LAJMI I FUNDIT:

Çunat problematikë

Çunat problematikë

Fatos Çoçoli

Përgjimet e fundit të botuara nga gazeta e mirënjohur gjermane “Bild”, hedhin dritë mbi anën e errët të “hënës” zgjedhore tek ne. Pra, të të gjitha ecejakeve të fshehta ose të hapura në sytë e banorëve, sidomos atyre të fshatrave, gjatë zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme. Të përpjekjeve dhe përçapjeve të “agjentëve” të partisë në terren për të bindur me pahir njerëzit te votonin për atë parti që kishte pushtetin. Edhe me kërcënime të hapura apo të fshehura për humbje të vendit të punës në administratën shtetërore (në rastin konkret të punës si mësues në shkollat e Dibrës). Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Dibër në vitin 2017. Ka kohë që ndodh. Që nga “loja e Dushkut” 16 vite më parë.

Pra, po ndodh në afër dy dekadat e fundit. Denoncimet e ndërkombëtarëve ndaj mekanizmave të panumërt të ndikimit abuziv mbi të drejtën e qytetarit për të ushtruar i lirë zgjedhjen e tij se cilës parti do t’ia japë votën, kanë qenë jo shteruese. Pa kapur raste flagrante të shitblerjes ose ndikimit abuziv e gati me dhunë mbi dëshirën e tjetrit për të votuar. Ndërkombëtarët në raportet e tyre, edhe pse kanë patur me dhjetëra vëzhgues vendorë në terren, janë mjaftuar në përshkrimin e mënyrave të shitblerjes së votës, pa denoncuar raste konkrete. Ndoshta nuk kanë qenë në gjendje t’i verifikonin, pavarësisht se mund të kenë dëgjuar shumë histori dhe ankime madje. E vërteta qëndron në faktin se në shitblerjen e votës dhe në ndikimin gati të dhunshëm për të devijuar vullnetin e qytetarit janë përfshirë të tre partitë tona kryesore.


Të tria janë fajtore njësoj për këtë mekanizëm përbindësh që kanë ngritur në këmbë. Trafiku i votës është përsosur dhe stërholluar, duke gjetur me dhjetëra mënyra të reja “krijuese” për të ndikuar tek hallet e njerëzve. Skandali i “Bild”-it nxori lakuriq partinë e sotme në pushtet. Por, të tilla përçapje, presione dhe sprova për të bindur njerëzit me pahir të votojnë i kanë bërë pa kursim edhe dy partitë e sotme të larguara nga Parlamenti. Madje njëra ofronte vende pune në administratë në këmbim të anëtarësimit të 50 të afërmve dhe miqve të tu në parti. Prandaj, dhe nuk ka shumë habi tek të gjithë qytetarët tanë.

Thjesht shprehen: “Ja i nxori edhe gjermani maskarallëqet tona!”. Prej këtej, të nisesh për të destabilizuar vendin është një mision i vështirë. Gati i pamundur. Megjithatë, vetingu i zgjedhjeve duhet bërë një orë e më parë. Edhe me koston e humbjes së “agjentëve” të terrenit, çunave të fortë (pak problematikë, sikurse u referohet një ish-ministër në një përgjim).

Reforma zgjedhore duhet përgatitur dhe kryer urgjentisht, paralel me reformën madhore në drejtësi. Dhe, i takon përgjegjësia pikërisht partisë së sotme në pushtet ta fillojë. Me sinqeritet dhe pastërti, duke u larguar nga “agjentët” e përkushtuar në terren, që kanë marrë edhe vlerësime nga “të mëdhenjtë” për “forcën” e bindjes së tyre tek njerëzit që të votojnë partinë agjentë të të cilës janë. “Bindje” që në fakt kanë qenë presione dhe madje dhunë verbale e psikologjike mbi njerëzit në qindra e më shumë raste. Madje edhe duke i kërcënuar me humbjen e vendit të punës në administratën shtetërore. Ose edhe “çokollata” në formën e parave kesh nën dorë për të fituar votën. Në prani ose jo të çunave problematikë, të fortëve të lagjes, të fshatit apo të ish-komunës. Të përdorur rëndom nga të tria partitë tona kryesore. Kjo është ana e errët e “hënës” sonë zgjedhore. Të cilën e dimë të gjithë, por që gazeta gjermane na e ofroi me zë dhe shkrim.

Në trend

Më shumë
Gjesti rrezikon eliminimin nga Big Brother, pasi nuk dëshiron ta kryejë dënimin e Vëllait të Madh

Gjesti rrezikon eliminimin nga Big Brother, pasi nuk dëshiron ta kryejë dënimin e Vëllait të Madh

Magazina
Qeveria merr vendim, pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes

Qeveria merr vendim, pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes

Lajme
Laertit nuk ia don me Valbonën, e fton për darkë romantike me një buqetë lulesh por ajo e refuzon: Ngre dolli i vetëm i mërzitur

Laertit nuk ia don me Valbonën, e fton për darkë romantike me një buqetë lulesh por ajo e refuzon: Ngre dolli i vetëm i mërzitur

Magazina
Dikur legjendë e tenisit ndërsa sot në një karrige me rrota, Anna Kournikova ngjall shqetësime në daljen e parë publike pas dy vjetësh

Dikur legjendë e tenisit ndërsa sot në një karrige me rrota, Anna Kournikova ngjall shqetësime në daljen e parë publike pas dy vjetësh

Magazina
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime

Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime

Dy gra në Kaçanik raportojnë se janë dhunuar nga i njëjti person, arrestohet i dyshuari

Dy gra në Kaçanik raportojnë se janë dhunuar nga i njëjti person, arrestohet i dyshuari

Kronika e Zezë
Kalo në kategori