LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri që do ta lë shtetin pa brekë

Kryeministri që do ta lë shtetin pa brekë

Tre muaj më parë u njoha me një histori në dukje të rëndomtë. Disa familje i kishin dhënë me qera një ambient të përbashkët Doganës, në një rreth jo shumë larg Tiranës. Në këmbim, Drejtoria e Doganave u paguante një tarifë qiraje rreth dy milionë lekë në vit. Pagesa, sipas rregullave të shtetit, bëhej dy herë në vit, në fund të çdo gjashtëmujori. Por, si asnjëherë tjetër me parë, këtë vit Dogana ende nuk u kishte paguar qeranë e gjashtëmujorit të parë, e cila duhet të ishte shlyer në qershor.

Në fillim, kur u njoha me këtë histori mendova se do të jetë ndonjë nga ato problemet e zakonshme burokratike që ndodhin rëndom në zyrat e shtetit. Por, tani nuk jam më i sigurt. Shtetit tonë po i bien poturet dhe nuk ka më para të paguajë as kacidhet. Prej më shumë se katër muajsh, familjet që kërkojnë pagesën e qirasë nga shteti i sorrollatin sa në zyrat e Doganës në ato të Ministrisë së Financave. Para nuk ka.


Pak ditë më parë, përmes një urdhri informal, Qeveria i ka kërkuar institucioneve publike të pezullojnë tenderët e mëdhenj për shkak se buxheti nuk ka para të paguajë. Në fakt, ndalimi i tenderëve të rinj pas datës 15 tetor të çdo viti është një praktikë e konsoliduar dhe e disiplinuar me ligj. Por, këtë vit, institucionet publike janë urdhëruar të pezullojnë edhe tenderët e zhvilluara para datës 15 tetor.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Operatori i Transmetimit dhe shumë institucione të tjera, ditët e fundit kanë pezulluar thuajse të gjitha tenderët e mëdhenj që kanë hapur në muajt shtator-tetor. Kjo nuk është një situatë e zakonshme.

I ftuar në studion e Opinionit, të enjten që shkoi, kryeministri Edi Rama sfidoi gazetarët në panel të gjejnë qoftë edhe një sektor të vetëm ku punët e shtetit janë me keq sot sesa ishin në momentin kur ai erdhi në pushtet. Sfida që mori mbrapsht ishte ajo e potureve që ai vesh shpesh në daljet publike. Por, poturet e Ramës janë çështje e tij. Halli i qytetarëve janë poturet e buxhetit. Dhe, buxheti po del cullak.

Në nëntë muajt e parë të vitit, buxhetit të shtetit i mungojnë 65 milionë euro të ardhura. Por, kjo shifër paraqet vetëm një të tretën e gropës reale të financave publike. Në fillim të vitit të kaluar, Parlamenti përgjysmoi tatimin mbi dividentin duke i dhënë fuqi prapavepruese nëse taksa paguhet deri në 30 shtator. Si rezultat, këtë vit Qeveria mblodhi 100 milionë euro të ardhura nga taksa e dividentit. Nëse nuk do të ishin këto para, sot buxheti i shtetit do të ishte në vështirësi për të paguar rrogat.

Por, të ardhurat nga tatimi i dividentit janë masa one-off të cilat sjellin para vetëm një herë dhe nuk kanë karakter të qëndrueshëm. Ato thjesht sa shtyjnë krizën për vitin tjetër, kur situata buxhetore pritet edhe më kritike.

Ngadalësimi i ekonomisë dhe privilegjet fiskale për interesa të ngushta kanë shteruar burimet e të ardhurave për qeverinë, ndërkohë që shpenzimet e detyrueshme të buxhetit rëndohen nga viti në vit. Përveç pagave dhe pensioneve, tani buxheti ka dhe një faturë tjetër që rritet në progresion, atë të koncesioneve. Vitin e ardhshëm pagesa për koncesionet pritet të arrijë në mbi 150 milionë euro, sipas tabelave të vetë qeverisë, duke e shtrënguar edhe më shumë lakun e financave të shtetit.

Por, financat publike janë vetëm njëri dimension i krizës. Situata është kritike edhe në kompanitë publike, veçanërisht ato të sektorit energjetik. KESH, OST dhe OSHEE janë zhytur në një zinxhir borxhesh brenda njëra tjetrës, por edhe ndaj privatëve, i cili sa vjen dhe shtrëngohet duke u përplasur në buxhetin e shtetit.

Në vitin 2013, kur sapo kishte ardhur në pushtet, Rama akuzonte me të madhe Berishën se kishte lënë pas tokën e djegur dhe një mal me borxhe të fshehura. Por, që nga ajo kohë gjërat kanë shkuar edhe me keq.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në dy zëra – rimbursim taksash dhe punë publike – borxhet e prapambetura të shtetit kanë arritur në mbi 330 milionë euro. Nëse llogariten edhe borxhet nga vendimet gjyqësore apo zërat e tjerë, të cilat Qeveria nuk i raporton, atëherë borxhet e fshehura sot janë më të larta se sa ato që qeveria aktuale gjeti në vitin 2013. Në dy vitet e fundit, borxhet e fshehura të buxhetit janë rritur mesatarisht me 150 milionë euro në vit.

Për fat të keq, kjo qeveri ka ende dhe dy vite të tjera mandat, në fund të të cilave Shqipëria mund të ketë një kryeministër me poture, por një shtet pa brekë.

Në trend

Më shumë

"Dhëmbët, flokët e veshët" - Gani Gërmia me ndryshime drastike në pamje

Magazina
Palestinezët festojnë

Palestinezët festojnë "pranimin e marrëveshjes" nga Hamasi, ndërsa izraelitët protestojnë për kthimin e pengjeve

Botë

"Mjekët më thanë se së shpejti do të vdes", Ish-portieri gjerman tregon sëmundjen e rëndë me të cilën po përballet

Bundesliga
Tre sulmuesit që Xavi i do për të përforcuar sulmin e Barcelonës këtë verë

Tre sulmuesit që Xavi i do për të përforcuar sulmin e Barcelonës këtë verë

La Liga
Blero flet për takimin me Afronën: Kur e pashë atë duke qarë, më doli loti - edhe burrat qajnë

Blero flet për takimin me Afronën: Kur e pashë atë duke qarë, më doli loti - edhe burrat qajnë

Magazina
Bisedimet kanë nisur, Jose Mourinho befason të gjithë me skuadrën e tij të re

Bisedimet kanë nisur, Jose Mourinho befason të gjithë me skuadrën e tij të re

Ndërkombëtare
Kalo në kategori