LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët në Slloveni u goditën nga kamioni kroat derisa po i ndërronin gomën veturës

Kosovarët në Slloveni u goditën nga kamioni kroat derisa po i ndërronin gomën veturës

Ambasada e Kosovës në Lubjanë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Tahir Palushit gjatë aksidentit të mbrëmshëm në Slloveni sa ishte duke u kthyer për pushime në Kosovë.

Petrit Hajdari, kunsull i Kosovës në Slloveni ka deklaruar se ambasada është njoftuar mbrëmë për rastin ku një kosovar ka vdekur dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda.

Sipas Hajdarit dy kosovarët ishin duke u kthyer për pushime në vendlindje.


“Ambasada e Republikës së Kosovës, ka marrë informacione se mbrëmë në këtë fatkeqësi komunikacioni një person ka humbur jetën, ndërsa bashkudhëtari tjetër ka pësuar lëndime të rënda, i cili është transferuar në spitalin më të afërt për trajtim. Të aksidentuarit, shtetas nga Kosova,  po ktheheshin për pushime në vendlindje”, ka deklaruar Hajdari për Insajderin.

Po ashtu më tej ai ka thënë se aksidenti ka ndodhur derisa dy kosovarët po e rregullonin gomën e veturës së tyre, ndërsa ishin goditur nga një kamion me regjistrim kroat.

“Sipas informatave, fatkeqësia ka ndodhur në momentin deri sa ata po e rregullonin gomën e automjetit të tyre, në shiritin ndihmës të autostradës, afër vendit të quajtur Grmolje/Slloveni.  Sipas informatave, me këtë rast ata i ka goditur një kamion me regjistrim kroat, i cili po lëvizte në të njëjtin drejtim”, ka deklaruar ai.

Më tej konsulli ka thënë se Ambasada e Kosovës në Lubjanë po e përcjell rastin dhe ka kontaktuar me familjarët e viktimave.

“Ambasada e Republikës së Kosovës, po e përcjell gjendjen dhe ka kontaktuar me familjaret e të aksidentuarve, për t’u ofruar çdo lloj ndihme që ata do të kenë nevojë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni, ndjen keqardhje për rastin dhe i shprehë ngushëllime familjes së të ndjerit, ndërsa të lënduarit  shërim sa më të shpejtë”, ka deklaruar Hajdari.