LAJMI I FUNDIT:

Dashuria nuk konservohet

Dashuria nuk konservohet

Ata që nuk e tregojnë dashurinë, nuk ndjejnë dashuri. (William Shakespeare)

Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com


Është një e vërtetë rreth dashurisë. Gjithçka që kurseve e humbe, gjithçka që dhe/dhurove u shpërbleve, fitove u bë e jotja, u shpërbleve si nga Zoti ashtu edhe nga njeriu. Dashuria nuk mund të konservohet, nuk ka mundësi të grumbullohet në një vend, ajo rrezaton ajo të shpërblen, ajo është aromë që shpërndahet vetvetiu, nuk mund ta kontrollosh, ajo sa më shumë përhapet, aq më shumë shtohet.

Jeta është e bukur, por përvoja e jetës shpesh është shumë e hidhur, ajo është e ëmbël vetëm në imagjinatë, në përfytyrim, në realitet është mjaft e hidhur. Unë jam tërësisht për këtë botë, sepse e di se mundi im për botën tjetër do të jetë vepra që bëj në këtë botë. Dhe bota ime, jeta ime mund të jetë, të ndjehet vetëm nëpërmjet kësaj bote, prandaj unë kërkoj që sa më shumë të shfrytëzohet kjo jetë. Jetoje këtë jetë, sepse kjo jetë ju jep përsosmëri, pjekuri, ju plotëson, ju sfidon, në sajë të saj bëhemi të qëndrueshëm.

Jetoni në këtë botë dhe jetoni me pasion, me gjithë qenien tuaj, dhe me një besim të plotë: dashuria dhe gëzimi do t’ju përcjellin edhe do të dilni jashtë kufijve të kësaj bote. Bota tjetër është besimi juaj për t’i përballuar problemet e kësaj jete, vetëm duke jetuar dhe besuar plotësisht, mund të jesh i lirë. Mos lejoni që vdekja t’ju befasojë, ajo është aq afër saqë çdo sekondë mund të vijë. Derisa ka ende kohë, mësojeni sekretin se ju jeni në gjendje t’i ndryshoni brengat, mërzinë, trishtimin dhe t’i shndërroni në lumturi, në gëzim. Sepse ju jeni të aftë të festoni, të gëzoheni të jeni të lumtur, sepse ju jeni të aftë t’i shijoni të mirat e Zotit/natyrës. Atëherë kur të vijë vdekja, ju do të jeni gati ta pranoni të qetë.

Njeriu vjen në jetë pa dëshirën e vet, dhe pa dëshirën e vet shkon nga kjo jetë. Ai lind të jetojë, ta shijojë jetën, por e bën apo jo këtë, kjo ekskluzivisht varet prej tij. Ai jeton, merr frymë, ushqehet, vazhdon të plaket, kjo është një jetë normale nga djepi dhe përfundon me një moshë. Meqenëse shumica e njerëzve jeton dhe vdes gradualisht ngadalë, dhe ju filloni të imitoni prindërit, t’i imitoni të afërmit edhe kështu me radhë. Edhe fëmijët mësojnë gjithçka prej njerëzve që i rrethojnë ata.

Ne duhet të rritemi e të plakemi, por ne duhet edhe ta shijojmë jetën, prandaj ne duhet ta kuptojmë fjalën jetë: njeriu është i aftë të rritet e të plaket, por edhe kafsha është e aftë të rritet dhe të plaket, madhështia e njeriut qëndron në faktin se ai duhet të punojë, të fitojë, ta shijojë jetën dhe kënaqësinë e dashurisë. Fëmijët janë të çiltër, janë të pafajshëm, ata nuk janë të ngarkuar me jetën, me problemet, me arsimimin: nuk janë të rënduar me fenë, kurse prindërit janë pasqyrë e fëmijëve. Edhe kështu fëmija nga prindërit trashëgon seriozitetin, problemet, zënkat, trishtimet e ndryshme.

Ne si prindër, ne si shoqëri jemi të detyruar ta ribëjmë veten, ne përpiqemi ta bëjmë çdo fëmijë të zgjuar dhe të mirë, të edukuar të arsimuar, që ai të fitojë në shoqëri një pozitë sa më prestigjioze. Nëse fëmija ka nisur në fillim të rritet në drejtim të gabuar, të padrejtë, do të vazhdojë të veprojë po në atë rrugë: e gjithë jeta do të jetë ashtu!

Pra, të kemi kujdes për veten. Çdo gjë është në mendjen tuaj. Pastrojeni mendjen tuaj nga të gjitha idetë e huaja, prej të gjitha huazimeve: tradita e trashëguar është e mirë, por plotësojeni me informata të reja, se shumë gjëra nuk përshtaten me kohën, koha ka ndryshuar, njerëzit kanë ndryshuar, zakonet, prindërit, mësuesit, pedagogët…vazhdoni t’i trashëgoni të mirat, të transformoheni për hatër të vetes.

Jeni modestë, kthehuni vërtet, pajtohuni me mundësitë tuaja reale: kjo mrekulli është e mundur vetëm me ndihmën e të menduarit të drejtë dhe të besimit të vërtetë. Pastrojeni mendjen tuaj nga të gjitha idetë e huaja, të besuarit dhe të menduarit të thjeshta por të pazakonta. Kujdes: formula të ndryshme në botë po praktikohen, që nga mendja e juaj të eliminojnë gjithçka që ju të mos jeni vetvetja. Jeta është shumë e bukur, jeta duhet të jetë aventurë, të jetë hulumtim, kërkim, jo dëshirë, nuk duhet të ketë pretendime abstrakte, je ai që je.

Është shumë çuditshme, ajo që njerëzit të cilët nuk dinë se kush janë, kërkojnë të bëhen dikush, të tillë që nuk e njohin veten e tyre, kjo është një maskë, një brengë e njeriut, që do të jetë dikush, ju jeni ai që jeni, mirëpo të zbulosh thelbin tënd, do të thotë të fillosh të jetosh jetën tënde. Atëherë çdo gjë është reale, ti je vetvetja, ti fillon të jetosh, fillon të dashurosh, ti ke arritur t’i aktivizosh shqisat e tua për nevojat e tua, sa më shumë janë aktive, aq më shumë të rritet dashuria, dhe sa kohë që rritet dashuria, ajo shtohet, ajo të shpërblen: jeta bëhet më e lumtur më e pasur.

Për sa kohë njeriu bëhet më i ndjeshëm, më modest, jep porosinë e tij: veprat e tij përmbajnë përvojën e jetës, jeta bëhet më e gjerë, jeta e tij nuk është e kufizuar, ajo jetë është e mrekullueshme e pafundme. Jeta jonë ia arrin qëllimit kur ajo jep porosinë e mirë, atëherë ajo shumëzohet: kjo jetë është jeta ime, ne nuk jemi të huaj, kjo është bota ime, unë jam pjesë e saj.

Mendja jonë, besimi ynë sjell heshtjen e madhe, qetësia ime absolute sjell përqendrimin tim, sjell lirinë e vetes sime, të unit tim, kjo heshtje është pikërisht liria ime, kjo qetësi absolute është krijimtaria ime, kjo qetësi/heshtje është të krijuesve të ditur, kjo vetmi me heshtjen time është arti im, është muzika ime, dashuria ime ekzistuese, dhe kështu vazhdoj deri në mbarim. /Telegrafi/