LAJMI I FUNDIT:

Shkenca tregon se flokëkuqtë gjenetikisht kanë superfuqi

Shkenca tregon se flokëkuqtë gjenetikisht kanë superfuqi

Statistikat tregojnë se vetëm 1-2% e popullsisë së botës kanë flokë të kuqe.

Sipas Erin La Rosa, autore e librit “The Big Redhead Book:Inside the Secret Society of Red”, ata kanë një pamje fizike mjaft unike, transmeton Telegrafi.

Madje, ajo ka edhe një emër të veçantë për ato – “njëbrirëshat e botës njerëzore”!


Sidoqoftë, përveç se janë unike, flokëkuqtë shijojnë edhe shumë përfitime shëndetësore.

Flokëkuqtë marrin shumë vëmendje në shoqëri për shkak të pamjes së rrallë që e kanë. Ngjyra e tyre shkaktohet nga një mutacion gjenetik që quhet “MC1R”, falë një pigmenti që quhet feomelanin, i cili i bën flokët e kuqe.

Në shumicën e rasteve, fëmijët flokëkuq kanë turp sepse ndihen më ndryshe nga shokët e shoqet e tyre.

Sidoqoftë, ata nuk duhet të kenë turp. Përkundrazi, ata duhet të jenë shumë krenar dhe të gëzohen që janë të veçantë.

Flokëkuqtë janë një grup mjaft interesant, ku në mesin e tyre hyn edhe princi Harry, Jessica Chastain, Ed Sheeran dhe Julianne Moore.

A janë vërtet super heronj?

Sipas La Rosa, mutacioni gjenetik MC1R i bën flokëkuqtë ta përballojnë dhimbjen më mirë sesa pjesa tjetër e njerëzve. Një studim i vitit 2003 kishte treguar se personat që kanë në mënyrë natyrale flokë të kuqe, mund ta tolerojnë dhimbjen deri në 25% më mirë se tjerët.

Rezultatet e një studimi tjetër të kryer në universitetin Louisville kanë treguar se flokëkuqtë janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturave. Ata faktikisht mund ta parashikojnë se kur vjen dimri dhe ndryshimet e shpejta të temperaturës.

Kjo, padyshim se është një superfuqi.

Një karakteristikë tjetër e cila i bën ata super heronj është prodhimi natyral i vitaminës D në mënyrë më efektive sesa njerëzit tjerë.

Siç e dimë, një pjesë e madhe e njerëzve kanë mungesë të vitaminës D, e cila është vitaminë esenciale që i lufton sëmundjet si:

– Sëmundjet kardiovaskulare
– Gripin
– Depresionin, etj.

Pra, të gjithë ju që keni flokë të kuqe, jo vetëm se duhet të gëzoheni që keni flokë të bukura, por edhe t’i shijoni avantazhet shëndetësore që jua sjell ky mutacion gjenetik. /Telegrafi/