LAJMI I FUNDIT:

Zhdukja e Mulziut dhe e gazetarit

Zhdukja e Mulziut dhe e gazetarit
Ilustrim

Kishte tri ditë që askush nuk e kishte parë Mulziun, duke dalë apo duke u kthyer në shtëpi. Pakkujt i kishte vajtur mendja se ai tashmë ishte i vdekur në kasollen e vogël, e cila dallohej pak nga ferrat dhe barishtet që e kishin mbuluar deri në pullaz. Vetëm Zi Ziu me mendjen e tij të zezë, po spekulonte për fatin e zi të Mulziut. Në Zezë, lajmi për të zeza përhapet rrufeshëm, por është e pamundur të dihet se kush e kumtoi i pari! Përgojimet këtu përhapën aq rreptë, sa njeriut të rastit nuk i mbetet tjetër, pos që edhe vet të shtojë ndonjë fjalë të padëgjuar më parë!

Kush do të interesohej se çka ka ndodhur me Mulziun e gjorë, pos Zi Ziut. Ai bëhet trim zakonisht kur nuk ndjen rrezik! Ziu ziente brenda vetes emrat e vrasësve të mundshëm. Askushi e Dikushi moti ishin në listën e tij, por kësaj radhe ai dyshonte edhe për Gjithkushin. Dikujt këta emra i duken të çuditshëm, por të tillë ka pasur gjithmonë në Zezë. Ziu po mendonte seriozisht se në këtë krim mund të ketë dorë edhe Gjithkushi, me të cilin nuk fliste asnjë zijosh. Megjithëse Ziu di shumë të zeza, atij nuk i beson askush për asgjë që thotë.

Pasi u sigurua se nuk e ka parë dikush, krejt i vetmuar kaloi nëpër oborr dhe hyri në kasolle! Më nuk kishte dilemë! Muzliu ishte i vdekur. Kush mund ta paramendonte se çka ziente në kokë Zi Ziu, kur pa Mulziun e vdekur. Para syve kishte një vrasje apo një vdekje misterioze? E kishte vrarë dikush apo kishte vdekur vet, as kjo nuk u kuptua kurrë? Zijoshët planet e zeza i mbajnë sekret, të cilin e mbulon dheu. Nuk e imagjinon dot që një zijosh mund të merr guxim për të lajmëruar organet e rendit, qoftë edhe për një konflikt fare të vogël, për një vjedhje banale, e lëre më për një vrasje si kjo e Mulziut e mbuluar me mister! Zijoshët, ashtu siç janë, krejt të pabesë, as vetë nuk i besojnë askujt. Çka është më keq, gati në çdo të dytën fjali përdorin fjalën besë, por më të pabesë se këta nuk sheh diku tjetër. Të vërtetën, në Zezë, sa qel e mbyll sytë e përpinë errësira. Secilin zijosh mund ta blini lehtë, por nëse e zbuloni, saora mund t’ju mbulojë e zeza. Fshati Zezë jeton e vlon nga të zezat, por zijoshët janë bërë imun ndaj tyre.


Supozohet të kenë mjaftuar dy veta për ta nxjerrë kufomën nga kasollja dhe për ta zhdukur! Po kush e nxori të vdekurin nga kasollja? Kush e ku e varrosi? Ishte një zijosh apo më shumë sish? Menjëherë, pasi u përhapë lajmi se Mulziu ishte gjetur i vrarë, nisi hataja e zezë e thashethemeve. Po hataja u bë me e zezë, pasi po atë ditë u zhduk edhe kufoma e Mulziut. E vrau dikush, apo vdiq vet Mulziu, as kjo nuk u kuptua asnjëherë. Në Zezë njeriu zhduket sa qel e mbyll, sikur të lëshonte toka. Askush nuk kishte dyshim se vetë vrasësit do ta kenë zhdukur pa gjurmë kufomën, diku në shkurret e fshatit, ku me qindra hektar toke janë përplot mbeturina të të gjitha llojeve.

Kush mund të ishte ai që njoftoi organet e rendit, nuk u kuptua kurrë. Emri i lajmëtarit mbeti anonim. Kur zijoshët ndjehen të rrezikuar, nuk ka forcë që i detyron të dëshmojnë për ngjarjen. Kur nuk shohin rrezik, secili krekoset se është i pari, që ka parë ngjarjen e zezë. Kot do ta kërkojë dikush emrin e të parit, që ka kumtuar lajmin.

Organet e rendit u panë që në ditën e parë, në vendin e krimit. Zijoshët moti posedojnë celularë bashkëkohorë, madje edhe telefona satelitorë, për të njoftuar edhe vet djallin në skaj të botës, por zbulimi i autorit të kumtit të zi vetëm mund të paramendohet. Në Zezë nuk ka stacion të policisë, e as që ka pasur ndonjëherë. Stacioni më i afërt i policisë është 70 kilometra larg. Qysh e si nuk dihet, por lajmi kishte arritur në polici.. Vrasjet e dyshimta në Zezë janë krejt të zakonshme, dhe vdekja apo vrasja e Mulziut nuk bënte përjashtim! Kush-kënd do ta fajësojë, apo kush për kënd do të dëshmojë, që ka parë, apo ka dëgjuar diçka, as kjo nuk do të merret vesh asnjëherë. Këtu në Zezë, gjithkush di gjithçka, por askush nuk dëshmon për asgjë!

Edhe vrasja e Mulziut, për të cilin thuhet se u gjet i vdekur, shpejt u mbulua me mister. Bile, askush nuk pyeti as për varrimin e kufomës, apo për ndonjë ekspertizë rreth krimit. Policia u duk në Zezë, vetëm sa për të thënë! Zijoshëve as që iu intereson të dinë se çka shënuan organet e rendit dhe a do bëjnë ndonjëherë ndonjë hetim. Gjithçka që kumtoi policia pas kësaj vrasjeje apo vdekjeje të natyrshme, ishte njoftimi se hetimet vazhdojnë. Ditët kalonin dhe askush nuk mund të thoshte se kush e gjeti të vdekur Mulziun dhe a kishte gjurmë dhune në trupin e tij? Mund të merreshin në pyetje të gjithë zijoshët, një për një, por nuk mund të gjendej edhe një prej tyre të dëshmojë, apo të thotë para gjyqit se ka parë të vdekur Mulziun e gjorë! Mes zijoshëve pëshpëritej me zë se Mulziun e kishte vra dikush, por kishte edhe zëra se ai kishte vdekur natyrshëm. Po, ç’u bë me varrin e tij dhe kur e kush ku e varrosi, as kjo nuk u ndriçua kurrë. Në Zezë dihet se kanë ndodhur plot vrasje, me dekada e shekuj, por nuk është ndriçuar edhe një prej tyre. Për krimet në Zezë, ka vetëm thashetheme, dhe ato zbehen me kohë, pasi që krimi i ri, mbulon të mëparshmin.

Pse nuk gjendet edhe një dëshmitarë në Zezë, edhe kjo moti është e kuptueshme. Dihet se dikur, këtu në Zezë, kishte pasur dëshmitarë të fortë, por shpejt i kishte mbuluar e zeza dhe nuk ishte kuptuar asnjëherë se ku përfunduan ata. Të frikësuar deri në palcë, nga fati i dëshmitarëve të zhdukur, zijoshët ia vunë drynin gojës, dhe kjo gjendje vazhdon me shekuj. Zijoshët, duket sikur nuk shfaqin as dhembjen më të vogël për viktimën. I vdekuri apo i vrari vijues, atyre, iu ofron material për thashetheme të reja, që këtu të duket sikur i kanë ushqim për shpirt! Flitet për hapje të ndonjë dosje nga policia, dhe çka do të shënojnë aty për vdekjen e Mulziut! Megjithëse në Zezë, krime ndodhin përditë, por si zakonisht, të arrestuar nuk pati as kësaj radhe! Nuk ka ndodhur edhe një herë, që organet e rendit të kenë zbuluar edhe një fakt të besueshëm, për cilindo krim, që ka ndodhur në Zezë.

Supozohet se edhe në dosjen e këtij rasti, hetuesit nuk shënuan asgjë. Po kush mund të dinte se çka mund të kenë shënuar hetuesit në ato dosje, kur askush nuk mund t’i shihte asnjëherë. Për ato dosje, mund të thuren edhe romane, por ato lehtë mund të jenë vetëm fashikulla me letra bosh, pa një fjalë të vetme. Zijoshët trillojnë edhe çka mund të kenë shkruar hetuesit në dosje! Kur dëgjon njeriu çka flitet në Zezë, nuk mund ta besoj se, krejt ato fjalë, janë thashetheme të zijoshëve, nga të cilët nuk mund të merret asgjë e besueshme. Dilema se kush e vrau Mulziun nisi së bashku me kumtin e zi. Lajmi për vrasjen dhe zhdukjen e Mulziut u përhap në të njëjtën kohe dhe në të njëjtën ditë. Megjithëse përflitej se Zi Ziu ishte i pari që ka parë Mulziun e vdekur, për këtë nuk doli edhe një dëshmitar.

Qindra hektar shkurre të fshatit Zezë, janë vend ideal për të zhdukur, jo një kufomë, si kjo e Mulziut, por edhe një elefant. Aty, në ato shkurre, me vite, zijoshët hedhin mbeturina gjithfarë. Nuk ka njeri që mund të dallojë, kur dhe çka është hedhur. Aty hidhen edhe kafshë të ngordhura dhe inerte të tjera që e bëjnë të pamundur edhe hetimin më të thjeshtë. Zijoshët, moti janë bërë imun ndaj mbeturinave. Shumë zijoshë kalojnë natën, mbi plehra.

Askush nuk mban mend, që ndonjë gazetar të ketë shkruar edhe një fjalë për Zezën. Krejt të zezat që ndodhin këtu konsiderohen normale! Kështu, as gazetarët më të njohur nuk merren më të zezat e Zezës. Vetëm Ajeti i Zezës po mendonte me veti, pse nuk erdhi dikush që së paku të shkruaj një fjali për zhdukjen e Mulziut! Zijoshët kishin pësuar shumë fatkeqësi! Është pëshpëritur deri vonë se dikur dikush paska shkruar në një gazetë së këtu në Zezë, vlojnë të zezat. Pas atij shënimi gazetari u zhduk pa gjurmë. Thjeshtë, një njeri që dikur kishte përmendur emrin e Zezës në Gazetë, më nuk u pa i gjallë. As kufoma nuk iu gjet kurrë.

Zhdukja e gazetarit, ka kohë që nuk përmendet fare! Megjithëse ka kaluar një shekull, zijoshët shtihen sikur as nuk dinë për këtë. Thuhet se pikërisht ai gazetar kishte tentuar të hulumtojë vrasjen e Mulziut, por ishte zhdukur pa nishan. Është përfolur se gazetari, posa kishte arritur në Zezë, e kishin rrethuar zijoshët për ndonjë përfitim, por, kur kishin parë se atij i interesonin vetëm faktet dhe dëshmitarët, e kishte përpirë toka. As Mizioni ndërkombëtar që është vendosur në Zezë, para njëzet vjetësh, nuk hapi hetime për zhdukjen e gazetarit. Zijoshëve edhe po t’u ofrosh pagë apo shpërblim, për ndonjë dëshmi, shpejt do të kuptosh se ata janë krejt të pabesë dhe i ndryshojnë fjalët pas çdo bisede.

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

Ligat tjera
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Premier League
Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të

Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të "dy shpërthimeve” në Rusi

Botë
Kalo në kategori