LAJMI I FUNDIT:

“Studimi jashtë vendit është dalje nga zona e rehatisë”, Drilon Iseni tregon përvojat e tij dhe planet e OEMVP-së

“Studimi jashtë vendit është dalje nga zona e rehatisë”, Drilon Iseni tregon përvojat e tij dhe planet e OEMVP-së

Studimi jashtë vendit paraqet daljen nga “zona e rehatisë”, thotë drejtori Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) Drilon Iseni, i cili pas mbarimit të fakultetit në UEJL arriti të bëhet magjistër i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane pranë Universitetit të Amsterdamit në Holandë.

Iseni konsiderohet si njëri nga shqiptarët që ka arritur majat e karrierës në fushën e menaxhimit. Se cilat janë planet e OEMPV-së tregon ai në intervistë për Telegrafi Maqedoni.

Intervistoi: Aroma Aliti


A mund të na tregoni për eksperiencën tuaj të studimeve në Amsterdam?
Studimi jashtë vendit paraqet daljen nga “zona e rehatisë” për faktin që një individ vendos të jetojë në një vend të huaj, në një kulturë jo krejtësisht të qartë, ndërsa në rastin e Universitetit të Amsterdamit, në një universitet me renome botërore, me rangim të programit në nivel botëror në vendin e dymbëdhjetë. Në ato rrethana ju investoni dhe prisni që të merrni më të mirën – dijen nga studimet, eksperiencën nga tradita 4 shekullore e universitetit dhe rrjeti global profesional. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme (dhe e pazakontë) për mua edhe pse njihja mentalitetin e holandezëve nga përvoja e punës në Ambasadën e Holandës në Shkup. Eksperienca personale ishte ballafaqimi me një mentalitet shumë tradicional mirëpo i hapur ndaj qytetërimeve tjera. Holanda herë paraqitet si vend shumë modern, mirëpo asnjëherë s’kanë harruar atë tradicionalen, të qenurit shumë serioz në punë, shumë parimor në qëndrime, racional në kohë dhe shumë të drejtpërdrejtë, dhe më e rëndësishmja jemi ballafaquar me një koncept shoqëror të shpirtit shumë garues. Sa për ilustrim në bibliotekën e qytetit takoje nxënës të shkollave të mesme, student apo edhe profesorë të cilët paralelisht dhe pandërprerë investonin në dije. Sfida e vërtetë e fundjavës ishte të gjeje vend të lirë në leximoret e bibliotekave, e mos të flasim për ndershmërinë akademike, ku në rast se dikush zbulohet e humb të drejtën të studiojë në atë universitet për tërë jetën. Përvoja në Amsterdam ka qenë, shumë punë, jetë studentore të plotësuar, jetë kulturore të jashtëzakonshme, dhe rrjetëzim me kolegët e fakultetit. Përvojat e atjeshme veç më janë reflektim edhe në angazhimet e mia profesionale.

Kur keni filluar me punë në odën ekonomike dhe cilat kanë qenë detyrat tuaja prej atëherë e deri më sot?
Kam pasur fatin që në OEMVP të kyçem në pozitën e menaxherit operativ në një kohë kur oda kishte marrë tatëpjetën, dhe besoj se bashkë me kolegët e mi arritëm që atë zhvillim, ta avancojmë edhe më shume që rezultoi në ngritjen e reputacionit dhe besueshmërisë të Odës në çdo aspekt. Tani sfida është që të avancojmë sërish Odën në rrethana krejtësisht tjera. Në organizata të vogla, nuk ke hapësirë të kufizosh detyrimet e njerëzve, por gjithkush duhet të kontribuon në proces, andaj edhe puna ekipore është më se e nevojshme, do kisha thënë primare. Sot, jo rastësisht në gjitha kompanitë e suksesshme kapitali njerëzorë ka prioritet para konsumatorit, për faktin se një punëtor i lumtur do bëjë çmos për kompaninë duke shërbyer në maksimum konsumatorin. Pozita e menaxherit operativ është punë me përgjegjësi të madhe pasi që je përgjegjës për çdo lëvizje në institucion, apo në rastin më të mirë duhet të propozosh zgjidhje të drejtori. Ndërsa nga korriku i vitit 2017 Këshilli Drejtues i OEMVP-së ma dha privilegjin dhe përgjegjësinë të udhëheq me zyrën profesionale si drejtor ekzekutiv. Për dallim nga pozita paraprake, si drejtor gjithsesi ke përgjegjësi për çdo aktivitet në organizatë, mirëpo ajo përgjegjësi shkon më larg në nivel të harmonizimit të çdo aktiviteti me misionin dhe vizionin e Odës, në çdo moment duhet t’a kesh parasysh interesin e anëtarëve dhe paralelisht të ndjekësh politikat makroekonomike të vendit. Oda është një “oqean i sfidave” të biznesit, është organizatë që është rritur edhe me aktivitete por edhe e merr vendin e saj të duhur në krijimin e politika për zhvillim ekonomik të vendit. Në të njëjtën kohë është institucion shqiptar i cili ndërtohet në sajë të sakrificave të bizneseve shqiptarë të Maqedonisë, ky fakt na bën krenar dhe më të përkushtuar në çdo aktivitet që ndërmarrim.

Cilat janë aktivitetet më të rëndësishme që i zhvilloni për momentin në odën ekonomike?
Çdo aktivitet në Odë, është i rëndësisë së veçantë për bizneset që ne përfaqësojmë, mirëpo po ashtu organet udhëheqëse kanë vendosur përcaktimet strategjike dhe çdo aktivitet dhe projekt realizohet në pajtim këtyre përcaktimeve. Për momentin aktiviteti më i rëndësishëm është organizimi i ngjarjes së parë rajonale B2B me 18 shtator të këtij viti, ku do të jenë të pranishëm figura të shumta publike nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria si dhe bizneset nga po të njëjtat vende të cilët do të diskutojnë mbi mundësinë e tejkalimit të barrierave për rritjen e shkëmbimit tregtar mes këtyre vendeve. Pjesë tjetër e rëndësishme është edhe takimet B2B mes bizneseve nga rajoni që do të organizohen në Shkup. Pasi që Telegrafi është portal rajonal unë do të shfrytëzoj rastin që të ftoj bizneset nga Shqipëria dhe Kosova të na bashkëngjiten në këtë ngjarje të këtij lloji, Oda është në shërbim për çdo nevojë logjistike. Është ngjarje që synojmë t’a bëjmë tradicionale, të promovojmë bashkëpunimin e jo barrierat si dhe të promovojmë një frymë të re të bashkëpunimit ndër-shtetëror.

Një aktivitet tjetër tejet i rëndësishëm është eventi tash më tradicional i Odës, “TOP 100”, ku bëhet përzgjedhja e kompanive më të suksesshme shqiptare. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i sipërmarrësisë, pasi që është me rëndësi thelbësore përqendrimi në shfrytëzimin e potencialit vendas të sipërmarrjes. Gjithashtu, aktivitet tjetër është edhe “Sipërmarrësi i vitit”, ku bëhet promovimi i ndërmarrësve më të suksesshëm në vend. Të dy aktivitetet dallojnë në aspekt të metodologjisë së përzgjedhjes së fituesve mirepo janë në linjë me përcaktimin e tretë strategjik të promovimit të sipërmarrësisë, inovacionit dhe rajonalizimit të bizneseve.

OEMVP realizon edhe shumë projekte kryesisht të financuara nga USAID dhe Bashkimi Evropian, që kanë për qëllim të ndihmojë anëtarët e saj në lobimin e rregullativës afariste të favorshme për bizneset, në sjelljen e politikave dhe strategjive të ndryshme për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme. Po ashtu, Oda më shumë se një vit realizon një projekt për përmirësimin e paletës së shërbimeve të anëtarësisë së Odës, projekt i cili shënon shumë suksese pasiqë me shërbimet e reja siç janë platforma digjitale B2B, programi për zgjerim të tregut dhe desku i shërbimeve të anëtarësisë ka shtuar interesin e anëtarëve të Odës dhe rrjedhimisht ka ngritur besueshmërinë e saj tek anëtarët.

Në aspekt të zhvillimit ekonomik të vendit, OEMVP vazhdon të jetë partner institucional i Forumit Ekonomik Botëror për Indeksin Global të Konkurrueshmërisë, si raport më kredibil në botë për klimën e biznesit të një vendi, me këtë aktivitet Oda është etabluar edhe në aspekt ndërkombëtar.

Sa kanë hapësira të rinjtë në OEMVP?
OEMVP edhe në strategjinë e saj, por edhe në projektet vetanake promovon modelet e suksesit si motiv për kyçjen e të rinjve në biznes, veçanërisht këtë përkrahje e bën përmes Qendrës për përkrahje të bizneseve “Create Hub” që ju mundëson përkrahje dhe mentorim të bizneseve të reja kryesisht të atyre që gravitojnë në komunat nga rajonet më pak të zhvilluara. Është koncept i zhvilluar nga oda dhe i përkrahur nga ekspertë amerikan.

Në aspekt të mundësive për punësim OEMVP është trampolina më e mirë profesionale për të rinjtë dhe profesionistët e vendit. Kemi programin për punë praktike ku të rinjtë nga unviersitetet e vendit bëjnë punë reale në Odë, me orar të plotë dhe me hapësirë maksimale për të dëshmuar vetën, ata angazhohen në aktivitetet e Odës si dhe në pjesën e analizave ekonomike. Shumicës prej tyre ju ofrohet edhe ndonjë angazhim në projektet e Odës. Gjatë punës praktike në Odë, njoftohen nga afër me funksionimin e punës së bizneseve, me të cilën fitojnë një pasqyrë reale për ekonominë në vend; po ashtu Oda ju mundëson vendosjen e kontakteve me institucione të shumta, duke nisur nga ato shtetërore e deri tek ato të huajat, gjë të cilën te ne e mundësojnë shumë pak organizata. Kemi rast që një praktikant ka mbërritur edhe pozitën e menaxherit operativ, dhe shumë të tjerë që kanë vazhduar studimet jashtë shtetit apo janë punësuar në kompanitë anëtarë të Odës. OEMVP ngadalë por sigurt etablohet në një “akademi” për nxjerrje të profesionistëve të rinj.

Sa anëtarë ka OEMVP dhe cilat janë detyrimet dhe përfitimet e tyre?
OEMVP numëron rreth 1,800 anëtarë dhe vazhdon të rritet çdo ditë e shumë. Oda, edhe pse buron nga bizneset e Maqedonisë Veriperëndimore, me reputacionin që ka, sot ka arritur të tërheq edhe kompani nga Maqedonia lindore apo edhe jugore. Përfitimet që anëtarët e OEMVP i kanë janë të shumta dhe paleta e shërbimeve çdo ditë e më shumë po ritet. Në parim Oda jep shërbime informative dhe logjistike, më tutje ndihmon në certifikim me ISO standarde dhe mbrojte të pronësisë industriale, ofron trajnime dhe certifikatën e origjinës të nevojshme për eksport. Nëpërmjet deskut të shërbimeve të anëtarësisë Oda ofron informata të detajuara mbi shërbimet që ju ofrojmë anëtarëve, mbi obligimet ligjore që kanë kompanitë si dhe mbi mundësitë alternative të financimit. OEMVP është organizatë që ka mision të lobojë dhe përfaqësojë bizneset anëtare pranë institucioneve shtetërore. Këtë periudhe OEMVP udhëheq me Platformën për Dialog Publiko Privat me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut së bashku me Odën e Maqedonisë, Lidhjen e Odave të Maqedonisë dhe Odën e teknologjive informative – MASIT . Për anëtarësinë e saj, OEMVP publikon edhe informatorët: Juris, Economicus dhe Dobia. Nga ky vit, OEMVP është duke funksionalizuar platformën digjitale B2B, bwall.biz ku anëtarët e odës munden të inicojnë bashkëpunime mes veti duke bërë oferta të ndryshme si dhe duke promovuar biznesin e tyre. Ndërsa, anëtarët ndaj OEMVP-së nuk kanë asnjë detyrim, vetëm që nëse shprehin dëshirë të anëtarësohen në OEMVP duhet të paguajnë një shumë të caktuar anëtarësie. Do të theksoj këtu faktin se për bizneset start-up dhe ato të udhëhequra nga gratë, Këshilli Drejtues i liron nga anëtarësia tërësisht apo vetëm për një periudhë të caktuar.

Planet për të ardhmen?
OEMVP është duke realizuar planin vjetor për 2019, ajo që është e re këtë periudhë, me intesitet të madh jemi duke punuar në vendosjen e komunikimit direkt më anëtarësinë nëpërmjet “road-shoë” ku trajtimi i problemeve është më i personalizuar dhe feedback-u është shumë pozitiv. Në periudhën deri në fund të vitit, Këshilli Drejtues në komunikim me anëtarësinë do të vendos mbi strategjinë e re 4 vjeçare. Një prioritet i Odës që nga themelimi ka qenë Diaspora, por jo si fenomen social por si potencial për zhvillim ekonomik të vendit. Tregu vendor është shumë i kufizuar dhe kompanitë anëtare kanë nevoje për zgjerim tregjesh, sepse kanë teknologji dhe kapacitet prodhues ndërsa plasmani i të njëjtëve ngec. Këtë potencial të diasporës, dhe trendin pozitiv të ngritjes së kapaciteteve të kompanive vendore, dhe kërkesës për produkte të ndryshme në tregun Evropian do të ndërlidhim me disa aktivitete të ndryshme në vitin e ardhshëm. Planifikojmë të dërgojmë kompani nga Maqedonia e Veriut në vende të Evropës si dhe do të sjellim biznesmen nga diaspora për të vendosur bashkëpunim me anëtarësinë e OEMVP.

OEMVP synon të ndjek trendet zhvillimore botërore, jo rastësisht periudhës që i paraprijmë do të përqendrohemi në promovimin e platformës digjitale B2B e cila është e para e kësaj lloji që dizajnohet nga një odë ekonomike dhe që potencialisht do të ndërlidh 2000 biznese, fillimisht nga Maqedonia e Veriut e më vonë edhe nga rajoni. Me një fjalë shërbimet e Odës dhe aktivitet e planifikuar për vitet 2020 dhe 2021 janë një rrjedhim logjik i përkrahjes institucionale që japim tek anëtarët tanë për veprimtari të tyre në pajtueshmëri me ligjet, duke përkrahur bizneset në procedurat e aplikimit për fonde alternative, duke promovuar sipërmarrësinë dhe prodhuesit vendor në zgjerimin e tregut të tyre apo atë që e quajmë në përcaktimin strategjik rajonalizim të bizneseve./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Kalo në kategori