Fushata lobuese, të cilën javëve të fundit e kanë ndërmarrë autoritetet e Kosovës për futjen e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, si dhe arritjen e një vendim pozitiv për Kosovën, në dhjetor të këtij viti, është mjaft e vonuar, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.
Në këtë fushatë janë angazhuar edhe liderët kryesorë institucionalë të Kosovës, pas skepticizmit të shprehur nga vende të caktuara anëtare të Bashkimit Evropian, se një vendim pozitiv për Kosovën do të jetë i mundshëm brenda këtij viti.
Por, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se lobimi, siç e quajnë ata “i minutës së fundit” nuk mund të jetë efektiv dhe të ndryshojë qëndrimet e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat qëndrime janë krijuar për kohë më të gjatë dhe ndërlidhen me interesat e tyre politike.
Jehona Lushaku – Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e BE-së për liberalizim të vizave dhe ky është argument i fuqishëm për të, në këtë fazë. Por, sipas saj, është paradoksale se si politikanët e Kosovës nuk kanë arritur deri më tash që ta imponojnë këtë fakt, në mënyrë që të ketë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Lobimi sigurisht që bëhet në faza të ndryshme, por bëhet gjithmonë më herët se në minutat e fundit. Këto më nuk kanë as kuptim, sepse shtetet anëtare dhe përfaqësitë e tyre janë edhe në Prishtinë. Lobimi bëhet me ofrim të statistikave dhe të dhënave të sakta për t’i bindur shtetet se është bërë përparim në pikat që ata i kanë dilemat. Kjo është lehtë e argumentueshme edhe prej Prishtinës dhe shkuarja fizikisht në shtetet e ndryshme, nuk ka kurrfarë kuptimi, posaçërisht në këtë fazë të fundit”, tha Lushaku-Sadriu.
Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që lobimi i javëve të fundit i zyrtarëve institucionalë të Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, është praktikë e gabuar dhe që nuk mund të japë efekt.
“Ne, kur kemi të bëjmë me qëndrim të shteteve, ai nuk ndërron brenda 24 orësh, as brenda 24 ditësh dhe as nuk ndërron brenda një apo dy muaj. Shtetet kanë koherencë në qëndrimet e tyre politike, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në qëndrimet e tyre ndaj vetë organizatave multilaterale, sepse shtetet ndërveprojnë njëra me tjetrën. Ky ndërveprim bëhet për interesa të caktuara dhe qëndrimi i tyre nuk mund të pritet se mund të ndërrojë brenda një periudhe të shkurtë kohore. Ndërkaq, Kosova ende nuk e ka krijuar një traditë të mirë të funksionimit në politikën e jashtme”, theksoi Mazreku.
Ndryshe, njohësit e integrimeve evropiane, thonë që vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, qoftë për futjen në agjendë të diskutimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, qoftë më pas një vendim pozitiv ose jo, është politik.
Lushaku-Sadriu thotë se në këtë pikë tashmë kemi të bëjmë me një qëndrim të BE-së që ka argumente politike, për shkak se ajo ka zgjedhje në fillimin e vitit të ardhshëm.
“Momenti është jashtëzakonisht i pafavorshëm për të pasur një përkrahje politike, posaçërisht për një shtet, për të cilin ata thonë se ka potencial migrimi, ndërkohë që migrimi është një prej sfidave kryesore që e ka BE-ja. Këshilli i Ministrave e bën agjendën qysh më herët dhe besoj që deri në këtë fazë është e definuar se çfarë do të ketë brenda mbledhjes. Zakonisht hyjnë pikat, për të cilat ka kompromis paraprak se do të kalojnë. Meqë është vërejtur që për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka konsensus, besoj që – në bazë të informacioneve – nuk do të jetë pjesë e agjendës”, u shpreh Lushaku- Sadriu
Mendim të ngjashëm ka edhe Mazreku. Ai vlerëson se gjasat janë krejtësisht të pakat që Kosova të pres një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave brenda këtij viti.
“Situata për Kosovën vazhdon të jetë komplekse edhe si rezultat i një politike jo-efektive të saj në raport me arritjen e këtij qëllimi, mungesës së kuptueshmërisë së drejtë të mënyrës se si funksionon Bashkimi Evropian, por edhe si rezultat i mungesës së një strategjie të qartë se cilët do të duhej të ishin hapat e Kosovës në tërë procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj, çfarëdo aktiviteti, qoftë intensiv ose jo, i liderëve tonë institucionalë, ka pak gjasa që të ndikojë në arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj”, tha Mazreku.
Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2012. Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, erdhi në korrik të këtij viti, ndërkaq, votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në muajin shtator. Këshilli i Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, japin vlerësimet e tyre, mbetet sfida kryesore për Kosovën në këtë proces.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Si krijohen gurët në dhëmbë dhe a “rrallohen” dhëmbët pas pastrimit te stomatologu?
Çfarë na bën ajri i ndotur?
Zëvendës-sekretari amerikan sot në Kosovë
Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore
Zbulohet rrjeti i prostitucionit në Durrës, shpallen në kërkim dy kineze
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025