LAJMI I FUNDIT:

Nuk donte ta shkelte më kurrë tokën gjermane, por pastaj vendosi ndryshe: Një e mbijetuar e Aushvicit rrëfen kujtimet në Bundestagun gjerman

Nuk donte ta shkelte më kurrë tokën gjermane, por pastaj vendosi ndryshe: Një e mbijetuar e Aushvicit rrëfen kujtimet në Bundestagun gjerman

“Urrejtja është helm”, thotë Anita Lasker-Wallfisch. Ajo e ka mbijetuar Aushvicin dhe flet në ceremoninë përkujtimore të Bundestagut për viktimat e nazizmit. Për herë të parë në sallë ishte edhe AfD.

Gjermania, thotë Anita Lasker-Wallfisch, është sjellë “pas Luftës në mënyrë shembullore”: “Asgjë nuk u mohua”.


Zonja e moshuar me flokë të bardha ka ardhur nga Anglia në Berlin, për të folur në Bundestag në orën përkujtimore për viktimat e nacionalsocializmit për Gjermaninë politike.

Në moshë të re ajo e mbijetoi Aushvicin dhe Bergen-Belsenin, mizoritë e nazizmit. Dhe tani ajo tregon. 92 vjeçarja nuk e lexon thjesht fjalimin e saj, ajo tregon.

Nga njëra anë është fëmijëria në Bratislavë, aty janë edhe vështirësitë në rritje, mundimet ndaj hebrenjve.

Por, thotë ajo, i ati Alfons Lasker kishte thënë se punët nuk do të venë kaq keq. Vite më vonë prindërit vdesin në vrasjet masive të nazistëve.

Anita dhe e motra Renata u dërguan në Aushvic.

“Në shumë raste njerëzit i hidhnin të gjallë në furrat e ndezura. Edhe këtë e kam parë. Kur nuk vdisje direkt sapo vije në dhomat e gazit, gjithsesi nuk mbijetoje gjatë në Aushvic”.

Dy vajzat mbetën gjallë rastësisht. Anita Lasker-Wallfischin e shpëtoi muzika. Ajo luante violonçel në orkestrën e vajzave të kampit.

Për një moment politika ndalet

Fjalimi është prekës, emocionues. Lasker-Wallfisch pas Holocaustit nuk donte ta shkelte më kurrë tokën gjermane. Por pastaj vendosi ndryshe. Duke u mbajtur në krahun e Presidentit Federal Frank-Walter Steinmeier ajo hyn me hapa të ngadaltë në sallën plenare. Dhe tregon në gjuhën e saj të nënës.

“Ditën e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit”, në vitin 1996 Presidenti i atëhershëm Roman Herzog e caktoi në 27 janar, në përvjetorin e çlirimit të kampit të asgjësimit të Aushvicit nga Ushtria e Kuqe. Kjo ditë është gjithmonë një moment kur politika ndalet. Flamujt në gjysëmshtizë në Rajshtag, atmosferë e qetë në sallë.

Herën e 23-të kur kujtohet ky përvjetor megjithatë disa gjëra janë ndryshe.

Që prej zgjedhjeve të Bundestagut në vjeshtë, në Bundestag ndodhet edhe partia populiste e djathtë AfD. Anëtarë të kësaj partie janë edhe njerëz që minimizojnë rëndësinë e përkujtimit të Holokaustit dhe për të cilët është e mjaftueshme që vetëm të kujtohen vrasjet në masë të nacionalsocialistëve. Edhe anëtarët e kësaj partie ndodhen – thuajse pa mungesa – në sallë.

Wolfgang Schäuble dënon urrejtjen ndaj të huajve

Në fillim të ceremonisë përkujtimore flet Presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble. Për një çerek ore të mirë.

“Te Aushvici merr fund çdo siguri”, thotë ai disa herë. Dhe në fund të fjalës së tij shprehet edhe për armiqësinë e re kundër të huajve në Gjermani: “Çdo ditë te ne sulmohen njerëz, sepse kanë pamje tjetër dhe flasin ndryshe, sepse duken si të huaj dhe duhet të mbeten të huaj. Shumica e madhe e njerëzve në vendin tonë nuk është kundër të huajve, aq më pak është e dhunshme”. Por shkak për t’u shqetësuar ka.

Schäuble paralajmëron për rrezikun e tyre që duan të përçajnë: “Ai që flet për popullin dhe ka parasysh me këtë vetëm një pjesë të caktuar të tij”, ai përjashton të tjerët.

Dhjetë herë të mira e ndërpresin atë duartrokitjet e deputetëve. Thuajse gjithmonë duartroket edhe AfD. Por kur Schäuble thotë këtë fjali, nga kampi i “Alternativës për Gjermaninë” nuk duartroket askush.

Kjo skenë njerëzore

E njëjta skenë përsëritet kur Lasker-Wallfisch flet për temën e refugjatëve dhe kujton mjerimin e aq shumë vetëve që nuk arrin të dilnin nga Gjermania naziste: “Për ne atëherë kufijtë u mbyllën në mënyrë hermetike dhe nuk u hapën, si këtu, në saj të këtij gjesti të pabesueshëm bujar, të guximshëm, njerëzor, që u bë këtu”.

Këtu duartrokasin të gjitha grupet parlamentare – me përjashtim të AfD-së. “Urrejtja është thjesht helm. Dhe në fund njeriu helmon veten”, thotë Lasker-Wallfisch në fjalitë e fundit të fjalimit të saj.

Ajo ka parasysh kohën e atëhershme dhe kohën e sotme. Në fund të fjalës së saj ajo thotë vetëm: “Thank you”.

Atëherë në këmbë ngrihen të gjithë deputetët – ngrihen në këmbë – pas një momenti ngurrimi – edhe deputetët e AfD-së.

Dhe të gjithë, edhe dëgjuesit në tribunën e vizitorëve duartrokasin për minuta të tëra për një fjalim të madh.

Kur e mbështetur në shkopin e saj ajo del nga salla plenare, 92 vjeçarja nuk ka më nevojë të mbështetet në krahun e dikujt. /dw/

Në trend Botë

Më shumë
Zelensky tregon se kush janë ftuar në samitin e paqes në Zvicër

Zelensky tregon se kush janë ftuar në samitin e paqes në Zvicër

Botë
Ndërpriten mijëra fluturime - Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Ndërpriten mijëra fluturime - Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Botë
Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Evropa
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

Serbia
Pamje nga ajri që tregojnë se çfarë ka mbetur nga qyteti ukrainas Chasiv Yar

Pamje nga ajri që tregojnë se çfarë ka mbetur nga qyteti ukrainas Chasiv Yar

Evropa
Kalo në kategori