LAJMI I FUNDIT:

Gjenocidi, fjala e mohuar

Gjenocidi, fjala e mohuar

“Serbia nuk i madhëron krimet e luftës dhe as që anon kah revizionizmi”, ka thënë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, një ditë pasi që deputeti i partisë në pushtet, Partisë Progresiste Serbe (SNS), Vladimir Gjukanoviq, ia ka uruar “popullit serb, ditën e çlirimit të Srebrenicës”.

Bërnabiq edhe një herë ka refuzuar që ngjarjen në Srebrenicë ta quajë me emrin gjenocid, duke thënë se shërbehet me deklaratën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën ajo fjalë nuk përmendet.

“Si kryeministre e Qeverisë së Serbisë, mund të shërbehem vetëm me atë që e ka thënë trupi më i lartë ligjdhënës, Kuvendi i Serbisë, përmes Deklaratës për dënimin e krimit në Srebrenicë”, theksoi Ana Bërnabiq dhe shtoi që shprehë “ngushëllimet e thella dhe dhembshuri me familjet dhe miqtë e viktimave”.


Ofendimet nga pozitat e larta

Në ditën kur në Qendrën komemorative në Potoçari janë varrosur edhe 33 viktima të gjenocidit, nga ana e partive politike në pushtete, në Beograd, janë dëgjuar sërish porosi që miratojnë dhe ofendojnë viktimat, që përjashtojnë përgjegjësinë, si dhe porosi, të cilat po përsëriten tash e disa vite pa ndonjë pasojë, në ditën kur shënohet 11 korriku.

Deputeti i Partisë Progresiste Serbe, Vladimir Gjukanoviq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “nuk do të distancohet” nga urimi për “ditën e çlirimit të Srebrenicës” dhe falënderimi për “gjeneralin Ratko Mladiq, për realizimin brilant të operacionit ushtarak ‘Krivaja 95’”, të cilat i kishte shënuar në faqen e tij në rrjetin social Twitter.

Partia Progresiste Serbe, në krye të së cilës është kryetari i shtetit, Aleksandar Vuçiq, nuk është distancuar nga kjo paraqitje e deputetit të tij.

Ndonëse, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë nuk është vepër penale në Serbi, nga Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje lidhur me pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se a do të mund të ngitet proces ndaj deputetit Gjukanoviq, për shkak të gjuhës së urrejtjes.

“Kjo nuk është hera e parë që shprehet gjuha e urrejtjes, sidomos para dhe gjatë 11 korrikut. Megjithatë, sa kam unë njohuri, organet shtetërore nuk kanë reaguar asnjëherë dhe nuk e kanë sanksionuar askënd”, thotë Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Srebrenica, gjatë ditës kur është shënuar përvjetori i gjenocidit, ka qenë temë edhe në Kuvendin e Serbisë, prej nga edhe i dënuari si kriminel lufte, deputeti dhe lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshelj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të mbledhë të dhënat që“t’i tregojë opinionit botëror që në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocidi” dhe se e gjithë kjo është “mashtrim”.

Në të njëjtën ditë, ministri për Teknologji dhe Zhvillim i Qeverisë së Serbisë, Nenad Popoviq, ka porositur që “për shkak të vënies së kushteve të reja dhe poshtëruese, me të cilat kërkohet që Serbia të pranojë gjenocidin e rrejshëm në Srebrenicë, në mënyrë që të përparojë në rrugën drejt BE-së, është e domosdoshme që të rishqyrtohet procesi i mëtutjeshëm i integrimeve evropiane me qëllim që të mbrohen interesat kombëtare të Serbisë dhe popullit serb”.

Duke reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, i cili ka thënë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka theksuar që “nuk pranon që ambasadori i Gjermanisë t’u flasë serbëve se çfarë të mendojnë dhe të bëjnë, e në veçanti që t’u flasë se çka është gjenocidi”.

Nderime për viktimat kanë bërë ambasadorët dhe organizatat joqeveritare

Pikërisht ambasadorët e Gjermanisë, SHBA-së, Norvegjisë, Italisë dhe Australisë në Beograd, kanë qëndruar pranë përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe personaliteteve publike, të cilët të enjten, në parkun para objektit të Presidencës së Serbisë, kanë ndezur qirinj për viktimat e gjenocidit. Qetësinë e thyenin thirrjet ofenduese të një grupi të njerëzve, të cilët përpara parkut u mblodhën të veshur me fanella me simbole nacionaliste dhe me figurën e Ratko Mladiqit, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë dhe për krimet tjera.

Policia i ka penguar ata që t’iu afrohen pjesëmarrësve, por në vazhdim, kanë ndërhyrë gjatë zhvillimit të shfaqjes “Srebrenica. Kur ne të vrarët ngritemi”, në objektin e universitetit “Themelet e Kolaracit”.

Pas përplasjeve verbale me regjisorin Zlatko Pakoviq dhe aktorët, policia i ka nxjerrë ata jashtë objektit.

Historiani, Milovan Pisar, vlerëson që qasja e strukturës në pushtet ndaj gjenocidit, i ka dhënë legjitimitet grupeve, të cilat e kanë ndërprerë shfaqjen e Pakoviqit.

“Kjo është klima që është krijuar gjatë viteve të fundit dhe është shumë më e keqe nëse këtë e bëjnë përfaqësuesit e partisë në pushtet, sepse është Qeveria ajo që, siç duket, nuk dëshiron të përballet me të gjitha konkluzat që janë sjellë, jo vetëm lidhur me Srebrenicën, por në përgjithësi për luftën në Bosnjë. Kështu që, është reale që gjëra të tilla të priten edhe më shpesh”, theksoi Pisar.

Dënimet për shkak të kundërshtimit të madhështimit të kriminelëve

Përderisa praktika gjyqësore nuk njeh raste në të cilat porositë e këtilla janë sanksionuar, në disa rrethana ka ndodhur e kundërta. Kur në vitin 2015, në tribunën e partisë në pushtet (Partisë Progresiste Serbe) kishte folur Veselin Shljivançanin, i dënuar për krime të luftës në Vukovar, një grup i aktivistëve të Iniciativës së të rinjve për të drejta të njeriut, që e kishte kundërshtuar promovimin e kriminelëve të luftës, ishin sulmuar fizikisht dhe më pas edhe ishin dënuar për shkak të thyerjes së rendit dhe qetësisë publike.

“Me këtë vendim të gjykatës, jo vetëm që janë dënuar aktivistët për të drejta të njeriut, por në hapësirën publike ishte dërguar edhe porosia që dhuna është e pranueshme, ndërkaq që madhështimi i kriminelëve të luftës, nuk do të dënohet në asnjë mënyrë në këtë shoqëri”, thotë Jasmina Lazoviq, e cila ka qenë në mesin e aktivistëve, të cilët e kanë kundërshtuar paraqitjen Shljivançaninit për të mbajtur fjalim të tribunë.

Kongo e ndaluar, Srebrenica e lejuar

Në qoftë se në Serbi doni të mohonit gjenocidin në Kongo, do të bënit vepër penale dhe do të mund të përfundonit në burg. Por, asgjë, ndoshta edhe më pak se kjo, nuk do t’ju ndodhë në rast se mohoni gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe nën komandën e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq, kanë vrarë më shumë se 8 mijë boshnjakë.

Ndryshimet që janë sjellë në Ligjin Penal të Serbisë, në vitin 2016, thonë që mund të dënohet ai që publikisht miraton ose mohon ekzistencën e gjenocidit ose e zvogëlon rëndësinë e tij, përveç në rastet kur gjenocidi është i vërtetuar në aktvendimet e gjykatave në Serbi ose në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, gjë që përjashton aktvendimet e Tribunalit të Hagës.

“Pra, mund të mohohet gjenocidi, i cili është bërë në Srebrenicë, por nuk guxon të mohohet gjenocidi që është bërë në Kongo. Në fakt, kjo është qasja e autoriteteve tona dhe shoqërisë tonë në raport me vendimet e Tribunalit të Hagës dhe gjenocidin që është bërë më 1995 në Srebrenicë. Po të ekzistonte vullneti, që njëmend t’i dilet përballë mohimit dhe ri-interpretimit të fakteve që janë vërtetuar në vendimet e Tribunalit të Hagës, ka qenë rast i mirë kur kanë ndodhur ndryshimet e Kodit Penal, por kjo nuk ka ndodhur”, thotë Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Për çdo vit, në përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, organizatat joqeveritare në Serbi mbesin pa përgjigje në kërkesat e tyre që shteti i Serbisë të respektojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare, provat e vërtetuara gjyqësore, që ta pranojë gjenocidin dhe që mohimi i tij të kualifikohet si vepër penale, si dhe që 11 korriku të shpallet në Serbi si Ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Në trend Botë

Më shumë
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Evropa
Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Azia
Spanja përgatit udhëzuesin për të ndihmuar qytetarët t'i përgjigjen rreziqeve që lidhen me një luftë të mundshme

Spanja përgatit udhëzuesin për të ndihmuar qytetarët t'i përgjigjen rreziqeve që lidhen me një luftë të mundshme

Evropa
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Evropa
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Shtetet evropiane zotohen se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare - Netanyahu do të arrestohet

Shtetet evropiane zotohen se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare - Netanyahu do të arrestohet

Evropa
Kalo në kategori