LAJMI I FUNDIT:

Kundër-Korrupsioni denoncon zyrtarët që deklarojnë rrejshëm pasurinë

Kundër-Korrupsioni denoncon zyrtarët që deklarojnë rrejshëm pasurinë

Deklarimi i rrejshëm apo edhe mosdeklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal. Sipas sanksioneve të parapara me ligj, një veprim i tillë mund të rezultojë me gjobë, burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin.

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) në Kosovë vetëm gjatë vitit 2018 ka përcjell te mekanizmat e sistemit të drejtësisë më shumë se 100 raste të kallëzimeve penale ndaj zyrtarëve të lartë publikë të përfshirë në vepra penale korruptive. Këto kallëzime penale të ngritura nga Agjencia Kundër Korrupsion përfshijnë veprat penale, siç janë mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikti i interesit.

Personat e përfshirë në këto raste, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit u përkasin niveleve të ndryshme si: deputetë, zëvendësministra, kryetarë të komunave, drejtorë e anëtarë bordesh të ndërmarrjeve publike si dhe zyrtarë të tjerë publikë.


Afrim Atashi, drejtor i departamentit për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se kallëzimet penale ndaj zyrtarëve publikë për veprat penale që janë dorëzuar në prokuroritë apo gjykatat e Kosovës, janë rritur ndër vite, por sipas tij, dënimet e shqiptuara kanë qenë mjaftë “të buta”.

“Agjencia Kundër Korrupsionit në vazhdimësi e ka rritur bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, me prokurorinë dhe gjykatat dhe kanë bashkëpunuar, mirëpo ne si agjenci nuk jemi të kënaqur me dënimet, pasi që Kodi Penal për këto vepra parashikon që dënimet të jenë më të ashpra, por gjykatat dhe prokuroritë i kanë objektivat dhe kompetencat e veta pse nuk i dënojnë në bazë të Kodit Penal”, thotë Atashi.

Qëllimi kryesor i procesit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është që të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të jashtëligjshme nga zyrtarët e lartë publikë në Kosovë. Në të kaluarën, shumë prej zyrtarëve publikë, të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë apo kanë bërë deklarim të rrejshëm nuk janë dënuar sipas Kodit Penal të Kosovës.

Për vitin 2019 numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë që kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është 4755, ndërsa vetëm 13 zyrtarë nuk kanë kryer këtë obligim ligjor.

Në raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsion thuhet se nga informacionet e pranuara nga gjykatat kompetente lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion të zyrtarëve shtetërorë, vetëm 56 raste janë aktgjykime me dënime, të tjerat janë aktgjykime liruese, refuzuese dhe hedhje poshtë e kallëzimit penal.

Në të shumtën e rasteve, sipas zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit, me aktgjykime dënuese gjykatat kanë shqiptuar kryesisht dënime me kusht, ndërsa ka raste kur janë shqiptuar edhe vërejtje gjyqësore.

Dënimet me gjobë janë shqiptuar në shumat prej 100 deri në 2000 euro. Ndërsa dënimet me burg në kohëzgjatje prej dy deri në gjashtë muaj. Ka raste, sipas kësaj agjencie, kur gjykatat kanë shqiptuar dënim me burgim efektiv, por të cilat me marrëveshje në mes gjykatës dhe të dënuarve janë zëvendësuar me dënim me gjobë.

Pandëshkueshmëria ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë në vazhdimësi është shprehur si shqetësim i madh nga organizatat e shoqërisë civile dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në një raport të saj e pati radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara në botë, me një kulturë të pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në aferat korruptive dhe me institucione jo shumë të qëndrueshme për luftimin e kësaj dukurie.

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori