Qysh ka thanë i moçmi, gjithsecili prej nesh është njëlloj shtaze në politikë – dhe në horoskop. Ndoshta nuk ka thënë pikërisht kështu i moçmi, por të shkretit, shumë fjalë i janë “veshur” kot. Kryeministrit Rama nuk ka nevojë me i mveshë fjalë.
Pikërisht për këtë arsye, mbase askush nuk u ofendua në Kosovë kur ai, nga foltorja e takimit të dy qeverive në Pejë, nën vëmendjen më të madhe të mundshme mediatike, disa njerëz që mendojnë ndryshe për presidentin Thaçi, i quajti gomarë. Përfundimisht, kjo është një metaforë, sepse as z. Rama nuk është aq gomar sa t’i quaj gomarë deputetët, intelektualët dhe shumëkënd tjetër në Kosovë të cilët nuk pajtohen me idenë euroaziatike, të presidentit.
Kriteret e gomarllëkut në politikën tonë (ndër)kombëtare, kuptohet, i cakton Edi Rama. Ku me fjalë e ku me veprime. Është atraksion Edi. Atraksion (ndër)kombëtar. Pas këtij mandati duhet “balsamosur” politikisht, për së gjalli, sikur (ar)mikun e tij Berishën. Edhe nëse nuk duan, duhet të duan, për hir të kombit. Pa emrat e tyre nuk funksionon as politika në Kosovë e lëre më në Shqipëri. Jo se ja njohu ndokush këtë të drejtë Edit, të tregojë me gisht gomarët, ashtu si bëri disa vite më parë me “idiotët”, por… “ WTF”!
Nëse me fanatizëm i mbahemi të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, Zoti është dëshmitar se Edi flet vetëm fjalë të famshme. Edhe nëse janë fjalë të zakonshme, sikur për shembull “gomar” apo “idiot”, ato bëhen të famshme kur i flet ai. Thjesht, nuk i shkon për fytyre retorika me paqe, dialog, normalizim, luftë kundër korrupsionit, shtet ligjor… etj.
Tash, qysh e kemi pa, përpos të flasë Edi di edhe të shajë anglisht, më mirë se shqip. Dorën në zemër, në njëfarë mënyre e vërtetoi dyshimin tim të kamotshëm se nuk është gjuha letrare shqipe ajo e standardit të vitit 1972, ajo që do t’i bashkojë shqiptarët. Është anglishtja! Shqiptarët e Kosovës përfundimisht kanë hequr dorë prej shqipes letrare. Nuk e mësojnë dot. Akademikë, shkrimtarë, deputetë… të cilët flasin në standard duken qesharakë kur përpiqen të flasin shqip, dhe përqeshen madje edhe nga fëmijët në kopsht. Të mos flasim për armiqtë e përbetuar të Edit – portalet!
Një fëmijë në kopsht nga Tirana, e flet standardin më mirë se një a(m)akademik kosovar. Nuk mundesh me “repovat” në standard vëlla. As poezia, përpos në gegnisht, nuk tingëllon si poezi. Tjerat pak a shumë janë vazhdim i politikës me mjete letrare.
Nejse, prejse doli standardi, tash shqiptar nuk bëhesh me të lindur. Duhet të mësosh shqip, sipas standardeve. Edhe mësuesit, edhe profesorët e gjuhës, nuk e mësuan dot. Kjo për disa doli aq e vështirë sa më lehtë e kanë të formojnë komb tjetër. OK, ti mund të mendosh se je shqiptar, por kur flet shqip në Shqipëri e kupton që nuk je. Shqiptar je ti?
Edhe në politikë njëjtë. Ti mund të mendosh se je deputet, lider partie, apo analist, apo edhe më keq, portalist, por fare lehtë, nëse mendon ndryshe për Hashimin ose Edin, e gjen se nuk je as shqiptar, e as kosovar, por… gomar.
Fjala fjalën po e nxjerr, dhe detyrimisht vijmë te konstatimi se janë shtuar gomarët e janë pakësuar tradhtarët. Për shembull, nëse i referohemi historisë, atdhetari më i madh i politikës shqiptare, pas rënies së bustit të Enverit në Tiranë, doli të jetë Ahmet Zogu i vetëshpallur edhe si mbret i shqiptarëve, i cili falë ndihmës vëllazërore të Nikolla Pashiqit, e pat “çliruar” Shqipërinë nga armiku më i madh i shqiptarëve – demokracia. Madje, e pat çliruar edhe prej disa “patriotëve” të Kosovës e të Shqipërisë. Kush mbijetoi, mbijetoi, e të tjerët mësohen në libra të historisë.
Prandaj, me ndihmën e bjellogardistëve rusë dhe të mercenarëve nga Kosova, Zogu, pasi kishte gjetur strehë në Beograd, ku kishte ikur i ndjekur nga revolucioni, me ndihmën vëllazërore të Serbisë e “çliroi” Shqipërinë. Shqipëria e “çliruar”, pastaj dalëngadalë u çlirua edhe nga të gjithë gomarët të cilët ikën jashtë, e disa edhe mbijetuan.
Tash, sërish, pas përpjekjeve prej tri dekadash, me ndihmën perëndimore, vetëm gomarët nuk e kanë kuptuar se pa ndihmën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe të carit rus, nuk çlirohet dot Kosova. Perëndimi nuk e kalon dot veton ruse dhe kineze, or gomar, mund të thonë tash pas emërimit të gjërave me emrin e vërtetë nga kryeministri Rama.
Kështu, ata që nuk e kuptojnë këtë, pra gomarët e atëhershëm, mendojnë se Ahmet Zogu është tradhtar. Mendojnë madje edhe se Hashim Thaçi është tradhtar. E nuk e shohin veten se çfarë janë. Prandaj, këtu Edi hyn në lojë dhe e ngatërron pak skemën.
Keni dëgjuar për “trojkat”? I keni parasysh “trojkat” ruse? Trojkat me kuaj që tërhiqnin karrocat ! Këtu, përpos gomarëve, në politikën tonë (ndër)kombëtare mund të themi me krenari se tash kemi edhe kuaj. Është kjo ”trojka” e kuajve që e tërheq karrocën euroaziatike ndër shqiptarë. Skena politike është ndarë në kuaj dhe gomarë… Krejt kjo s’ka të bëjë fare me kufijtë e Kosovës. Ka të bëjë me kufijtë e BE-së dhe Euro-Azisë.
Tash duhet dhënë hak edhe kryeministrit Rama. Në Kosovë vërtetë janë shtuar zërat se presidenti ka rrëshqitur në tradhti. Ai po e ndjek një agjendë, me aq këmbëngulje, sa duket sikur ai po lufton për jetë a vdekje, gjithsesi në kuptimin politik të saj. Shumica po mendojnë se mbijetesën e vet politike presidenti e ka lidhur me këtë projekt. Kryeministri, liderët partiakë dhe gati të gjithë – me përjashtim të mediave dhe këshilltarëve të presidentit – janë shprehur me plot dyshime rreth kësaj ideje dhe rreth bisedimeve kokë më vete dhe të fshehta që po i zhvillon ai. Përderisa dihet se çfarë lloj shtaze është në horoskop, për nga kokëfortësia është vështirë të konstatohet se cili lloj i “shtazës” politike është presidenti!
Nëse e pranojmë faktin se është gomar, kushdo që mendon se “komandanti” i UÇK-së, Hashim Thaçi, është tradhtar, atëherë Edi ka problem me historinë. Edi, Hashimi nuk ishte komandant i UÇK-së. “Historikisht”, komandantë të UÇK-së ishin tre vetë: njëri nga ata është vrarë, ndërsa dy ndodhen në burg, të burgosur, në shtetin e Kosovës, të udhëhequr nga Hashim Thaçi.
OK, e kuptuam se Edi, në horoskop, është gaforre. Thuhet se gaforret janë më të keqkuptuarat e të gjitha shenjave të horoskopit. Po në politikë, cili lloj i “zoon politicon”-it është? Përse kaq shpesh keqkuptohet… ai?
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Egli zgjidh litarin dhe çon gjithë grupin në dënim: Vij nga një Prime i rënduar, Rizarta: Nuk është e drejtë kjo

Trump deklarohet rreth raportimit të mediave franceze se ai do të vizitojë Rusinë dhe do të takohet me Putinin

Mbyllja e katër Qendrave serbe për punë sociale në veri, reagon Ambasada amerikane në Prishtinë

Asnjë minoritet në Drenas por marrin 201 vota

"Rizarta nuk është e rrezikuar për dy javët e ardhshme", plas debati mes vajzave, pas tërheqjes së Eglit nga sfida

Qytetarët thonë se ndihen të mashtruar nga 'marketet' për mosvendosjen e ekraneve nga ana e konsumatorëve

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Livia eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Muhamet Dragusha zbulon klubin që ia ndërtoi shtëpinë

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Analistët: LVV-ja synon të “peshkojë” deputetë opozitarë për formimin e qeverisë

Paradoksale: Në Dragash mbi 240 vota për partitë serbe, edhe pse atje nuk ka serbë

Palestinezi që ka qëndruar më së gjati në burg, izraelitët pritet ta lirojnë