LAJMI I FUNDIT:

Alternativa kritikon qeverinë: Nuk po e merr seriozisht gjendjen e mjedisit

Alternativa kritikon qeverinë: Nuk po e merr seriozisht gjendjen e mjedisit

Alternativa, përmes një konference për media, ka ngritur shqetësimet e saj në lidhje me gjendjen e mjedisit në Kosovë. Anëtarët e komisionit për mjedis Flutura Bektashi dhe Hana Zeka thanë se subjekti që përfaqëson mbështet kauzën globale të këtij viti që i kushtohet ditës së tokës.

Alternativa konsideron që gjendja e mjedisit në Kosovë është shumë serioze e cila në mënyrë të përgjithshme e që sipas tyre është rezultat i shumë proceseve mjedisore të cilat asnjëherë nuk janë trajtuar në mënyrë të mirëfilltë.

“Duke filluar nga planifikimi jo adekuat hapësinor, zhvillimi i pakontrolluar në sektorin industrial, urban, teknologjisë joadekuate industriale, shfrytëzimit të egër të resurseve natyrore, menaxhimit të dobët të deponive industriale dhe atyre të amvisërisë, duke vazhduar me ndotjen e ajrit, mostrajtimin e ujërave të zeza e sanitare, kontaminimin e vazhdueshëm që ju bëhet tokave me pesticide, problemet me menaxhimin e mbeturinave, gjelbërimi i pamjaftueshëm në qytete, zhurma, mungesa e vendeve për pushim dhe rekreacion, janë indikatorë kryesorë që ndikojnë në mjedis dhe që kërkojnë veprime urgjente për përmirësimin e gjendjes aktuale”, deklaroi Bektashi.


Ajo tha se termocentralet Kosova A dhe B, trafiku, ngrohjet, ndotja nga deponitë ilegale dhe djegia e mbeturinave janë vetëm disa prej faktorëve që po ndikojnë në gjendjen mjedisore e që më pas po reflekton edhe në shëndetin e qytetarëve.

“Që nga viti 1999, e posaçërisht në dekadën e fundit, Kosova në përgjithësi e rajoni i Prishtinës në veçanti, ballafaqohet me ndotjen enorme të mjedisit e posaçërisht të ajrit që po ndikon direkt në shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. As kjo Qeveri sikur të tjerat para saj, asnjëherë nuk e morën seriozisht gjendjen e mjedisit në Kosovë. Shembull konkret është injorimi total i rekomandimeve të Kuvendit të dala nga Seanca e jashtëzakonshme me 1 Shkurt 2018, kur ishte konstatuar gjendje e rëndë e ajrit në Kosovë”, u shpreh Zeka.

Alternativa përmes kësaj konference për ditën e Tokës, ka dal me disa rekomandime të cilat kërkon të merren me seriozitet në mënyrë që të fillojmë përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë. /kp/Telegrafi/