LAJMI I FUNDIT:

Jeta nuk është filozofi

Jeta nuk është filozofi

Jetën mund ta kuptojmë vetëm duke u kthyer mbrapa, por e jetojmë vetëm duke parë para. (Sorent Kieerkegaard)

Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com


Jeta nuk është filozofi. Ajo është e paparashikueshme, enigmatike. Për ta kontrolluar duhet të kemi një qëndrim ndaj jetës, qëndrimi është mendja jonë, ndërsa jeta është ajo fizike që e prekim, e shijojmë, ajo ekziston jashtë mendjes.

Qëndrimet janë paragjykimet tona, fantazitë tona, jeta nuk është e tillë, përkundrazi jetojmë jetën, shijojmë jetën, materializojmë jetën për të mirën tonë, por shumë pak bëjmë llogari. Atëherë ju mund ta shijoni veten, ju mund t’i zbuloni mundësitë e pakufishme, atëherë ju jeni vetvetja, i prekshëm i arritshëm, jeta për ju do të jetë një mrekulli.

Qëndrimi juaj është ndërtuar sipas traditës, sipas ideologjisë suaj. Ajo çka merrni ju nga vetja, nga jeta, nuk është asgjë. Vetë keni dalë në këtë jetë, vetë do të shkoni nga kjo jetë.

Unë dua t’ju them se jeta është shumë e mirë, për ata që dinë e shfrytëzojnë, të mirat janë të pafundme, jeta nuk është vuajtje. Nëse ajo bëhet vuajtje, askush nuk është fajtor. Ajo është rezultat i punës suaj, por në rastin e kundërt, jeta është gëzim dhe lumturi.

Pse të mos i lejohet jetës të vallëzojë, të këndojë pa menduar të kërkohet diçka prej saj, përse nuk i shohim lulet, përse nuk e ndjejmë, shijojmë aromën e bukur, përse jetojmë me pesë për qind të informacionit në brendësinë tonë.

Çdo gjë që është e rrezikshme që ne e konsumojmë, çdo gjë që është e lumtur, e gëzueshme ne nuk e konsumojmë. Mirëpo, të jetosh vetëm për pesë për qind, do të thotë të mos e shijosh jetën fare. Atëherë pse jeton për pesë për qind.

Ka shumë pse të mos i lejohet jetës të këndojë, të vallëzojë, pse duhet t’ia imponojmë idetë tona jetës, shumë e rrezikshme është t’i imponohesh jetës sonë ide.

Ne të gjithë mbajmë njëfarë qëndrimi ndaj jetës, ne të gjithë shikojmë nga një këndvështrim i caktuar dhe prandaj jeta jonë fillon të varfërohet, sepse në rastin më të mirë mund të jetë vetëm e njëanshme, e papërcaktuar, mirëpo jeta është shumëdimensionale.

Mos e merrni jetën si një problem, ajo është fshehtësi e dashurisë.

Jeta është liri, jeta është gëzim, është lumturi, për ata që dinë ta shijojnë, ju mund ta shijoni por dhe mund ta pikturoni, mund ta bëni vuajtje, ju jetën mund ta shndërroni në ferr, e gjithë kjo varet prej jush: njeriu këtu është i lirë, ka liri të plotë veprimi.

Zgjedhja mbetet pas jush, kjo është një ndër dhuratat më të mëdha të Zotit. Zoti njeriun e ka shpërblyer me mendje, kurse kafshët, insektet janë në program të gatshëm, të programuar. Përveç njeriut, çdo gjë është e programuar.

Njeriu është krejtësisht i lirë, këtu është edhe bukuria e njeriut, madhështia e tij. Jeta, liria është dhurata më e madhe, por është edhe obligimi i madh ndaj vetes dhe ndaj Zotit. Ju pasi jeni të lirë duhet ta krijoni vetveten, të jeni vetë krijues. /Telegrafi/