LAJMI I FUNDIT:

Ndërron jetë shkrimtari Makensen Bungo

Ndërron jetë shkrimtari Makensen Bungo

Me 15 shtator 2018, ndërroi jetë në një spital të Nju Jork-ut, shkrimtari Makensen Buno.

Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë (pas burgut).

U arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për ‘krime kundër shtetit’ dhe e dënoi me pesë vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për pesë vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë.


Dhe më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1950.

Makensen Bungo provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekjen me sy në Kënetën e Maliqit, në kampin famëkeq të Vloçishtit etj. Akuza e fabrikuar ishte ‘Agjitacion e propogandë’, e konsideruar si krim kundër shtetit veç pse kishte thënë se Kosova është e robëruar…

Gjatë kohës së diktaturës nuk u lejua që të botojë. Makenseni edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.

Pas rënies së komunizmit, ai ka botuar këto vepra: “Monografia për Abaz Kupin” (2001), “Këneta e vdekjes” (u botua më 1996 dhe u ribotua edhe pesë herë – më 2009 edhe në gjuhën angleze), “Gruaja me të zeza” (vëllim me tregime, 2008), “Rrugëtim me psherëtima” (roman, 2009), “Nëna Kosovare” (poemë, 2003), “Varret” (poemë) etj.

Ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur edhe për shtypin e diasporës, veçanërisht i gazetës ’Dielli’ në SHBA, ku kontribuoi me studime, artikuj, poezi etj.