LAJMI I FUNDIT:

Rama ndërhyn në debatin Braçe-Ahmetaj: Bëjmë edhe opozitën

Rama ndërhyn në debatin Braçe-Ahmetaj: Bëjmë edhe opozitën

Që në nisje të fjalës së tij kryeministri Edi Rama ka shigjetuar opozitën për mospraninë e saj në Kuvend.

Teksa zgjodhi të flasë nga vendi i tij, kreu i Qeverisë duke marrë shkas edhe nga debati mes ministrit Arben Ahmetaj dhe Erion Braçes në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS, theksoi se dita e sotme ka qenë pozitive për maxhorancën.


“Është pozitive që ne bëjmë debate dhe amendamente, bëjmë dhe opozitën e këtij parlamenti. Praktikisht gjithë dita e sotme ka qenë e frytshme, pasi ka qenë për përmirësime të draftit të buxhetit dhe paketën fiskale. Mesazhi i këtij buxheti dhe pakete është shumë pozitiv. pavarësisht se fokus në këtë seancë tek disa amendamente mund të krijojë ide pak më ndryshe. Dëshiroj të kujtoj se në Shqipëri akoma s’kemi asnjë hotel me 5 yje. Asnjë! Nëse duam të zhvillojmë turizmin dhe të jemi konkurrues në rajon, i kemi mundësitë”, tha Rama.

Kujtojmë se mbledhja e grupit parlamentar të PS u shoqërua me debate mes ministrit Ahmetaj dhe Braçes. Shkak i debatit u bë kërkesa e Braçes për mostatimin e pagave deri në 400 mijë lekë, gjë e cila u kundërshtua nga Ahmetaj dhe më pas u rrëzua edhe nga Kuvendi.

Ndërkohë nga Kuvendi u pranua propozimi i Braçes për të mos votuar nenin 1 të paketës fiskale për tarifat doganore, ç’a solli për pasojë rrëzimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar. /BalkanWeb/Telegrafi/