LAJMI I FUNDIT:

Ministri dhe komandanti i FSK-së bënë homazhe para arkivolit të tetarit Shani Maloku

Ministri dhe komandanti i FSK-së bënë homazhe para arkivolit të tetarit Shani Maloku

Ministri i Forcës e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, të shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak i SHBA-ve, kolonel Feffrey H. Fisher, në kazermën e FSK-së në Pomozotin, bënë sot homazhe para arkivolit të tetarit Shani Malokut, i vrarë një ditë më parë.

Me këtë rast ministri dhe komandanti i FSK-së u shprehen ngushëllime familjarëve të të ndjerit Maloku.

Përmes një komunikate dërguar mediave, ministria ka bërë të ditur se për homazhe ishin edhe gjeneralë, oficerë, nënoficerë, ushtarë të FSK-së si dhe kolegë të njësisë dhe punës së të ndjerit  Shani Maloku.


Tetari  Shani Tafil Maloku  (1973)  nga fshati Plloçicë  i Malishevës,  u vra në afërsi të shtëpisë së vet së bashku me vëllain e tij,  nga të shtënat me armë, në rrethana ende të pa njohura.

I ndjeri ka qenë duke shërbyer në kazermën e FSK-së në Pomozotin, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile (RMC), njësia e Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike (MKABK).

Ai po ashtu ka qenë ish pjesëtarë i TMK-së. Shokët e njësisë dhe të gjitha ata që ka në pasur rastin ta njohin nga afër e kujtojnë Malokun si njeri shumë të përkushtuar, punëtor, fjalë pak  dhe i dashur me shokë.

Varrimi i Shaniut dhe vëllait të tij do të bëhet sot në ora 15:00 në fshatin e lindjes në Plloqicë të Malishevës. /Telegrafi/