LAJMI I FUNDIT:

Brexit-i i Boris Johnsonit

Brexit-i i Boris Johnsonit

Anatole Kaletsky

Tani që Boris Johnson ka arritur ambicien e tij të jetës për t’u bërë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, tragjikomedia e Brexit-it po i afrohet kulmit të tij. Ndërsa pjesa tjetër e Bashkimit Evropian e ka parë këtë gjë me një lloj tmerri, ka lajme të mira dhe lajme të këqija në apoteozën e Johnsonit.

Lajmi i keq është se largimi pa një marrëveshje nga Bashkimi Evropian, që Johnsoni e mbështeti për të fituar udhëheqjen e Partisë Konservatore Eurofobike, mund të shkaktojë një ndalesë të papritur në veprimtarinë ekonomike në krahasim me katastrofën që pasoi dështimin e Lehman Brothers në vitin 2008. edhe pse kjo ndalesë ekonomike mund të prekë vetëm bizneset tregtare në Britani, dhe të prodhojë një lloj kompromisi BE-Mbretëri e Bashkuar brenda disa javësh apo muajsh, në krizën financiare të vitit 2008 mësuam se edhe një ndërprerje e shkurtër e marrëdhënieve normale tregtare në një pjesë e ekonomisë mund të kumbojë për shumë vite.


Lajm i mirë është se Johnson është një politikan shumë i zgjuar dhe më i shkathët sesa paraardhësja e tij, Theresa May. Dhe, pesimizmi rreth perspektivave të Britanisë është bërë kaq i përhapur, saqë çdo përfundim i Brexit-it përveçse një largimi pa marrëveshje tani do të ishte një surprizë pozitive, duke shkaktuar një rilindje ekonomike jo vetëm në Britani, por në të gjithë Evropën. Po, Britania do të vuajë në afat të gjatë nga çdo version i Brexit-it. Por, në çdo version të Brexit-it, përveç atij pa “asnjë marrëveshje”, dëmi afatshkurtër do të kompensohej nga një rimëkëmbje të biznesit dhe konsumatorit, pasi rreziqet e shkëputjes totale u zëvendësuan papritur nga siguria e një periudhe të gjatë tranzicioni në të cilën marrëdhëniet ekonomike të Britanisë me Evropën do të mbeteshin pothuajse të pandryshuara.

Në këtë skenar, ndryshimet e politikave në të dyja anët e Kanalit mund të jenë më të mëdha sesa dëmi strukturor i Brexit në Britani dhe te partnerët e saj tregtarë. Mbretëria e Bashkuar do të përfitonte nga një stimul ciklik i premtuar nga Johnsoni në formën e shpenzimeve më të larta publike dhe shkurtimeve të taksave. Pjesa tjetër e Evropës, veçanërisht Gjermania dhe Franca, do të përfitonin nga mundësitë tregtare nga politikat e reja të BE-së që do t’i nxirrnin konkurrentët britanikë jashtë tregut të vetëm në industri fitimprurëse si financa, media, farmaceutika, mbrojtja dhe industria e automobilave.

Atëherë, cili është probabiliteti i një rezultati të rregullt dhe i një periudhe të gjatë tranzicioni, në krahasim me një largim të papritur katastrofik?

Tregjet e basteve politike tani shprehen se shanset për një largim pa marrëveshje janë 33% dhe disa analistë financiarë e vlerësojnë atë deri në 50 për qind. Kjo nuk është ndonjë surprizë, pasi Johnson ia kushtoi shumicën e fushatës së tij normalizimit të idesë për largimin nga BE-ja pa asnjë marrëveshjeje. Megjithatë, ka të paktën tre arsye pse një Brexit pa marrëveshje mbetet shumë i vështirë, pavarësisht Johnsonit – ose ndoshta për shkak të tij.

Fillimisht, votat parlamentare janë më të larta se kurrë kundër një rezultati pa marrëveshje. Të gjitha partitë e opozitës janë më të bashkuara kundër Johnsonit sesa ishin kundër Theresa May, ndërsa shumica e tij parlamentare efektive është reduktuar në vetëm dy ose tre deputetë. Pra, në parim, do të duheshin vetëm dy konservatorë dezertues për të rrëzuar qeverinë e Johnson dhe të shkaktuar një zgjedhje të përgjithshme. Me 40 deputetë konservatorë që votuan këtë muaj për të dobësuar taktikat negociuese të Johnsonit, ka mjaft disidente të mundshme për të rrëzuar qeverinë e tij, nëse kjo është e nevojshme për të shmangur një largim pa “asnjë marrëveshje”. Dhe nëse do të mbaheshin zgjedhje përpara se Johnsoni të mund të ribashkojë partinë e tij duke dhënë një version të Brexit-it, ai me shumë gjasa do të humbiste, duke u bërë kryeministri me periudhën më të shkurtër në këtë post në historinë britanike. Provokimi i një rebelimi midis kundërshtarëve të një Brexit pa marrëveshje është një rrezik shumë më i madh për Johnson sesa mërzitja e eurofobëve që sabotuan ish-kryeministren May.

Së dyti, Johnson ka një mjet për të shmangur një këputje që nuk ishte në dispozicion për Theresa Mayn. Nëse ai do të mund të bindte udhëheqësit e BE-së që të ofronin disa ndryshime të vogla kozmetike në marrëveshjen e largimit të Theresa May, Johnson pothuajse me siguri do ta bindte parlamentin të miratojë marrëveshjen e tij “të re”. Kjo është për shkak se euroskeptikët fanatikë të vendosur për ta zëvendësuar ish-kryeministren May me një “pro-Brexit” të vërtetë, tani nuk do të kishin zgjedhje tjetër përveçse të votonin për marrëveshjen e Johnsonit ose të rrezikonin një zgjedhje në të cilën ata mund ta humbnin plotësisht Brexit-in. Ndërkohë, shumë pro-evropianë në të dyja partitë kryesore që kishin shpresuar më parë për ta parandaluar Brexit-in, tani do të mbështesin pothuajse çdo marrëveshje të negociuar, vetëm për të shmangur një makth të pafavorshëm.

Prandaj, kërcënimi kryesor vjen nga ana e BE-së. A do t’i japin liderët evropianë Johnsonit mjaftueshëm lëshime për ta kthyer “derrin e marrëveshjes së Theresa May” në “Boris sjell në shtëpi proshutën”? Përgjigjja është ndoshta po. Udhëheqësit e BE-së janë pothuajse po aq të dëshpëruar sa Johnson për t’i dhënë fund sagës Brexit – dhe Johnson ka nevojë vetëm për një lëshim të vogël: një ndryshim në “pengesën irlandeze” e projektuar për të garantuar një kufi të hapur në Irlandën e Veriut.

Për shkak se çështja e kufirit i intereson vetëm Irlandës, BE-ja do të udhëhiqet nga interesat e qeverisë irlandeze. Dhe është e vështirë të kuptohet pse qeveria irlandeze do të preferonte sigurinë e dëmtimit të menjëhershëm të interesave ekonomike dhe të sigurisë të Irlandës në një Brexit pa marrëveshje sesa një zbutje të lehtë të “pengesës irlandeze” që do të garantonte një periudhë të gjatë tranzicioni në të cilën asgjë nuk do të ndryshonte. Siç theksoi së fundmi Pat Leahy, një komentues i njohur i Irish Times: “A nuk është mundësia e kontrolleve kufitare për disa vjet më e mirë sesa siguria e kontrolleve më 31 tetor?” Më mirë akoma nga pikëpamja irlandeze, gjatë periudhës së tranzicionit që pas një Brexit-i të rregullt, Britania do të ishte e etur për të negociuar një marrëveshje të përhershme tregtare me BE-në, e cila do ta vendoste Irlandën në një pozitë edhe më të fortë për të këmbëngulur për kushtet për një kufi të hapur.

Kjo çon në një arsye të tretë për të vënë bast kundër një rezultati pa marrëveshje: deklaratat dhe stilin politik të vetë Johnsonit. Teksa Johnsoni ka premtuar në mënyrë të përsëritur largimin nga BE-ja në tetor “me ose pa një marrëveshje”, ai gjithashtu është shprehur se mundësia e një largimi pa marrëveshje është “një në një milion”, sepse ai është i sigurt për një negociatë të suksesshme me BE-në.

Pse bota e pranoi premtimin e Johnsonit për “me ose pa marrëveshje” si një të vërtetë absolute, duke e hedhur poshtë parashikimin e tij për një Brexit të dakorduar si dëshirë të pavend? përqendrimi në ambiciet personale dhe minimizimi i premtimeve, që zakonisht ka qenë mënyra më e mirë për të parashikuar veprimet e Johnson, sugjeron një përfundim të kundërt.

Nëse Johnsoni zgjedh për një Brexit pa marrëveshje, ai rrezikon fatkeqësinë çfarëdo që të ndodhë: një shkrirje ekonomike nëse ai arrin të anashkalojë opozitën parlamentare dhe të ofrojë largimin e premtuar dhe zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, nëse parlamenti e bllokon atë. Nëse, nga ana tjetër, ai vërtet përpiqet të negociojë një marrëveshje të rregullt largimi, Johnson mund të ofrojë ende një Brexit simbolik deri në afatin që ai ka vendosur, në tetor, por gjithashtu të sigurojë periudhën e tranzicionit që i nevojitet dëshpërimisht Britanisë.

Ringjallja e besimit të biznesit që vjen nga kjo do të lejonte atëherë një buxhet bujarë shkurtimi taksash, dhënien e shpenzimeve publike dhe stimul fiskal kejnesian, duke hapur rrugën për zgjedhje të përgjithshme pranverën e ardhshme që Johnsoni do të ishte pothuajse i sigurt se do t’i fitojë me një shumicë të madhe. Për një të shthurur politik parimi i vetëm i qëndrueshëm i të cilit ka qenë paqëndrueshmëria, një Brexit i rregullt, i negociuar me siguri do të ishte opsioni i preferuar, pavarësisht premtimeve të pakujdesshme ndaj eurofobëve që e sollën atë në pushtet. /Project Syndicate/BIRN/