LAJMI I FUNDIT:

Mesazhi prekës i Stephen Hawking për të gjithë ata që vuajnë nga depresioni

Mesazhi prekës i Stephen Hawking për të gjithë ata që vuajnë nga depresioni

Nëse nuk keni dëgjuar ende për lajmin tragjik, Stephen Hawking sot, në moshën 76 vjeçare, ka ndërruar jetë.

Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët kanë kërkuar kohë dhe privatësi, por që njëkohësisht i kanë falënderuar të gjithë ata që kanë qëndruar pranë profesorit Hawking, dhe që e kanë mbështetur përgjatë jetës së tij, transmeton Telegrafi.

Stephen Hawking jo vetëm që ka qenë një nga fizikanët më të mirë të kohës sonë, por gjithashtu na ka sjellë edhe shumë thënie motivuese.


Sot është një ditë e përsosur për të shikuar pas dhe për t’ua kushtuar vëmendjen fjalëve të mençura të cilat ai ua kishte dedikuar atyre që kalojnë nëpër kohëra të vështira.

Më 7 janar të vitit 2016, gjatë një leksioni në Institutin Mbretëror të Londrës, ua kishte përcjellë këto mesazhe atyre që vuajnë nga depresioni:

“Mesazhi i këtij leksioni është se vrimat e zeza nuk janë aq të zeza sa duken. Nuk janë burgje të përjetshme siç është menduar dikur”.

“Gjërat mund të dalin jashtë nga vrima e zezë dhe me shumë mundësi të shkojnë në një univers tjetër. Pra nëse ndiheni se jeni në një vrimë të zezë, mos hiqni dorë – ka një dalje…”

“Mbani mend t’i shikoni yjet dhe jo këmbët. Përpiquni t’i jepni kuptim asaj që shihni dhe mendoni se çfarë e bën universin të ekzistojë. Bëhuni kureshtarë. Dhe sado e vështirë që mund të duket jeta, gjithmonë do të ketë diçka që mund ta bëni dhe të keni sukses aty. Rëndësi ka vetëm të mos hiqni dorë”

Si një njeri që ka kaluar nëpër pengesa dhe sfida të mëdha, këto këshilla nuk do të mund të vinin nga një vend më i mirë!

Vlen të ceket se profesori Hawking ishe diagnostikuar me sëmundjen motorike të neuroneve në vitin 1963 kur ishte vetëm 21 vjeç, dhe doktorët i kishin thënë se do të jetonte vetëm dy vjet.

Por, kjo nuk e kishte ndalë atë të mësohej t’i vlerësonte të mirat që i kishte.

“Edhe pse ka qenë fatkeqësi diagnostikimi me sëmundjen që kam, unë kam qenë shumë fatlum në thuajse çdo gjë tjetër”.

“Është gjithashtu e rëndësishme të mos zemëroheni, pavarësisht sa vështirësohet jeta sepse mund t’ humbni të gjitha shpresat nëse nuk mund të qeshni me veten dhe jetën në përgjithësi”.

/Telegrafi/