogradit në vitin 2001 në rrethana të çuditshme, kishte thënë se likuidimi i Arkanit ishte planifikuar disa muaj më parë, por nuk i ka treguar emrat urdhërdhënësve. Ai tha se në Miljakovac, tek Zoran Uskokoviq – Skole  për një kohë të gjatë ishte përgatitur dhe organizuar vrasja e Arkanit, përcjell Telegrafi.


Për këtë në gjykatë kanë dëshmuar nga dy miqtë e tij, tek të cilët Pegla ishte fshehur pas vrasjes së Arkanit. Ai gjatë fazës hetimore ka përshkruar në detaje vrasjen e trefishtë në hotelin “Interkontinental” në Beograd.

Kishte thënë se në vrasje ishin përfshirë Dobrosav Gavriq – Duki, Dragan Nikoliq – Gagi dhe Milan Gjuriçiq – Miki, derisa ai ishte duke bërë roje. Më vonë ai e ka ndryshuar dëshminë e tij, por nuk e priti gjykimin, sepse vdiq në burg në rrethana misterioze.

“Ka treguar se vrasja e Arkanit ishte planifikuar disa muaj më herët dhe se shteti e dinte për këtë. E përsëriste se po punonte për shtetin, për Sigurimin Shtetëror dhe se po ndiqej nga policia. Thoshte se ishte i përfshirë në vrasjen në ‘Interkontinental’ dhe se një gjysmë ore para vrasjes së Arkanit, kishte qenë në hotel me Gagin dhe Mikin. Kishte thënë se Gagi ishte në hotel me një ‘hakler’ [pistoletë] në dorë dhe se ata ishin mafia dhe më të fuqishmit nga të gjithë dhe se pas tyre qëndronte njëfarë Skole dhe një person tjetër”, shkruan gazetaserbe, përcjell Telegrafi.

Ka treguar se në Miljakovac tek Skole  për një kohë të gjatë kishin përgatitur vrasjen e Arkanit, kanë rrëfyer miqtë e tij gjatë hetimit.

Sipas dëshmisë së miqve të tij, Pegla ka thënë se detyra e tij ishte vetëm të voziste dhe të bënte roje para hotelit.

“Më pastaj ka përmendur emrat e të personave të famshëm, të cilët qëndrojnë  pas tij, e të cilët janë funksionarë shtetërorë. Kishte thënë se Skole dhe një burrë tjetër ishin të përfshirë në vrasje dhe se rreth katër e gjysmë milion marka ishin paguar për vrasjen e tij. Ka treguar se ata të katër kishin monitoruar lëvizjet e Arkanit në hotel për një muaj e gjysmë dhe kishin bërë planin për likuidimin e tij. Madje kishte thënë se arratisjen e tyre për në Bosnje duhej ta kishte rregulluar një gjeneral nga shërbimi i Sigurimit Shtetëror. Thoshte se atij duhej t’i takonin gjysmë milioni marka”, kanë rrëfyer miqtë e tij në hetim.

Vetë Pegla  gjatë hetimit kishte thënë se ishte truproje e Gagit për 10 deri në 12 vjet dhe kishte përshkruar se si u vra Arkani.

Sipas dëshmisë, dy ose tri javë para ngjarjes, ai [Nikoliq] ishte në apartamentin e Gagit në Beogradin e Ri dhe ai atëherë i kishte thënë se, “do të ketë punë, do të jesh i kënaqur me pagesën dhe mos pyet asgjë, mos pyesni shumë për gjithçka, do të informoheni në kohën e duhur. Asgjë nuk është e tmerrshme për ty, mos shit mend. Gagi i tha që komandanti duhej të likuidohej, por nuk i tha për kënd bëhej fjalë. Mirëpo, ai Nikoliq arriti në përfundimin se bëhej fjalë për Arkanin. Gagi i tha se ai nuk do të merrte pjesë personalisht në likuidim, por detyra e tij do të ishte të bënte roje. Në ditën e vrasjes, ai mbërriti në banesën e marrë me qira nga Gavriq, Gagi dhe Miki. Në një moment, Gagi i tha që të shkonte me të në një dhomë më të vogël, ku i tha se komandanti duhej të likuidohej dhe se kishte ardhur ai moment, kurse detyra e tij ishte ta transportonte Gavriqin me veturën ‘Golf’. Ai do të duhej të ishte para hotelit, duke e bërë roje dhe ta njoftonte Gagin nëse do të paraqitej policia. Gagi dhe Miki u parkuan pas tij. Të tre hynë në hotel dhe pas një kohe të shkurtër Gagi e thirri përmes celularit dhe e pyeti, ‘a është gjithçka nën kontroll, aksioni duhet të fillojë?'”, shkruan gazeta duke cituar dëshminë e Pegles.

Brenda një intervali jashtëzakonisht të shkurtër kohor, siç deklaroi ai, ka dëgjuar një krismë, pastaj një seri të shtënash.

Pegla në pasqyrën e veturës kishte parë Mikin apo Gagin, por edhe Gavriqin duke u zvarritur në tokë sikur po vdiste. Ai kthehet drejt hyrjes së hotelit dhe mendon se Gagi e ka hedhur Gavriqin në ‘Golf’. Të nesërmen e thërret Gagi, i cili i foli në kode. Ai dëgjoi një bisedë midis Gagit dhe dikujt, të cilit i tha, “Unë jam i pastër dhe a mund të më transferosh?”, shkruan gazeta serbe.

Ai kishte dëgjuar biseda të tjera, dhe në një  prej tyre thoshte: “Kam huazuar 20 mijë marka nga ‘Grofi’, kjo do të na mjaftojë sa për fillim”, madje ai shtoi se, “a mund t’i besoj Mushicës”, që ishte njeriu që duhej të siguronte pasaportat për të ikur [vrasësit] në Perëndim, përcjell Telegrafi.

Zhelko Razhnatoviq, i njohur si Arkani ishte një kriminel serb dhe komandant i një force paramilitare gjatë luftërave në Jugosllavi,  e quajtur Garda e Vullnetarëve Serb – Tigrat e Arkanit. Ai ishte në listën e më të kërkuarve të Interpol gjatë viteve 1970 dhe 1980 për grabitje dhe vrasje të kryera në disa vende evropiane dhe më vonë u akuzua nga Tribunali i krijuar nga OKB për krime kundër njerëzimit.

Në mars 1999, prokurori i Tribunalit Ndërkombëtar Kriminal për ish-Jugosllavinë (ICTY), deklaroi se Arkani ishte akuzuar formalisht nga kjo gjykatë edhe pse akuza u publikua vetëm pas vrasjes së tij.

Sipas akuzës Razhnatoviq do të procedohej për 24 akuza të krimeve kundër njerëzimit, shkelje të Konventës së Gjenevës dhe thyerje të ligjeve të luftës.

Razhnatoviq u vra më 15 janar 200, në hollin e hotelit elitar “Interkontinental” në Beograd, një vend ku ai ishte i rrethuar nga vizitorë të tjerë të hotelit. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Evropa
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon  Trump

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Amerika
Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Evropa
Kalo në kategori