LAJMI I FUNDIT:

‘Metal United World Wide’ sërish me koncert në Prishtinë më 15 qershor

‘Metal United World Wide’ sërish me koncert në Prishtinë më 15 qershor

‘Metal United World Wide (MUWW) II’, koncerti me famë botërore që organizohet në 70 shtete, përfshin mbi 300 bende të ndryshme ‘rock’ e ‘heavy metal’, po organizohet për herë të dytë në Kosovë.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ‘Metal United World Wide II’ është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20-vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës, thuhet në komunikatën për media.

Kjo ngjarje e veçantë e muzikës ‘rock’ dhe ‘heavy metal’ do të organizohet të shtunën, më 15 qershor 2019 nga ora 17:00, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, e ku do të performojnë:


1. Eugent Bushpepa, nga Tirana
2. Sunchair nga Dusseldorf
3. Jericho nga Prishtina
4. Harmed nga Budapest, si dhe bendet
5. 4×4, Land of Confusion, Frisson, Krieg, Sotap dhe Shlem, nga Prishtina.

‘Metal United World Wide (MUWW)’ ka filluar të organizohet që nga viti 2014 në Australi. Nga viti 2018, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njëjtë, në të gjithë botën, në të njëjtën datë, të identifikuar me të njëjtin flamur.

Rockuzinë ka kënaqësinë që për herë të dytë ta vendos Kosovën në hartën e MUWW, ku muzika ‘rock’ e ‘heavy metal’ bashkon bende, fansa, organizatorë dhe media duke krijuar një ndjenjë të komunitetit që tërheq vëmendjen e të gjithëve.

Shuma prej 30 për qind e të hyrave nga biletat do të dhurohen për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë, përmes Cure2Children Kosovë.

Çmimi i biletës është 5 Euro, ndërsa në hyrje kushton 8 Euro. Biletat për koncertin MUWW II mund të blihen në: Rockuzinë (Prishtinë), Dit’ e Nat’ (Prishtinë), MIQT Pub (Prishtinë), Deck (Prishtinë), Check in Bar Ferizaj (Ferizaj), BarAca (Prizren), MuseumPub (Mitrovicë), Bar “Hardhia” (Rahovec), Diesis Music Hall (Tiranë).