LAJMI I FUNDIT:

Radoiçiqin e dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit, Vuçiqi e futi si mysafir nderi në Parlamentin e Serbisë

Radoiçiqin e dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit, Vuçiqi e futi si mysafir nderi në Parlamentin e Serbisë

Njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radoiçiq, të hënën dhe të martë ka marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Serbisë, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka raportuar për çështjen e Kosovës. 

Përfaqësues të partive politike opozitare, Odës së Avokatëve dhe profesorë universitarë në Serbi, duke reaguar ndaj pjesëmarrjes së Milan Radoiçiqit në mbledhjen e Kuvendit, thonë së prania e tij nuk i ka befasuar aspak, sepse si[as tyre pushteti aktual në Serbi kaherë ka treguar hapur se mund të bëjë çfarë të dojë, duke injoruar ligjet dhe qytetarët e Serbisë.

Lideri i subjektit opozitar në serbi, Lëvizjes “Dveri”, Boshko Obradoviq, ka thënë për “Danas”, përcjell Telegrafi,  se prania e Milan Radoiçiqit në mbledhjen e Kuvendit, “është fytyra e Serbisë nën këtë pushtet” .


“Nga njëra anë e kemi ndalimin e hyrjes në Kuvend për të gjithë qytetarët për një muaj, kurse nga ana tjetër kemi një qeveri që lejon hyrjen e personave të lidhur me krimin dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Kjo na tregon sa është pushteti i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe e çon deri në absurditet Parlamentin, si institucionin më të rëndësishëm”, tha Obradoviq.

Ndërsa, nënkryetarja e Partisë Popullore (NS), Sanada Rashkoviq – Iviq tha se regjimi aktual në Serbi Kuvendin e ka bërë një shtëpi të sigurt për Milan Radoiçiqin.

“Prania e tij [në Kuvend] ka dërguar mesazh se Aleksandar Vuçiq dhe struktura qeverisëse mund të bëjnë çfarë të duan. Kjo është vdekje klinike e shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe demokracisë”, tha Rashkoviq-Iviq.

Ish-kreu i Partisë Demokratike (DS), Bojan Pajtiq, tha se regjimi ka dërguar mesazh se nuk do të heqë dorë nga çdo biznesmen kontrovers dhe nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga fakti se për blerjen e votave mbështetet në qarqet kriminale.

“Tash e disa herë  ata dërguan mesazh se nuk ka më dallim midis krimit dhe regjimit – ata janë bërë një Në vend se, si kryetar i shtetit, Vuçiq të simbolizojë unitetin kombëtar, ai po krijon unitet me strukturat kriminale, të cilat në publik i shfajëson, kurse secilin që nuk pajtohet me sundimin e tij – e kriminalizon”, tha Pajtiq, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Beogradit, Vladimir Gajiq, përkujton se Aleksandar Vuçiq  edhe pse është jo kompetent, në raport me Radoiçiqin ka aplikuar “drejtësinë poligrafike” dhe ka ndërprerë hetimet ndaj tij në Serbi.

“Hetimi është duke u kryer nga autoritetet  gjyqësore në Prishtinë, bazuar në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Në Prishtinë, Radoiçiq ështe nën hetim në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe të trajtohet si person në arrati”, tha ai, duke shtuar se meqë në Kuvendin e Serbisë ulet edhe Vojislav Sheshel, i dënuar për krime lufte, është krejt normale që aty të jetë edhe Radoiçiq. “Kjo tregon se Serbia është një shtet mafioz”.

Profesor i së Drejtës Kushtetuese, Bogoljub Millosavleviq, vlerëson se ata që Radoiçiqin e kanë ftuar dhe e kanë lejuar të hyjë në Parlament, haptas e përfaqësues të denjë të serbëve nga Kosova dhe në këtë mënyrë i japin legjitimitet.

Gjykata Themelore në Prishtinë në fillim të këtij viti ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin, si një prej personave të dyshuar për rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit. /Telegrafi/