LAJMI I FUNDIT:

Ditëlindja e Bibliotekës së Kongresit amerikan (Video)

Ditëlindja e Bibliotekës së Kongresit amerikan (Video)

Më 24 prill 1800, presidenti amerikan John Adams, miratoi shumën prej pesëmijë dollarëve për blerjen, sipas fjalëve të tij, të “librave që mund të jenë të nevojshme për t’u përdorur në Kongres”. Kjo bibliotekë sot në fondin e saj dhjetëra miliona objekte.

John Cole ka më tepër se gjysmë shekulli që punon për Bibliotekën e Kongresit dhe tani është historiani i saj kryesor. Ai mund të flasë me orë të tëra për historinë e bibliotekës, misteret dhe legjendat që qarkullojnë për të.


Ai thotë madje se njeh edhe fantazmat e bibliotekës. Një prej tyre, ish-bibliotekari i njohur si Mr. Spafford, ishte i famshëm për kujtesën e tij të shkëlqyer dhe thuhet se vazhdon të endet nëpër korridore, duke u përpjekur të ndihmojë lexuesit:

“Sipas legjendës, ai dinte se ku ndodheshin të gjithë librat. Ka patur shumë histori për të, si p.sh. që u thoshte njerëzve ‘shko në katin poshtë, dhoma 4, rafti numër 3 dhe në fund të tij ke për të gjetur librin që kërkon, është me kapak të gjelbër”, thotë ai.

Koleksioni i Thomas Jeffersonit është më i çmuari që ka biblioteka. Gjatë luftës së vitit 1812, pasi Biblioteka e Kongresit u shkatërrua nga trupat britanike, Jeffersoni vendosi t’ia shiste koleksionin e tij personal Bibliotekës, në mënyrë që të ringrihej fondi i saj. Fatkeqësisht, shumica e atyre librave u dogjën nga një zjarr që ra në vitin 1851, sikurse edhe dy të tretat e të gjithë koleksionit.

“Fjongo e gjelbër tregon se është një vëllim origjinal. Nëse shikon diku një kuti, kjo tregon se jemi ende në pritje të marrjes së këtij volumi.”- thotë punonjësi i biliotekës, John Cole.

Por, në Bibliotekën e Kongresit ka edhe objekte të tjera veç librave. Këtu mund të gjesh një koleksion hartash, numeratorë telefonash, koleksionin më të madh në botë të librave komikë, apo sistemin Braille të leximit me prekje dhe libra në format audio për të verbërit. Por edhe një bibliotekë madhështore si kjo, i ka problemet e veta. Më i madhi i tyre tani për tani, është mungesa e hapësirës.

“Çdo ditë koleksionit tonë i shtohen 10 mijë libra të rinj. Ku shkojnë të gjitha ata? Kemi mungesë hapësire në shumë drejtime…edhe pse vazhdimisht gjejmë hapësira të reja”, thotë Cole.

Mungesa e hapësirës, e fondeve dhe teknologjia e fundit – këto janë tani sfidat më të mëdha të Bibliotekës. Kongresi i miratoi përpjekjet e bibliotekës për të përdorur më shumë fonde nga burime private. Teknologjia e re po e përmirëson efikasitetin e saj, ndërkohë që ruhen traditat. /VoA/